
Pas disa të dhënave që ngrenë dyshime rreth fatit të të shumëkërkuarit Inez Hajrulla, policia e Vlorës ka marrë kontakt me babain e tij. Robert Hajrulla i ka thënë policisë se me të birin s'ka pasur kontakt dy ditët e fundit, por duke qenë se ai është në kërkim ndërkombëtar, ndodh që ai të mos e kontaktojë çdo ditë. Sipas babait të tij, beson se i biri ndodhet jashtë vendit dhe se do t'i drejtohet policisë për humbje kontaktesh me të vetëm nëse do të kalojnë 72 orë dhe Inezi të mos e telefonojë apo sinjalizojë në ndonjë mënyrë tjetër që është mirë.
Misteri rreth Inez Hajrullës nisi kur miqtë e tij të afërt humbën kontaktet me të. Sipas tyre, ai ndodhej në Tiranë dhe dyshohet të jetë marrë nga persona të veshur me jelekë si të BKH-së, por më pas, pasi bënë përpjekje për të mësuar në cilin komisariat ishte dërguar, mësuan se ai nuk ishte arrestuar. Kjo bëri që ata të alarmoheshin për fatin e tij.
A është vërtet një rrëmbim nga kundërshtarët apo një lojë nga vetë Inez Hajrulla për të mbajtur larg policinë? Kjo mbetet e paqartë. Fakt është që policia ka nisur verifikimet lidhur me rastin. Inez Hajrulla është në kërkim me urdhër të SPAK për vrasje dhe grup kriminal. Ai mori drejtimin e grupit kriminal në 2018, pas vrasjes së shefit të tij, Edison Harizaj, i njohur si Edison Faqedjeguri.
Hajrulla është në përplasje të forta me disa grupe kriminale në Vlorë dhe disa aksione për kapjen e tij kanë dështuar.






















