Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e dy shtetasve me origjinë shqiptare është regjistruar në zonën e Nea Peramos, në Kavallë të Greqisë.
Viktimat janë identifikuar si Ardit Elezi, 34 vjeç, dhe Mariglen Nofulla, 36 vjeç. Sipas raportimeve të mediave lokale, dy shqiptarët ishin miq. Motori që drejtohej nga 34-vjeçari Ardit Elezi është përplasur fuqishëm me monopatinën elektrike me të cilën udhëtonte 36-vjeçari Mariglen Nofulla. Përplasja u shkaktoi të dy drejtuesve plagë të rënda.
Elezi humbi jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa Nofulla u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës. Për shkak të gjendjes së rëndë, 36-vjeçari u shtrua në Repartin e Terapisë Intensive.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, Mariglen Nofulla nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë natës.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të aksidentit. Deri më tani nuk janë bërë publike të dhëna të tjera mbi shkaqet që çuan në përplasjen fatale.






















