Këngëtarja Blerina Matraku ka reaguar sërish pas publikimit në internet të pamjeve intime, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve dhe masa ligjore ndaj personave përgjegjës për cenimin e privatësisë së saj.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Matraku thotë se ngjarja ka shkaktuar pasoja të rënda në jetën e saj personale dhe profesionale, duke prekur edhe familjarët.
“Imazhi im është përdhosur”, shprehet këngëtarja, e cila rrëfen se po e përjeton me vështirësi ekspozimin publik të jetës private dhe përballjen me njerëzit e afërt.
Në reagimin e saj, Matraku drejton akuza ndaj kompozitorit Ardian Hila lidhur me marrëdhënien e tyre. Sipas këngëtares, ai i ishte prezantuar si i divorcuar nga bashkëshortja. Ky është pretendimi i saj, ndërsa materiali i paraqitur nuk përmban një përgjigje nga Hila.
Matraku ndalet edhe te bashkëpunimi profesional me kompozitorin, duke pretenduar se ka paguar për çdo këngë dhe projekt. Ajo tregon se, për të përballuar jetesën në Tiranë dhe shpenzimet për muzikën, i është dashur të punojë në dy apo tri vende njëkohësisht, përfshirë shërbimin ndaj klientit dhe përkthimet.
Këngëtarja thekson se cenimi i privatësisë ka ndikuar në gjendjen e saj emocionale dhe në aftësinë për të vijuar normalisht punën. Ajo u bën thirrje autoriteteve të ndërhyjnë, ndërsa kërkon ndalimin e përhapjes së materialeve private.
“Familja ime është e gjunjëzuar”, shkruan Matraku, duke kërkuar kohë për të marrë veten dhe për të ndërmarrë hapat e mëtejshëm për raportimin e çështjes.
REAGIMI I PLOTË
Të bësh një vajzë që të mos e shohë dot babain e saj në sy, ta bësh atë të ikë nga shtëpia e të humbasë të vetmen gjë që ka mbetur në jetë, “dinjitetin”, ky është KRIM.
Të kam mbivlerësuar e hiperbolizuar, por nuk ta fal. Do t’i lë në këtë botë lotët e çdo gruaje apo vajze, o Zot, lotët e çdo fëmije, lotët e nënës time, të Klaudias, (për të cilën thoje “jam i divorcuar”), lotët e vajzave të tua (ju lutem, më falni sërish ju të fundit, se nuk e mbroj dot më këtë njeri).
Do paguash lotët e mi që nuk ndalen, sepse ti nuk di të ndalesh, nuk ke kufij, ke kaluar çdo cak njerëzor e mbarëdimensional.
Unë nuk kam vuajtur kurrë për emër, nuk jam këngëtarja e studios tënde, unë të kam paguar me gjak për çdo këngë e projekt, nuk jam pjesë e fondeve bashkiake apo të asnjë privilegji shtetëror. Jam këngëtarja e papaguar dhe e pavlerësuar me çmime, më e pambrojtura, e cila e ka gjetur punën me thonj, dy-tre punë të lodhshme. Nëse njerëzit punojnë 8 orë, unë kam punuar 20 orë nëpër shërbim klienti (qofshin të nderuar), kam lënë sytë nëpër përkthime, duke kërkuar një punë të tretë, rraskapitëse, për të përballuar jetën e Tiranës… SOS.
Kërkoj nga autoritetet shtetërore të merren masa ligjore për secilin që ka përdhosur figurën e dikujt, të një fëmije, të një artisteje të pambrojtur…
Shteti im i dashur, çështja ka marrë përmasa dhe unë nuk jam më ajo Blerina që mund të punojë me mund 24/24. Imazhi im është përdhosur dhe unë nuk kam sy e faqe të dal para asnjë individi, para asnjë familjari e para askujt.
Ju lutem, ndalni këtë gjë të shëmtuar, ku po goditen njerëz të pafajshëm. Familja ime është e gjunjëzuar dhe unë jam një njeri i kryqëzuar. Kjo gjë do të dënohet e le të ndiqet nga kompetencat ligjore.
Më lini vetëm pak sa të marr veten, për të raportuar apo proceduar. Ndjesë, situata është tragjikeee.






















