Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas paralajmërimit të këtij të fundit se deputetët që nuk mbështesin reformën territoriale duhet t’i referohen rregullores së grupit.
Braçe, i cili ka dalë kundër variantit të reformës që pritet të votohet në Kuvend, në një intervistë për Reportë Tv e bëri të qartë se nuk trembet nga masat që mund të merren ndaj tij për shkak të votës kundër.
“Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra dhe më tregojnë mua rregulloren!”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist iu rikthye paralajmërimit për rregulloren edhe më tej, duke pyetur hapur se çfarë pasoje mund të ketë për të kundërshtimi i reformës.
“I gjithë ky proces ka nevojë për qetësi, jo për hakërrime. Shikojeni te rregullorja se ç’do pësojnë këta! Ç’do pësoj unë?”, tha ai.
Përplasja vjen vetëm pak ditë përpara votimit të reformës territoriale në Kuvend. Braçe zbuloi se reforma është diskutuar për herë të parë në grupin parlamentar socialist vetëm tre ditë përpara votimit, pavarësisht se e konsideron atë një nga reformat më të rëndësishme të mandatit.
Sipas tij, megjithëse grupi parlamentar është mbledhur disa herë, deputetët nuk kanë marrë më parë informacion të mjaftueshëm për ndarjen e re territoriale.
“Jemi mbledhur disa herë dhe s’kemi marrë asnjë rresht informacion për këtë reformë. Më vjen keq, por mënyra si është organizuar ky diskutim lë shumë për të dëshiruar”, u shpreh Braçe.
Ai këmbënguli se kundërshtimi i tij nuk lidhet me interesa personale, por me mënyrën se si është hartuar reforma dhe me parimet mbi të cilat ajo duhet të mbështetet.
“Reformën e mbajnë në këmbë parimet, jo votat. Parimet lidhen drejtpërdrejt me interesat e njerëzve. Pse janë shkelur? Pse nuk është i njëjti parim i zbatuar njësoj?”, tha deputeti socialist.
Braçe ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi kompetencat dhe financimin e bashkive, duke kërkuar që transferimi i funksioneve nga pushteti qendror të shoqërohet edhe me fondet përkatëse. Sipas tij, një reformë territoriale duhet të synojë përmirësimin real të qeverisjes vendore dhe jo thjesht ndryshimin e kufijve të bashkive.
Qëndrimi i Braçes merr peshë edhe për shkak të numrave në Kuvend. Reforma territoriale kërkon të paktën 84 vota për t’u miratuar. Pas largimit të Marjana Koçekut nga grupi parlamentar, socialistët kanë 82 vota, ndërsa pritet të mbështeten edhe nga tre deputetët e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Në këtë situatë, vota e Braçes dhe ajo e deputetit tjetër socialist Vullnet Sinaj, i cili gjithashtu ka kundërshtuar reformën, marrin një rëndësi të veçantë në votimin në Kuvend.






















