Bota 5 October 2026, 22:10 Nga VNA

Murtaja e dyshuar në Rusi, BE në gatishmëri: Po monitorojmë nga afër situatën

Ndaje në Whatsapp
Murtaja e dyshuar në Rusi, BE në gatishmëri: Po monitorojmë

Bashkimi Evropian po monitoron nga afër situatën në Rusi, pas raportimeve për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike në lindje të vendit, ku një punonjëse laboratori 28-vjeçare humbi jetën.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, deklaroi të hënën se autoritetet evropiane janë në dijeni të raportimeve dhe janë në kontakt me ekspertët e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“Jemi në dijeni të raporteve në lidhje me incidentin në laborator në Rusi, që me sa duket përfshin një patogjen që shkakton murtajën. Jemi në kontakt me ekspertët tanë nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe monitorojmë nga afër atë që po ndodh”, deklaroi Hrncirova.

Edhe autoritetet amerikane po ndjekin zhvillimet. Zyrtarë amerikanë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se po monitorojnë situatën dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve ruse që të ndajnë informacion të saktë, në mënyrë të shpejtë dhe transparente.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur gjithashtu se është në dijeni të raportimeve për vdekjen dhe po përpiqet të verifikojë detajet e rastit.

“Bazuar në informacionin jozyrtar të disponueshëm, rreziku për shëndetin publik të popullatës së përgjithshme duket të jetë i ulët”, deklaroi një zëdhënës i OBSH-së, duke theksuar se vlerësimi i rrezikut do të përditësohet sapo të sigurohen të dhëna të tjera.

Në qendër të rastit është një punonjëse 28-vjeçare e Institutit Kundër Murtajës në Irkutsk të Siberisë dhe Lindjes së Largët. Ajo u sëmur dhe më pas ndërroi jetë nga ajo që dyshohet se mund të ketë qenë murtajë pneumonike.

Megjithatë, autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë si shkakun e vdekjes. Rospotrebnadzor, institucioni rus përgjegjës për mbikëqyrjen në fushën e shëndetit dhe mbrojtjes së konsumatorit, ka deklaruar se punonjësja vdiq nga “pneumonia me etiologji të panjohur”.

Sipas autoriteteve ruse, në mostrat e pacientes së ndjerë nuk është identifikuar asnjë mikroorganizëm i lidhur me aktivitetin e saj profesional. Pas vdekjes së 28-vjeçares, më shumë se 200 persona janë vendosur nën vëzhgim.

Guvernatori i rajonit të Irkutskut, Igor Kobzev, deklaroi se autoritetet kanë identifikuar dhe ekzaminuar personat që kishin pasur kontakt me pacienten, të cilët janë vendosur nën mbikëqyrje mjekësore. Sipas tij, gjatë ditëve të fundit asnjë punonjës tjetër i institutit kundër murtajës nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Murtaja është një sëmundje infektive e shkaktuar nga bakteri Yersinia pestis, i cili zakonisht gjendet te gjitarët e vegjël dhe pleshtat e tyre. Sipas OBSH-së, sëmundja nuk është regjistruar në Evropë prej më shumë se 50 vjetësh, ndërsa raste vazhdojnë të shfaqen në pjesë të Amerikës, Afrikës dhe Azisë.

Murtaja pneumonike konsiderohet forma më ngjitëse e sëmundjes, pasi mund të transmetohet nga një person te tjetri përmes pikëzave respiratore. Periudha e inkubacionit është e shkurtër dhe simptomat, mes tyre kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje, mund të shfaqen brenda një kohe të shkurtër pas infektimit.

Pa trajtim të shpejtë me antibiotikë, murtaja pneumonike mund të jetë fatale. Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar se vdekja e punonjëses së laboratorit është shkaktuar nga kjo sëmundje, ndërsa institucionet ndërkombëtare shëndetësore vijojnë të monitorojnë dhe verifikojnë informacionet mbi rastin.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme