Një shqiptar 58-vjeçar është plagosur me thikë në bark gjatë një sulmi brenda banesës së tij në Agia Galini, në zonën e Rethymnos në Kretë. Policia greke po kërkon një 17-vjeçar, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.
I plagosuri, i cili jeton në zonë me familjen e tij, ka marrë dy plagë me thikë në bark.
58-vjeçari u dërgua fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Moirës, ku mori ndihmën e parë dhe mjekët punuan për stabilizimin e gjendjes së tij. Për shkak të plagëve të rënda, ai u transportua më pas me ambulancë, i shoqëruar nga një mjek, në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit, ku po merr trajtim të specializuar.
Rrethanat dhe motivet e sulmit mbeten të paqarta. Autoritetet greke po mbledhin prova për të zbardhur ngjarjen, ndërsa vijojnë kërkimet për të miturin e dyshuar.






















