Një operacion urgjent shpëtimi është zhvilluar mëngjesin e së shtunës në Adriatik, pasi një 49-vjeçare me origjinë shqiptare pësoi ishemi cerebrale ndërsa udhëtonte me traget nga Greqia drejt Ankonës.
Ngjarja ndodhi në bordin e tragetit Ro-Pax “Superfast IX”, i cili në momentin e alarmit ndodhej rreth 68 milje detare larg brigjeve të Pescara-s. Rreth orës 10:00, salla operative e Drejtorisë Detare të Pescara-s mori kërkesën për evakuimin urgjent mjekësor të pasagjeres.
Pas vlerësimit të gjendjes së 49-vjeçares, Qendra Ndërkombëtare Radio-Mjekësore (CIRM) rekomandoi transportimin e saj të menjëhershëm në tokë. Trageti u urdhërua të ndryshonte kurs dhe të lëvizte me shpejtësinë maksimale drejt Pescara-s, ndërsa Roja Bregdetare italiane nisi drejt tij motovedetën CP 828 dhe helikopterin Nemo 20 të Seksionit të Tretë të Helikopterëve të Pescara-s.
Pasi helikopteri arriti tragetin në det të hapur, nisi operacioni për nxjerrjen e pasagjeres. Me ndihmën e një specialisti të shpëtimit detar, 49-vjeçarja u ngrit nga anija në helikopter nëpërmjet vinçit të bordit.
Operacioni përfundoi rreth orës 11:40. Sipas autoriteteve italiane, gruaja ishte në gjendje të qëndrueshme, por kishte nevojë për trajtim të vazhdueshëm të specializuar.
Helikopteri u nis menjëherë drejt spitalit të Chieti-t, ku rreth orës 12:00 shqiptarja iu dorëzua personelit mjekësor për trajtim të mëtejshëm.






















