Sociale 10 October 2026, 08:47 Nga VNA

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n për t’u kuruar në spitalet private

Ndaje në Whatsapp

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Pas disa vitesh maturim, biznesi privat i shëndetit i është rikthyer rritjes, i ndikuar nga ofertat më agresive, përkeqësimi i shërbimeve në sektorin shtetëror dhe orientimi i një kategorie klientësh drejt kujdesit privat, e mbështetur dhe nga shoqëritë e sigurimit.

Në vitin 2025, vdekjet ranë me 3.2% në krahasim me vitin e mëparshëm, teksa janë 30% më të ulëta sesa në vitin 2021, kur kulmuan në 30.5 mijë, për shkak të pasojave të pandemisë.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Në kahun tjetër, pasojat afatgjata të COVID-19 dhe plakja graduale e popullsisë po mbajnë të lartë konsumin e medikamenteve.

Një faktor që po ndikon negativisht vlerësohet dhe rënia e vazhdueshme e lindjeve, që ka ulur punën në klinikat obstetrike të vendit.

Të dhënat e INSTAT-it bënë të ditur se në vitin 2025 u regjistruan 22.5 mijë lindje, niveli më i ulët i gjithë tranzicionit. Në raport me fillimin e viteve 1990, lindjet janë gati 4 herë më të ulëta.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Spitalet private i rikthehen rritjes

Pas tre vitesh radhazi kur spitalet e mëdha private raportuan stanjacion ose rënie të të ardhurave, viti 2025 ka sjellë një kthesë.

Të dhënat zyrtare të bilanceve të katër spitaleve private, “American Hospital” (përfshirë “International Hospital”), “Salus”, “German Hospital International”, “Spitali Europian”, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 10.5 miliardë lekë, me rritje prej 11.3% në raport me vitin e mëparshëm, duke shënuar ecurinë më të mirë, që nga periudha e pandemisë, kur qarkullimi arriti në 12.2 miliardë lekë. Peshën kryesore e mban “American Hospital”, me 80% të totalit.

Të gjithë operatorët deklaruan rritje të të ardhurave.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Sipas operatorëve, tregu i shërbimeve shëndetësore private vazhdon të kufizohet nga fuqia relativisht e ulët paguese e popullatës dhe nga përfshirja shumë e ulët e skemave të sigurimit shëndetësor në mbulimin e kostove të shërbimeve shëndetësore, ndërsa çmimet e trajtimeve dhe ekzaminimeve private mbeten të larta për një pjesë të konsiderueshme të familjeve.

Në të njëjtën kohë, rënia e lindjeve dhe emigracioni, sidomos i shtresës së mesme dhe i të rinjve, kanë tkurrur një pjesë të bazës tradicionale të klientëve që mund t’i drejtoheshin sektorit privat.

Megjithatë, rikthimi i rritjes së të ardhurave në vitin 2025 tregon se tregu po mbështetet gjithnjë e më shumë edhe nga faktorë të tjerë. Një prej tyre mbetet zhvendosja e pacientëve nga sistemi publik drejt privatit, për shkak të pritjeve të gjata, vështirësive në aksesin tek ekzaminimet e specializuara dhe procedurave të ngadalta për marrjen e shërbimeve të caktuara, sipas operatorëve privatë.

Mjekët e kontaktuar nga “Monitor” pohuan faktin se rritja e të ardhurave në spitalet private mund të lidhet me disa faktorë.

Së pari, vetë pacientët ndikohen dhe nga cilësia e ulët e shërbimeve shëndetësore ose mungesa e tyre në shërbimin shëndetësor publik, duke bërë që për shumë operacione të vështira, si ndërhyrje në zemër, apo kirurgji të tjera me kompleksitet relativisht të lartë të drejtohen te shërbimi spitalor privat.

Përmendet fakti se në spitale private ka dhe shumë shërbime që nuk i ofron shteti, siç është p.sh. kontrolli me Pet Scanner, që kryhet vetëm nga spitalet private, kushton 1400 euro dhe është një ekzaminim shumë i kërkuar, për të cilin duhet të presësh në radhë për një kohë të gjatë.

Po ashtu përmendet edhe fakti se spitalet private kanë shtuar marketingun, përmes mjekëve që çojnë një pjesë të pacientëve me aftësi paguese te shërbimi shëndetësor privat.

Spitalet private kanë investuar në shërbime dhe kanë marrë shumë mjekë të huaj, që kryejnë ekzaminime, sidomos kirurgjia.

Një tjetër burim potencial zgjerimi është tregu përtej kufijve. Operatorët shohin mundësi në zhvillimin e turizmit shëndetësor, duke u mbështetur te diferenca e kostove me vendet e BE-së dhe afërsia me tregje si Italia, Greqia dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Në raportin e aktivitetit të “Spitalit Amerikan” theksohet se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE dhe në proces reformash ekonomike e institucionale, mund të bëhet më tërheqëse për investime në shëndetësi dhe për pacientë ndërkombëtarë që kërkojnë shërbime cilësore me kosto më të ulët.

“Spitali Amerikan” (“American Hospital”) është më i madhi në vend duke dominuar në këtë segment, teksa të ardhurat e tij janë rreth 10 herë më të larta se i dyti në listë.

Në vitin 2025, spitali raportoi 8.5 miliardë lekë të ardhura, me rritje 52.5% në raport me vitin e mëparshëm. Ky ishte viti i parë i plotë, pas bashkimit me “International Hospital” (ish-“Hygeia”), të cilin e përthithi në fund të vitit 2023 dhe fillimit të operimit si një i vetëm nga shtatori 2024.

Në vitin 2024, “American Hospital” raportoi se nëse bashkimi me “International Hospital” sh.a. do të kishte përfunduar në ditën e parë të vitit financiar, të ardhurat e shoqërisë për vitin 2024 do të ishin 7.6 miliardë lekë. Si rrjedhojë, rritja reale e të ardhurave të spitalit të bashkuar në vitin 2025 ishte rreth 12%. Qarkullimi vjetor në 2025-n ishte 2.4% më i lartë se qarkullimi vjetor i dy spitaleve, kur kishin aktivitet të veçantë në vitin 2023, që rezultoi 8.3 miliardë lekë.

“American Hospital” përthithi në fund të vitit 2023 “International Hospital”, teksa e kishte në pronësi prej shtatë vitesh, me synim rritjen e sinergjive, optimizimin e burimeve njerëzore dhe materiale, si dhe rritjen e bashkëpunimit mes spitaleve të grupit. Bashkimi synonte të arrinte kursime të kostos përmes shpërndarjes së optimizuar të burimeve dhe të përdorte ekonominë e shkallës, me synim përmirësimin e performancës së përgjithshme financiare dhe sinergjitë operacionale.

Sipas raportit të aktivitetit, “American Hospital” do të fokusohet në zgjerimin e aktivitetit të tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit mjekësor, duke rritur edhe më tej kapacitetet e shërbimit.

Në vitin 2025, sipas raportit të aktivitetit janë kryer afërsisht 16 mijë ndërhyrje kirurgjikale (21 mijë në nivel të konsoliduar); 5 mijë trajtime mjekësore (8 mijë në nivel të konsoliduar); 117 mijë numër seancash dialize. Numri i të punësuarve ishte 2241.

Spitalet e tjera nuk renditen në listën e 200 më të mëdhave.

“German Hospital International” rriti të ardhurat me rreth 6% në vitin 2025, në 712.8 milionë lekë, por rritja e kostove bëri që fitimi neto të përgjysmohej, në rreth 2.8 milionë lekë, nga 5.5 milionë lekë një vit më parë. Shpenzimet totale u rritën në rreth 691 milionë lekë, nga 643 milionë lekë në vitin 2024, duke ngushtuar rezultatin nga aktiviteti kryesor. Spitali kishte mesatarisht 130 punonjës gjatë vitit 2025, ndërsa në fund të vitit, numri i të punësuarve ishte 105.

Spitali “Salus” raportoi 647 milionë lekë të ardhura, me rënie 2.3%, në vitin 2024. Kompania nuk e ka dorëzuar ende bilancin e vitit 2025.

“Spitali Europian” shënoi përmirësim të aktivitetit në vitin 2025, me të ardhurat nga aktiviteti që u rritën me rreth 20%, në 674.3 milionë lekë, ndërsa humbjet u ngushtuan lehtë në rreth 84.9 milionë lekë, nga 88.9 milionë lekë një vit më parë. Numri mesatar i punonjësve ishte 86.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Farmaceutika nuk e ndien krizën

Barra e sëmundjeve në vend vijon të rritet, e ndikuar nga plakja graduale e popullsisë, apo dhe pasojat afatgjata që la COVID.

Pas Censit të popullsisë, që u zhvillua në vitin 2023 nga INSTAT-i, rezultoi se mosha mediane (që ndan popullsinë përgjysmë) ishte rritur me shpejtësi, e ndikuar si nga emigracioni i të rinjve, ashtu dhe nga rënia e lindjeve, duke arritur në 45 vjeç në 1 janar 2026, që do të thotë se gjysma e popullsisë është mbi këtë moshë dhe duke kapur me shpejtësi mesataren e Bashkimit Europian.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Importet e produkteve farmaceutike u rritën me 4.9% në vitin 2025, në 29.5 miliardë lekë, duke arritur nivelin më të lartë, me përjashtim të periudhës së pandemisë. Viti 2021 vijon të mbajë rekordin e importeve, i ndikuar si nga pandemia, ashtu edhe nga hyrja e vaksinave që u përdorën kundër COVID-19.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Edhe të dhënat e tjera të INSTAT-it tregojnë se indekset e vlerës dhe të volumit të produkteve farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike, parfume, po shënojnë rritje të fortë vit pas viti.

Mesatarisht në vitin 2025, indeksi i volumit ishte 27% më i lartë se viti 2021, kur vendi po luftonte ende me pandeminë dhe ai i vlerës 24% më shumë.

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Disa operatorë të tregtimit me shumicë të produkteve farmaceutike kanë raportuar rritje të fortë në vitin 2025.

“Rejsi Farma” raportoi të ardhura prej rreth 6.3 miliardë lekësh në vitin 2025, me rritje 22%. Sipas raportit të aktivitetit, kjo performancë tregon për një situatë të konsoliduar financiare dhe ekonomike të shoqërisë.

“Për të ruajtur performancën e arritur deri tani dhe për të zgjeruar më tej aktivitetin, shoqëria jonë ka zgjeruar gamën e veprimtarisë së saj në fushën e tregtisë së medikamenteve, duke rritur investimet në automjetet e shpërndarjes dhe duke zgjeruar gamën e artikujve të shitur.

Kemi krijuar bashkëpunime me shoqëri të ndryshme, duke krijuar marrëdhënie afatgjata biznesi dhe duke shfrytëzuar burimet e përbashkëta që kanë këto shoqëri për të ndihmuar dhe për të mbështetur njëra-tjetrën, në fushën e marketingut etj.

Në vitin 2026 synojmë të ruajmë veprimtarinë aktuale, duke vijuar me objektet që ka aktualisht. Do të vazhdojmë të operojmë në fushën e tregtisë me shumicë dhe do të shtojmë gamën e mallrave”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Delta Pharma” kishte aktivitet të qëndrueshëm në rreth 5 miliardë lekë. Vitet e fundit, kompania ka investuar dhe në pakicë përmes rrjetit farmaceutik “Ditë e Natë”. Për herë të parë, ky rrjet ka hyrë në listën e “Monitor 200”, pas rritjes së të ardhurave me 34%, në 3.2 miliardë lekë.

Rrjeti ka rritur numrin e të punësuarve në 411 në vitin 2025, sipas raportimeve në pasqyrat financiare.

“Ilma” është një nga shoqëritë farmaceutike me rritjen më të shpejtë në vitin 2025. Kompania raportoi të ardhura prej 4.1 miliardë lekësh, me rritje prej 23.4%. Numri i të punësuarve ishte 148, sipas deklarimeve në bilanc.

“Trimed” u zgjerua me rreth 6%, në 4.3 miliardë lekë. “Ecuria pozitive e vitit u mbështet nga menaxhimi i disiplinuar i kapitalit punues, optimizimi i inventarit dhe ndjekja sistematike e llogarive të arkëtueshme.

Ruajtja e marrëdhënieve të qëndrueshme me furnitorët dhe menaxhimi i vazhdueshëm i zinxhirit të furnizimit ndihmuan në sigurimin e vijimësisë së aktivitetit, forcimin e likuiditetit dhe konsolidimin e aftësisë paguese të shoqërisë”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Alfarmakos” qarkulloi 3.8 miliardë lekë, në vitin 2025, me zgjerim prej 7.8%. Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria ka aktualisht një numër të konsiderueshëm klientësh, të shpërndarë në të gjithë territorin shqiptar. Në vitet 2024 dhe 2025, shoqëria ka shtuar të punësuarit, ndërsa të ardhurat janë rritur më shpejt sesa shpenzimet.

“Intermed” raportoi të ardhura prej 3.2 miliardë lekësh, në nivele të njëjta me vitin 2024.

“Megapharma” është një tjetër operator i madh i shpërndarjes me shumicë të medikamenteve në vend. Të ardhurat e shoqërisë ishin 2.8 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 4.4%./Monitor.al/

Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n

Video

Disave mund të mos i duket plak, por shokët e klasës kanë 17 vjet që tërheqin pensionin tek posta

Këto janë momentet e rrëzimit të një helikopteri në liqenin Atitlán në Guatemalë. Në helikopter ndodheshin shtatë persona. Sipas raportimeve, pesë prej tyre janë shpëtuar të gjallë, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në liqen, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit.

Cilat bashki u “zhdukën” nga harta e Shqipërisë?

Kosova pret ambasadorin…

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme