Sociale 7 October 2026, 07:25 Nga VNA

Familjet pa shkollë me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore në 2025

Ndaje në Whatsapp
Familjet pa shkollë me rritjen më të lartë të

Familjet ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor regjistruan rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore për konsum gjatë vitit 2025 krahasuar me 2024, duke reflektuar një zgjerim më të shpejtë të shpenzimeve se te familjet me nivele më të larta arsimore.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet mujore të familjeve ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor arritën në 66,112 lekë në vitin 2025, me një rritje prej 3.28% krahasuar me një vit më parë. Ky ishte ritmi më i lartë mes të gjitha kategorive dhe mbi rritjen mesatare prej rreth 2.35% të shpenzimeve të familjeve në tërësi.

Rritja më e shpejtë e shpenzimeve në këtë kategori mund të lidhet edhe me ndryshimet në tregun e punës. Ekonomia shqiptare po shfaq një kërkesë të lartë për punonjës në profesione elementare, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe shërbimeve. Zgjerimi i këtyre aktiviteteve ka rritur kërkesën për profesione si pastrues, shitës dhe punonjës të tjerë që jo domosdoshmërisht kërkojnë nivele të larta arsimimi.

Mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa e lartë në këto profesione kanë ndikuar që pagat në disa prej kategorive me kualifikim më të ulët të rriten më shpejt se në profesione të tjera më të kualifikuara gjatë viteve të fundit. Kjo tendencë ka vijuar edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Për familjet me të ardhura më të kufizuara, rritja e të ardhurave priret të reflektohet më drejtpërdrejt në konsum, pasi një pjesë më e madhe e buxhetit të tyre përdoret për nevojat e përditshme.

Megjithatë, një pjesë e rritjes së shpenzimeve lidhet edhe me ecurinë e çmimeve. Inflacioni mesatar në Shqipëri ishte 2.2% gjatë vitit 2025. Në këtë mënyrë, rritja nominale prej 3.28% e shpenzimeve të familjeve pa arsim të përfunduar ishte vetëm rreth një pikë përqindjeje mbi rritjen mesatare të çmimeve.

Familjet ku kryefamiljari kishte përfunduar arsimin 8/9-vjeçar shpenzuan mesatarisht 85,333 lekë në muaj, vetëm 0.4% më shumë se në vitin 2024. Kjo ishte rritja më e ulët mes kategorive të analizuara.

Te familjet me arsim të mesëm të përgjithshëm ose profesional, shpenzimet u rritën me 2.74%, nga 96,790 lekë në 99,442 lekë në muaj.

Ndërkohë, familjet ku kryefamiljari kishte arsim të lartë ose pasuniversitar vijuan të kishin nivelin më të lartë të konsumit, me 116,312 lekë në muaj. Megjithatë, ritmi i rritjes së shpenzimeve në këtë kategori ishte më i moderuar, në 2.13%.

Në total, një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 95,227 lekë në muaj gjatë vitit 2025, rreth 2.3% më shumë se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve të INSTAT.

Rritja më e shpejtë e shpenzimeve te familjet pa arsim të përfunduar nuk e ka ndryshuar hendekun e madh të konsumit ndërmjet familjeve sipas nivelit arsimor të kryefamiljarit. Familjet me kryefamiljar me arsim të lartë shpenzojnë rreth 50 mijë lekë më shumë në muaj se ato ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë një afrim të lehtë në ritmin e rritjes së konsumit, por diferencat në nivelet e shpenzimeve mbeten të konsiderueshme. Familjet me nivel më të ulët arsimor po i rrisin më shpejt shpenzimet, por vijojnë të konsumojnë dukshëm më pak se familjet me nivele më të larta arsimore./ Monitor.al

Video

Këto janë momentet e betimit të Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, para deputetëve të Kuvendit. Në një seancë të jashtëzakonshme, të mbajtur në momentet e fundit të afatit kushtetues, Kuvendi votoi me 81 vota zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit. Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

San Marino ka befasuar Shqipërinë në Tiranë, duke gjetur golin e barazimit në minutën e 66-të të sfidës së vlefshme për Nations League. Kuqezinjtë kryesonin 1-0 që prej minutës së 11-të, falë një goditjeje të fuqishme nga distanca të Kristjan Asllanit, por miqtë shfrytëzuan një moment pakujdesie të mbrojtjes shqiptare për të vendosur baraspeshën. Pas një krosimi në zonën e Shqipërisë, Lazzari u gjend i lirë dhe goditi me të djathtën, duke mposhtur portierin Dajsinani dhe duke shënuar për 1-1. Goli i San Marinos erdhi në një moment kur Shqipëria po kërkonte të shtonte avantazhin. Trajneri kishte ndërhyrë edhe nga stoli, duke aktivizuar Mehmetin në vend të Muçit dhe Uzunin në vend të Hoxhës.

Shqipëria fiton me dramë ndaj San Marinos, Asllani vendos ndeshjen në minutën e 93-të Shqipëria ka triumfuar 2-1 ndaj San Marinos në Tiranë, duke siguruar fitoren vetëm në minutat shtesë. Kristjan Asllani kaloi kuqezinjtë në avantazh në minutën e 11-të me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Lazzari barazoi për San Marinon në minutën e 66-të. Kur sfida po shkonte drejt barazimit, pas ndërhyrjes së VAR-it Shqipëria fitoi një penallti. Asllani u tregua i saktë në minutën e 93-të, duke vulosur rezultatin 2-1. Një fitore e vuajtur për kuqezinjtë, të cilët marrin tri pikët dhe vendin e parë në Grupin C1.

Shqipëria ka kaluar në avantazh 1-0 ndaj San Marinos, në sfidën e vlefshme për Nations League. Goli i kuqezinjve u realizua në minutën e 11-të nga Kristjan Asllani, i cili lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetë. Kombëtarja shqiptare e nisi në sulm takimin dhe krijoi disa raste të tjera për shënim. Në minutën e 22-të, Rey Manaj iu afrua golit të dytë, por goditja e tij brenda zonës u ndal nga shtylla. Kuqezinjtë kërkojnë fitoren dhe një rezultat bindës ndaj San Marinos, skuadër të cilën e kanë mposhtur në të pesta përballjet e mëparshme.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme