Bota 3 October 2026, 16:01 Nga VNA

Helikopterë, tanke dhe ushtarë të armatosur në rrugët e Hamburgut, Gjermania simulon skenarin e luftës me Rusinë

Ndaje në Whatsapp
Helikopterë, tanke dhe ushtarë të armatosur në rrugët e

Në mesnatë, rrugët e një lagjeje të banuar në Hamburg u kthyen në skenën e një operacioni të pazakontë ushtarak. Zhurma e helikopterëve u shoqërua me lëvizjen e kolonave të automjeteve ushtarake, ndërsa ushtarë të Bundeswehr-it, të pajisur me automjete të blinduara dhe të armatosur me mitralozë, përshkuan qytetin.

Bëhej fjalë për stërvitjen “Red Storm Charlie”, një operacion i përbashkët ku Bundeswehr-i, policia dhe organizatat civile testuan gatishmërinë e tyre për një situatë emergjente. Skenari parashikonte një përshkallëzim të kërcënimit në krahun lindor të NATO-s.

Në portin e Hamburgut, porti më i madh i Gjermanisë, u simulua zbarkimi i trupave të NATO-s, të përfaqësuara në këtë rast nga ushtarë gjermanë. Pas zbarkimit, trupat nisën lëvizjen drejt lindjes përmes qytetit, ndërsa skenari përfshinte edhe përpjekje për sabotim dhe protesta që pengonin përparimin e tyre.

Stërvitja u zhvillua nga 24 deri më 26 shtator dhe përfshiu rreth 1,700 persona, mes tyre rreth 500 ushtarë. Sipas “Deutsche Welle”, ajo ishte stërvitja më e madhe e këtij lloji e zhvilluar deri tani në Gjermani.

Operacioni është pjesë e “Operationsplan Deutschland”, planit operativ me të cilin Gjermania përgatitet për një situatë të rëndë sigurie dhe për rolin që do të kishte vendi në rast të një konflikti të madh në Evropë. Dokumenti është konfidencial dhe përfshin mënyrën se si Gjermania do të mundësonte lëvizjen e trupave, pajisjeve dhe furnizimeve të NATO-s.

Në një skenar lufte ose krize, Gjermania do të shërbente si një nga qendrat kryesore logjistike të aleancës. Trupat aleate do të mund të mbërrinin përmes porteve gjermane dhe më pas të transportoheshin drejt lindjes, në drejtim të krahut lindor të NATO-s.

Sipas përllogaritjeve të përmendura nga “Deutsche Welle”, në një periudhë gjashtëmujore mund të kalonin përmes territorit gjerman rreth 800 mijë ushtarë dhe 200 mijë automjete. Në drejtimin e kundërt do të mund të organizohej edhe transporti i të plagosurve, civilëve të zhvendosur dhe personave të evakuuar nga zonat e konfliktit.

Një prej shqetësimeve kryesore të autoriteteve gjermane është rreziku i sabotazheve dhe sulmeve hibride. Plani operativ është hartuar pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe është përditësuar në bazë të përvojës së fituar nga stërvitjet e ndryshme ushtarake.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar vazhdimisht për rritjen e kërcënimeve ndaj Gjermanisë, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe sabotazhet ndaj infrastrukturës kritike.

Për këtë arsye, përgatitjet nuk kufizohen vetëm te ushtria. Në rast krize do të kërkohej bashkëpunimi i policisë, autoriteteve lokale, komunave, institucioneve civile dhe organizatave humanitare.

Një tjetër problem i evidentuar është infrastruktura. Disa ura, rrugë dhe korridore transporti në Gjermani janë të vjetruara dhe nuk janë projektuar për lëvizjen e sasive të mëdha të pajisjeve të rënda ushtarake.

Megjithatë, autoritetet gjermane e paraqesin planifikimin dhe stërvitjet si pjesë të masave parandaluese. Qëllimi është që Gjermania dhe NATO të jenë në gjendje të reagojnë shpejt në rast të një krize dhe të përforcojnë krahun lindor të aleancës nëse lind një kërcënim.

Video

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

Sërish momente tensioni para përballjes mes Irlandës dhe Izraelit. Gjatë himnit kombëtar izraelit, për të dytën herë, futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur, në një gjest proteste ndaj Izraelit për shkak të genocidit në Gaza. Tensionet u reflektuan edhe në ceremoninë para ndeshjes, me kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz që nuk shtrënguan duart. Ky ishte rasti i dytë brenda një jave që mes dy skuadrave mungoi shtrëngimi tradicional i duarve. Të dyja kombëtaret mbanin gjithashtu shirita të zinj, por me simbolikë të ndryshme: Izraeli në kujtim të viktimave të 7 tetorit, ndërsa Irlanda në nderim të të gjitha jetëve të humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Tensione janë regjistruar në Berlin, ku policia gjermane ndërhyri gjatë një proteste ku merrnin pjesë edhe mbështetës të Palestinës. Pamjet e publikuara nga TRT Haber tregojnë forca të shumta policie mes turmës dhe momente përplasjesh me protestuesit. Tubimi ishte pjesë e një demonstrate më të gjerë kundër luftës, riarmatimit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve protestuan edhe kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kur ke pasur Lulin mësues matematike në gjimnaz

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme