Protesta pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në Prishtinë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Sipas Policisë së Kosovës, 11 qytetarë dhe 6 zyrtarë policorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa tre persona janë shoqëruar në stacionin policor.
Në njoftimin e saj, policia bëri të ditur se situata u përshkallëzua pasi një grup protestuesish hodhën mjete piroteknike, fishekzjarre dhe sende të forta drejt ndërtesave të institucioneve.
Për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll, forcat policore përdorën gaz lotsjellës, sprej djegës dhe top uji. Për arsye sigurie, u bllokua përkohësisht edhe qarkullimi i automjeteve në disa rrugë pranë qendrës së kryeqytetit.
Policia theksoi se nuk ndërhyri ndaj pjesëmarrësve që protestuan në mënyrë paqësore, por reagoi ndaj veprimeve të dhunshme që, sipas saj, rrezikonin pronën publike dhe zyrtarët në detyrë.
Veprimet e mëtejshme ndaj tre personave të shoqëruar do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë. Ndërkohë, policia sqaroi se bilanci i të lënduarve mund të ndryshojë.
Përfaqësues të protestës u bënë thirrje pjesëmarrësve të shpërndaheshin dhe të mblidheshin sërish mëngjesin pasues, në orën 09:00.
Në orët e vona të mbrëmjes situata u qetësua, ndërsa njësitë policore vijuan të qëndronin në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.






















