Bota 3 October 2026, 09:20 Nga VNA

Netanyahu e kishte gati versionin para hetuesve/ Haaretz: Si incidenti i Flydubai u kthye në mjet propagande

Ndaje në Whatsapp
Netanyahu e kishte gati versionin para hetuesve/ Haaretz: Si incidenti i

Incidenti dramatik në fluturimin FZ1073 të Flydubai nuk kishte përfunduar ende së zbardhuri, kur në Izrael kishte nisur tashmë beteja për interpretimin e tij. Një avion që për pak mund të kishte përfunduar në katastrofë u kthye brenda pak orësh edhe në një histori politike, me Benjamin Netanyahun në qendër.

Këtë mekanizëm përpiqet të zbërthejë gazetari Yossi Verter në një analizë të publikuar në Haaretz me titullin domethënës: “Makineria e spin-it të Netanyahut për Flydubai kaloi në xhiro të plota. Pastaj erdhi realiteti.”

Faktet bazë të incidentit nuk vihen në diskutim. Gjatë fluturimit Dubai–Tel Aviv, bashkëpiloti nga Omani dyshohet se sulmoi kapitenin indian Smit Machchhar dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit. Avioni humbi me shpejtësi mijëra metra lartësi, ndërsa kapiteni, edhe pse i plagosur, arriti të hapte derën e kabinës. Pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit ndërhynë dhe neutralizuan bashkëpilotin, ndërsa pilotë të tjerë që ndodheshin në bord morën drejtimin. Avioni u ul në Tabuk, në Arabinë Saudite.

Ajo që nuk ishte përcaktuar ende ishte motivi.

Pikërisht këtu nis problemi që ngre Haaretz. Ndërsa autoritetet po përpiqeshin të përcaktonin nëse kishin përballë një akt terrorist, një radikalizim individual apo një motiv tjetër, Netanyahu kishte dalë publikisht me një interpretim shumë më të prerë. Ai e lidhi bashkëpilotin me radikalizimin islamist dhe e përshkroi si person me synime vetëvrasëse.

Pra, hetimi kërkonte ende përgjigjen e pyetjes “pse?”, ndërsa politika e kishte dhënë atë.

Sipas Verterit, aparati i komunikimit të Netanyahut u vu menjëherë në lëvizje. Kryeministri kontaktoi njerëzit që kishin ndërhyrë në avion, takoi publikisht Yaniv Hayun, një prej pasagjerëve që ndihmoi në neutralizimin e bashkëpilotit, dhe episodi nisi të ndërtohej publikisht si një tjetër dëshmi e kërcënimit terrorist ndaj izraelitëve.

E gjithë kjo ndodhte në një moment veçanërisht të ndjeshëm politik, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit. Për Haaretz, kjo kronologji është thelbësore për të kuptuar shpejtësinë me të cilën një incident ende nën hetim u fut në narrativën politike të kryeministrit.

Por ndërsa kalonin orët, dolën detaje që e bënin historinë më pak të thjeshtë.

Netanyahu ngriti vetë pyetjen se si një shtetas i Omanit, vend që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin, mund të ishte pjesë e ekuipazhit të një avioni që fluturonte drejt Tel Avivit. Ai argumentoi se pilotë nga vende të tilla nuk duhet të lejohen të kryejnë fluturime drejt Izraelit.

Por kjo deklaratë hapte njëkohësisht një pyetje të pakëndshme për vetë sistemin izraelit të sigurisë: nëse kombësia e pilotit përbënte një rrezik të njohur, si ishte lejuar ai të fluturonte drejt Tel Avivit?

Edhe mënyra se si u shmang katastrofa nuk përputhej plotësisht me një histori suksesi të aparatit të sigurisë. Nuk ishte një shërbim inteligjence që kishte zbuluar paraprakisht një komplot dhe as një operacion izraelit që kishte neutralizuar rrezikun. Sipas të dhënave të deritanishme, avioni u shpëtua nga kapiteni i plagosur, anëtarët e ekuipazhit, pasagjerët që ndërhynë dhe pilotët e tjerë që ndodheshin në bord.

Më pas erdhi edhe episodi saudit.

Izraeli përgatiti avionë ushtarakë për të marrë pasagjerët e tij nga Tabuku, por Arabia Saudite nuk lejoi hyrjen e avionëve izraelitë në territorin e saj. Pasagjerët u kthyen më pas me një avion të Flydubai. Edhe ky zhvillim ishte më pak triumfal sesa atmosfera që ishte krijuar në orët e para pas incidentit.

Analiza e Haaretz nuk pretendon se ngjarja ishte e sajuar. Nuk vë në dyshim as seriozitetin e asaj që ndodhi në kabinën e FZ1073. Përkundrazi, pikërisht sepse incidenti ishte real dhe mund të kishte përfunduar me pasoja katastrofike, Verter vendos nën lupë shpejtësinë me të cilën ai u përvetësua politikisht.

Në qendër mbetet një pyetje e thjeshtë: si mund ta dinte politika motivin e bashkëpilotit përpara se hetimi ta kishte përcaktuar atë?

Hetuesit duhet ende të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me një akt terrorist të planifikuar, me radikalizim individual apo me një tjetër motiv. Deri atëherë, ekziston një dallim që nuk mund të kapërcehet: ajo që ndodhi në avion është një gjë; arsyeja pse ndodhi është një tjetër.

Dhe pikërisht këtu qëndron thumbi i analizës së Yossi Verter: në historinë e Flydubai, makineria politike u nis përpara se faktet të kishin zënë vend. Pastaj erdhën faktet.

Video

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

Sërish momente tensioni para përballjes mes Irlandës dhe Izraelit. Gjatë himnit kombëtar izraelit, për të dytën herë, futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur, në një gjest proteste ndaj Izraelit për shkak të genocidit në Gaza. Tensionet u reflektuan edhe në ceremoninë para ndeshjes, me kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz që nuk shtrënguan duart. Ky ishte rasti i dytë brenda një jave që mes dy skuadrave mungoi shtrëngimi tradicional i duarve. Të dyja kombëtaret mbanin gjithashtu shirita të zinj, por me simbolikë të ndryshme: Izraeli në kujtim të viktimave të 7 tetorit, ndërsa Irlanda në nderim të të gjitha jetëve të humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Tensione janë regjistruar në Berlin, ku policia gjermane ndërhyri gjatë një proteste ku merrnin pjesë edhe mbështetës të Palestinës. Pamjet e publikuara nga TRT Haber tregojnë forca të shumta policie mes turmës dhe momente përplasjesh me protestuesit. Tubimi ishte pjesë e një demonstrate më të gjerë kundër luftës, riarmatimit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve protestuan edhe kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kur ke pasur Lulin mësues matematike në gjimnaz

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme