Rajoni 3 October 2026, 15:55 Nga VNA

“22 votat për presidentin në këmbim të Speciales”, Deliu i bën ofertën LVV-së

Ndaje në Whatsapp
“22 votat për presidentin në këmbim të

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke lidhur këtë çështje me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Një ditë pasi Qeveria e Kosovës e ka rikthyer në Kuvend projektligjin e sponsorizuar nga PDK-ja, Deliu ka deklaruar se, nëse ndryshimet miratohen në dy lexime, partia e saj do t’i vërë në dispozicion 22 votat për zgjedhjen e presidentit.

Sipas saj, një votim i tillë do të mund të krijonte hapësirë për një marrëveshje politike mes forcave parlamentare dhe për shmangien e zgjedhjeve të reja. Deliu ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe për një figurë në postin e presidentit që mund të afrojë subjektet politike.

“Në rast se do të miratohet ligji brenda dy leximeve, plotësim-ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 22 votat në dispozicion për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar Deliu.

E pyetur se cili mund të ishte kandidati që do të bashkonte LVV-në dhe PDK-në, deputetja nuk ka përmendur një emër konkret. Ajo ka thënë se presidenti duhet të jetë një figurë që afron forcat politike dhe që do të ndihmonte në shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Deliu ka deklaruar gjithashtu se PDK-ja nuk dëshiron zgjedhje të reja, por nuk do të mbështesë, sipas saj, vendime që do ta shndërronin partinë në “zgjatim” të pushtetit të LVV-së.

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja në nëntor, në rast se nuk gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, Deliu ka thënë se aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë pjesë e debatit politik dhe e fushatës zgjedhore.

Deputetja e PDK-së ka argumentuar gjithashtu se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohen nga Kuvendi, ndërsa ka paralajmëruar se pakënaqësia qytetare mund të rritet nëse kërkesat për ndryshimin e ligjit nuk merren parasysh.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme