Një projektligj dypartiak për Serbinë është dorëzuar në Senatin amerikan, me nismën e senatorit republikan Chuck Grassley dhe demokratit Richard Blumenthal. Dokumenti, i regjistruar si S.5611, synon të forcojë sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe mekanizmat e llogaridhënies në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Projektligji është lexuar dy herë në Senat dhe më pas i është referuar Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Sipas njoftimit të dy senatorëve, nisma synon të adresojë atë që ata e përshkruajnë si regres demokratik në Serbi, trajtimin e protestave studentore dhe qytetare, si dhe ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Iranit në vend. Projektligji parashikon ndër të tjera përdorimin e mekanizmave ekzistues të sanksioneve ndaj individëve të përfshirë në korrupsion, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ose veprime që dëmtojnë institucionet demokratike apo kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër element i nismës lidhet me ndihmën amerikane për Serbinë. Sipas përshkrimit të publikuar nga senatorët, asistenca shtesë amerikane do të lidhej me një certifikim presidencial se Serbia ka bërë përparim të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në fusha si përgjegjshmëria e sistemit gjyqësor, liria e medias dhe përafrimi me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Projektligji parashikon gjithashtu shqyrtimin e ndikimit rus dhe kinez në Serbi, përmes një raporti drejtuar Kongresit mbi lidhjet politike, ekonomike, energjetike dhe të sigurisë të Beogradit me Moskën dhe Pekinin. Në të njëjtën kohë, kërkohet një strategji më e detajuar për angazhimin amerikan me Serbinë.
Nisma e paraqitur në Senat vjen pas një projektligji të ngjashëm të dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve nga republikani Joe Wilson dhe demokrati William Keating. Në njoftimin e tyre, ligjvënësit amerikanë argumentuan se masat synojnë të forcojnë institucionet demokratike dhe të vendosin mekanizma llogaridhënieje në marrëdhëniet SHBA-Serbi.
Wilson reagoi edhe në rrjetin X, duke falënderuar senatorët Grassley dhe Blumenthal për paraqitjen e projektligjit në Senat dhe duke deklaruar se zgjedhjet në Serbi duhet të jenë të lira dhe të drejta.
Projektligji vjen në një moment të ndjeshëm për Serbinë, ndërsa vendi pritet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 25 tetor 2026. Sipas njoftimit të senatorëve, çështjet që lidhen me demokracinë, protestat qytetare dhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë e Kinën janë ndër temat kryesore të adresuara nga nisma.
Projektligji është ende në fazën e shqyrtimit në Kongres dhe nuk përbën ligj në fuqi. Për t'u bërë ligj federal, një nismë e tillë duhet të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas t'i dërgohet presidentit për nënshkrim.






















