Bota 4 October 2026, 08:21 Nga VNA

Fuqia e Iranit për të ushtruar presion përmes Hormuzit po zbehet, por nuk është zhdukur

Ndaje në Whatsapp

Fuqia e Iranit për të ushtruar presion përmes Hormuzit po zbehet,

Niveli i transportit të naftës së papërpunuar nga Gjiri Persik është rikthyer pranë niveleve të para fillimit të luftës, por të dhënat e fundit tregojnë se një pjesë e madhe e naftës po arrin në tregje përmes rrugëve dhe mënyrave të transportit që nuk ekzistonin para luftës.

Kjo ka ngritur pyetjen nëse Irani po e humb ndikimin e tij në Ngushticën e Hormuzit.

Të paktën 16.5 milionë fuçi naftë të papërpunuar në ditë dolën nga rajoni midis 1 dhe 28 shtatorit, duke arritur mesataren e para fillimit të luftës nëse largohet Irani nga llogaritja, sipas kompanisë së analizave të tregjeve të mallrave Kpler.

Por, ndërsa nivelet e naftës së papërpunuar janë rritur, ende po vazhdon pengesa në rafineri e cila ka shkaktuar rritje globale të çmimeve të naftës dizel.

Të dhënat e Bashkimit Evropian, të publikuara më 1 tetor, treguan se çmimet e dizelit në pompa kanë arritur nivele rekord. Çmimet janë rritur ndjeshëm edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht rimëkëmbjes së eksporteve të naftës.

Ndërkohë, rruga ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

Para luftës, 83 për qind e naftës së papërpunuar të rajonit kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit. Në shtator, 40 për qind e saj e anashkaloi ngushticën, ndërsa nafta u transportua përmes tubacioneve dhe rrugëve të tjera përmes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Rreth 60 për qind, ose 9.9 milionë fuçi në ditë, kaluan fizikisht përmes Hormuzit.

Kpler tha se më shumë se 70 për qind e naftës së papërpunuar që kaloi përmes ngushticës në gusht – muaji i fundit për të cilin ka të dhëna – u transferua nga njëra anije në tjetrën në det të hapur në Gjirin e Omanit, që tregon se sa larg është sistemi aktual nga transporti normal tregtar.

Për Iranin, rimëkëmbja është një shenjë se aftësia e tij për të ndërprerë qarkullimin në këtë rrugë ujore është dobësuar ndjeshëm.

Mohammad Ghaedi, ligjërues në George Washington University, i tha Radios Farda të REL-it se niveli aktual i trafikut tashmë ishte i tepërt për Teheranin dhe “i papranueshëm” për autoritetet atje.

Por, shifrat nuk nënkuptojnë se Irani thjesht e ka humbur kontrollin mbi Hormuzin.

Në radhë të parë, Teherani nuk e ka kontrolluar zyrtarisht ngushticën. Ndikimi i tij është përqendruar në aftësinë për ta bërë kalimin të rrezikshëm, duke i detyruar kompanitë e transportit detar të peshojnë rreziqet dhe kostot e hyrjes në Gjirin Persik.

Kjo aftësi duket se është dobësuar, ndërsa forcat amerikane ofrojnë mbrojtje për transportin tregtar detar dhe kompanitë zhvillojnë mënyra për ta transportuar naftën duke kufizuar ekspozimin e tyre ndaj ngushticës.

Ellen R. Wald, autore dhe analiste e tregjeve të energjisë, i tha REL-it se “aftësia dhe/ose vullneti i Iranit për të sulmuar anijet në Gjirin Persik po bie”, duke u mundësuar anijeve të kalojnë nën mbrojtjen ushtarake amerikane.

Por, ajo paralajmëroi se rimëkëmbja e qarkullimit nuk duhet të ngatërrohet me rikthimin në normalitet.

Disa kompani të transportit detar po pranojnë rreziqe të konsiderueshme për ta transportuar në mënyrë efektive naftën përmes ngushticës drejt anijeve më të mëdha që presin jashtë Gjirit. Të tjera operojnë pa sigurim ose në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Kjo nuk është një rikthim në normalitet”, tha Wald. “Këto janë rreziqe të konsiderueshme dhe shoqërohen me kosto të larta.”

Dhe kjo është arsyeja pse çmimet e naftës nuk po bien shumë, pavarësisht rritjes së qarkullimit të naftës.

Rimëkëmbja e qarkullimit të naftës së papërpunuar ka ulur një pjesë të presionit të menjëhershëm mbi furnizimet globale, por Wald nuk pret që çmimet e naftës të kthehen ende në nivelet e para luftës.

Kërcënimi i vazhdueshëm ndaj anijeve, kostot e larta të sigurimit dhe varësia nga mbrojtja ushtarake amerikane nënkuptojnë se një “kosto e luftës” mbetet e përfshirë në çmimin e naftës.

Të dhënat e fundit të Kpler tregojnë gjithashtu pse rimëkëmbja e eksporteve nuk duhet të ngatërrohet me rikthimin e sistemit të vjetër të tregtimit të naftës në Gjirin Persik.

Para luftës, pothuajse të gjitha eksportet e naftës së papërpunuar të rajonit vareshin nga Hormuzi. Tani, tubacionet, rrugët përmes Detit të Kuq dhe transferimet e naftës nga njëra anije në tjetrën në det të hapur po u ndihmojnë prodhuesve ta anashkalojnë pikën e ngushtë të kalimit.

Kpler tha se sistemi i eksportit të rajonit është rindërtuar në mënyrë efektive rreth kësaj pengese.

Sa më shumë naftë që transportohet pa u ndaluar, aq më e dobët bëhet aftësia e Teheranit për ta përdorur Hormuzin si mjet presioni. Por, masat e jashtëzakonshme që nevojiten për ta mbajtur këtë naftë në qarkullim tregojnë gjithashtu se ngushtica mbetet burim ndikimi.

Ghaedi tha se nuk beson se Irani ka gjasa ta sulmojë infrastrukturën energjetike rajonale, pavarësisht komenteve nga Teherani se mund të përshkallëzojë situatën duke goditur objektet e naftës.

Ai argumentoi se raportet që e paraqesin Iranin si ta ketë humbur kontrollin mbi Hormuzin mund të rrezikojnë ta provokojnë një reagim të tillë.

Për momentin, megjithatë, të dhënat tregojnë për një dobësim gradual dhe jo për një zhdukje të plotë të ndikimit të Iranit.

Dhe për sa kohë që anijet ende kanë nevojë për mbrojtje ushtarake, rrugë të pazakonta dhe mënyra të kushtueshme alternative për ta transportuar atë naftë, Hormuzi mbetet një pikë e cenueshme për Uashingtonin, edhe nëse Irani nuk është më në gjendje të ushtrojë të njëjtin nivel presioni mbi të që kishte në kulmin e luftës./ REL

Video

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

Sërish momente tensioni para përballjes mes Irlandës dhe Izraelit. Gjatë himnit kombëtar izraelit, për të dytën herë, futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur, në një gjest proteste ndaj Izraelit për shkak të genocidit në Gaza. Tensionet u reflektuan edhe në ceremoninë para ndeshjes, me kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz që nuk shtrënguan duart. Ky ishte rasti i dytë brenda një jave që mes dy skuadrave mungoi shtrëngimi tradicional i duarve. Të dyja kombëtaret mbanin gjithashtu shirita të zinj, por me simbolikë të ndryshme: Izraeli në kujtim të viktimave të 7 tetorit, ndërsa Irlanda në nderim të të gjitha jetëve të humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Tensione janë regjistruar në Berlin, ku policia gjermane ndërhyri gjatë një proteste ku merrnin pjesë edhe mbështetës të Palestinës. Pamjet e publikuara nga TRT Haber tregojnë forca të shumta policie mes turmës dhe momente përplasjesh me protestuesit. Tubimi ishte pjesë e një demonstrate më të gjerë kundër luftës, riarmatimit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve protestuan edhe kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kur ke pasur Lulin mësues matematike në gjimnaz

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme