Një debat i ashpër është zhvilluar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, pasi deputeti Olsi Komici, ish-anëtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në procesin e vettingut, iu referua disa deputetëve demokratë me shprehjen “5 demokratë të qelbur”.
Përplasja nisi gjatë diskutimeve për filmimin me telefon të mbledhjes. Në një moment, Komici reagoi ndaj pranisë së telefonit në sallë dhe u dëgjua të thoshte: “5 demokratë të qelbur”, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës.
“Kujt i thua të qelbur ti?! Të kesh turp se je edhe deputet Kuvendi. Turp të të vijë”, iu drejtua një deputete demokrate Komicit.
Komici u përpoq ta zhvendoste debatin te filmimi me telefon, duke thënë se deputetja po filmonte mbledhjen. “Turp të të vijë, nxjerr telefonin e filmon aty”, tha ai, ndërsa në sallë vijuan replikat.
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, ndërhyri disa herë për të qetësuar situatën, duke theksuar se mbledhja ishte e hapur dhe se filmimi nuk ndalohej, por sipas tij duhej ruajtur etika parlamentare.
“Mbledhja është e hapur, ju mund të filmoni çdo gjë, por etikë nuk është. Vota jonë është publike, edhe votimi është i hapur”, tha Manja.
Në debat u përfshi edhe deputeti Gent Strazimiri, i cili kërkoi që Komici të kërkonte falje publikisht për fyerjen ndaj deputetëve demokratë.
“Problem etik nuk ka nëse mban telefonin hapur dhe filmon. Problem etik është që ky që kam unë përballë të thotë ‘5 demokratë të qelbur’. Tani kërkohet falje publikisht për gjënë”, tha Strazimiri.
Ai kërkoi gjithashtu që fyerja të shënohej në procesverbalin e mbledhjes.
Pas tensioneve, Komici mori fjalën dhe kërkoi falje vetëm për njërin prej deputetëve të pranishëm, Mehdi Lekën, duke refuzuar në fakt një ndjesë të përgjithshme për opozitën.
“Në lidhje me sa u shpreha, i kërkoj falje vetëm zotit Mehdi Leka aty, bashkëpatriotit tim, se të tjerët nuk i njoh, përveç disave me disa patrulla që nuk e di çfarë përfaqësojnë”, tha Komici.
Deklarata e tij e rëndoi më tej debatin, pasi në vend të një tërheqjeje të plotë, Komici e shoqëroi ndjesën e pjesshme me një tjetër koment për deputetët e opozitës.
Ngjarja ndodhi gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Ligjeve, ku tensionet politike mes mazhorancës dhe opozitës u zhvendosën nga diskutimi procedural te fyerjet personale dhe gjuha e përdorur nga deputetët në sallë.






















