Bisedimet mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe Rusisë për luftën në Ukrainë janë zgjeruar edhe në fushën ekonomike, me në qendër një marrëveshje shumë-miliardëshe për asetet ndërkombëtare të kompanisë ruse të naftës Lukoil.
Sipas “The New York Times”, të cituar edhe nga Reuters, presidenti rus Vladimir Putin e ka ngritur çështjen gjatë takimit me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Kremlin më 5 shtator. Sipas raportimit, Putin e ka paraqitur një marrëveshje të tillë si një mënyrë për të treguar se marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Rusisë mund të rikthehen.
Marrëveshja do të përfshinte portofolin ndërkombëtar të Lukoil, që përfshin fusha nafte, rafineri dhe pika karburanti në vende të ndryshme. Çdo transaksion do të kërkonte miratimin e qeverisë amerikane dhe të Kremlinit.
Në garë për blerjen e këtyre aseteve raportohet se është një grup i udhëhequr nga investitori amerikan Todd Boehly, i cili ka dhënë kontribute financiare për kauza politike të lidhura me Trumpin. Në grup përfshihen gjithashtu investitorë nga Lindja e Mesme dhe një strukturë e qeverisë amerikane.
Sipas raportimit të “The New York Times”, disa prej investitorëve të Lindjes së Mesme kanë pasur më herët marrëdhënie biznesi me Jared Kushnerin ose familjen e Steve Witkoff. Këto lidhje kanë sjellë pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit, megjithëse nuk ka tregues të raportuar se Witkoff apo Kushner do të përfitonin personalisht nga një transaksion i tillë.
Një prej grupeve të përmendura është një grup biznesi me bazë në Katar, ndërsa në garë raportohet se është edhe një fond investimesh nga Abu Dhabi i lidhur me Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan.
Çështja e Lukoil nuk është e re. Kompania ruse njoftoi në tetor 2025 se kishte nisur procesin e shitjes së aseteve të saj ndërkombëtare për shkak të sanksioneve. Në janar 2026, Lukoil njoftoi një marrëveshje me kompaninë amerikane të investimeve Carlyle për shitjen e Lukoil International GmbH, por transaksioni mbeti i kushtëzuar nga miratimet rregullatore, përfshirë autorizimin e OFAC.
Edhe aktualisht, Departamenti amerikan i Thesarit lejon negociatat dhe marrëveshjet e kushtëzuara për asetet ndërkombëtare të Lukoil, por shitja përfundimtare kërkon autorizim të veçantë nga OFAC. Licenca për negociatat është zgjatur deri më 22 tetor 2026.
Kështu, marrëveshja e mundshme për Lukoil është bërë pjesë e një diskutimi shumë më të gjerë mes Washingtonit dhe Moskës për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike, ndërsa administrata Trump vijon negociatat me Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë.
Për momentin, nuk ka një marrëveshje përfundimtare për shitjen e aseteve të Lukoil dhe as një vendim që përcakton se cili grup do t'i blejë ato. Çdo transaksion mbetet i kushtëzuar nga miratimet përkatëse amerikane dhe ruse.






















