
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Klodian Braho, ku në fokus kanë qenë lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm.
Ky është takimi i parë i Wendt me Klodian Brahon në cilësinë e drejtuesit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë takimit është diskutuar roli i institucioneve të pavarura në përballjen me krimin e organizuar dhe sfidat e tjera të sigurisë, si dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ambasada Amerikane bëri të ditur se lufta kundër krimit transnacional, trafikut të drogës dhe migracionit të paligjshëm janë ndër prioritetet kryesore të administratës së Presidentit Donald Trump.
Në takim është theksuar gjithashtu rëndësia e partneritetit mes dy vendeve dhe kontributi i institucioneve të pavarura në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Postimi i Ambasadës Amerikane:
Lufta kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm janë ndër prioritetet kryesore të Presidentit Donald Trump.
Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rëndësinë e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe mënyrën se si partneriteti ynë kontribuon në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dyja vendet.






















