Sociale 8 October 2026, 15:37 Nga VNA

Napoleon Zerva nderohet në Dropull, Shoqata “Çamëria” dënon me forcë aktin: Fyerje e rëndë ndaj viktimave të masakrave çame!

Ndaje në Whatsapp

Napoleon Zerva nderohet në Dropull, Shoqata

Ekspozimi i portretit të Napoleon Zervës në Derviçian të Dropullit, në territorin shqiptar, ka shkaktuar reagimin e ashpër të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, e cila e cilëson ngjarjen një fyerje të rëndë ndaj kujtesës së viktimave të masakrave dhe dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë.

Napoleon Zerva, udhëheqësi i forcave nacionaliste greke EDES, është një figurë historike e lidhur me masakrat dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare çame gjatë viteve 1944–1945.

“Napoleon Zerva nuk mund të nderohet në tokën shqiptare!”, deklaron shoqata, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të portretit dhe reagimin e institucioneve shtetërore.

“Çfarë po nderohet sot në Derviçian? Masakrat mbi gra, fëmijë e pleq? Shtëpitë e djegura? Familjet e shfarosura? Mijëra shqiptarët e dëbuar nga vendlindja e tyre?”, pyet Shoqata Patriotike “Çamëria”.

Në deklaratë kujtohet se Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 7839, datë 30 qershor 1994, ka shpallur 27 Qershorin “Ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Shoqata kërkon një shpjegim zyrtar nga kryetari i Bashkisë Dropull për rrethanat e organizimit dhe lejimit të ekspozimit, ndërsa i bën thirrje qeverisë shqiptare të ndërhyjë për verifikimin e plotë të aktivitetit.

Gjithashtu, kërkohet që Prokuroria të nisë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkeljet e mundshme ligjore, si dhe të verifikohet kush e ka organizuar, financuar dhe miratuar ekspozimin.

Në deklaratë kritikohet edhe Radiotelevizioni Shqiptar, RTSH, për transmetimin e aktivitetit, të cilin shoqata e konsideron të pafiltruar.

“Liria e artit nuk mund të përdoret si mburojë për glorifikimin e autorëve të masakrave. Bashkëjetesa nuk mund të ndërtohet mbi fyerjen e kujtesës së viktimave. Dhe respekti për minoritetet nuk mund të ngatërrohet me tolerimin e provokimeve ndaj historisë së shqiptarëve”, thuhet në reagim.

Ngjarja ngre pyetje që kërkojnë përgjigje nga autoritetet: kush e organizoi ekspozimin, cili ishte qëllimi i paraqitjes së portretit dhe a kishte miratim nga institucionet vendore? Deri në sqarimin e këtyre rrethanave, mbetet e paqartë nëse portreti ishte pjesë e një paraqitjeje historike apo e një aktiviteti që synonte nderimin e Zervës.

Për Shoqatën Patriotike “Çamëria”, qëndrimi është i panegociueshëm.

“Çamëria nuk është një kujtim që mund të fshihet. Gjenocidi çam nuk është një tragjedi që mund të relativizohet. Dhe gjaku i shqiptarëve të pafajshëm nuk mund të fyhet në emër të artit!”

Shoqata kërkon reagim, transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet shqiptare, duke e mbyllur deklaratën me thirrjen: “Krimineli Napoleon Zerva nuk mund të ketë vend nderi në tokën shqiptare!”

Reagimi i plotë: 

DEKLARATË E SHOQATËS PATRIOTIKE “ÇAMËRIA”
NAPOLEON ZERVA NUK MUND TË NDEROHET NË TOKËN SHQIPTARE!
AKT I RËNDË FYERJE NDAJ SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË DHE KUJTESËS SË VIKTIMAVE TË GJENOCIDIT ÇAM!
Në Derviçian të Dropullit, në territorin e Republikës së Shqipërisë, ekspozimi për nderim i portretit të Napoleon Zervës është akt I rëndë që Shoqata Patriotike “Çamëria” e dënon me forcën më të madhe.
Napoleon Zerva nuk është një figurë e zakonshme historike për shqiptarët. Emri i tij është i lidhur pazgjidhshmërisht me masakrat, spastrimin etnik dhe dëbimin me dhunë të popullsisë shqiptare të Çamërisë nga trojet e saj stërgjyshore.
Çfarë po nderohet sot në Derviçian? Masakrat mbi gra, fëmijë e pleq? Shtëpitë e djegura? Familjet e shfarosura? Mijëra shqiptarët e dëbuar nga vendlindja e tyre?
Apo kërkohet që, përmes artit dhe kulturës, të rehabilitohet publikisht figura e krimineli Zerva, që për shqiptarët e Çamërisë simbolizon një nga tragjeditë më të rënda të historisë sonë kombëtare?
Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 7839, datë 30.6.1994, ka shpallur 27 Qershorin “Ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Si është e mundur që Republika e Shqipërisë, e cila përkujton me ligj viktimat e gjenocidit çam, të lejojë në territorin e saj nderimin publik të figurës së këtij krimineli lidhur me këtë tragjedi?
Kjo nuk është thjesht çështje e një portreti të vendosur në një galeri arti. Është çështje e dinjitetit kombëtar, e kujtesës historike dhe e përgjegjësisë së institucioneve të shtetit shqiptar.
Liria e artit nuk mund të përdoret si mburojë për glorifikimin e autorëve të masakrave. Bashkëjetesa nuk mund të ndërtohet mbi fyerjen e kujtesës së viktimave. Dhe respekti për minoritetet nuk mund të ngatërrohet me tolerimin e provokimeve ndaj historisë së shqiptarëve.
Shoqata Patriotike “Çamëria” kërkon publikisht:
1. Heqjen e menjëhershme të portretit të kriminelit Napoleon Zerva nga çdo ekspozim që synon nderimin ose glorifikimin e tij në Derviçian.
2. Një shpjegim zyrtar nga kryetari i Bashkisë Dropull, për rrethanat në të cilat është organizuar dhe lejuar ky ekspozim.
3. Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Pushtetit Vendor të ushtrojë detyrimet ligjore për të vënë para përgjegjisë ligjore, frymëzuesit dhe zbatuesit e kësaj fyerje për kujtimin e mijëra viktimave të Çamërisë, duke provokuar rëndë pasardhësit e tyre.
4. Prokuroria të nisë hetimet dhe veprimet ligjore në mbrojtje të ligjit dhe memories historike te gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë.
5. Ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse të shtetit shqiptar, për verifikimin e plotë të organizimit, financimit, miratimit dhe përgjegjësive konkrete institucionale, si dhe të çdo shkeljeje të mundshme ligjore.
6. Një qëndrim publik nga qeveria shqiptare, për të garantuar respektimin e kujtesës historike dhe të dinjitetit të viktimave të masakrave çame.
Askush nuk duhet të përdorë identitetin etnik, kulturën apo artin për të justifikuar nderimin e figurave që simbolizojnë dhunën dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve.
Përgjegjësia është individuale dhe institucionale. Ajo duhet të kërkohet tek ata që e kanë ideuar, miratuar dhe realizuar këtë veprim, si edhe tek transmetimi i pafiltruar i televizionit të vetëm publik shqiptar RTSH.
Shteti shqiptar nuk mund të jetë indiferent kur në territorin e tij nderohet një figurë e lidhur me masakrat ndaj shqiptarëve.
Çamëria nuk është një kujtim që mund të fshihet. Gjenocidi çam nuk është një tragjedi që mund të relativizohet. Dhe gjaku i shqiptarëve të pafajshëm nuk mund të fyhet në emër të artit!
Shoqata Patriotike “Çamëria” kërkon reagim, transparencë dhe përgjegjësi.
Sepse një komb që nderon viktimat e tij nuk mund të heshtë përballë glorifikimit të atyre që lidhen me tragjedinë e tyre.
KRIMINELI NAPOLEON ZERVA NUK MUND TË KETË VEND NDERI NË TOKËN SHQIPTARE!
SHOQATA PATRIOTIKE “ÇAMËRIA”

Video

Alarm në Durrës/ 25-vjeçarja britanike gjendet e pajetë në apartament, pranë saj fëmija 2-vjeçar

Një protestues dhunon një të ri gjatë protestës. Nuk dihen arsyet

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme