Gazeta britanike The Guardian i ka kushtuar një shkrim të gjatë bumit të ndërtimeve në Shqipëri, duke e vendosur në qendër të debatit ndërkombëtar transformimin e vendit përmes kullave, resorteve luksoze dhe projekteve të dhjetëra studiove të huaja arkitekturore.
Me titullin “Starchitects go home”, që në shqip përkthehet “Arkitektë të famshëm, shkoni në shtëpi”, artikulli e përshkruan Shqipërinë si një laborator të madh ndërtimi, ku më shumë se 60 studio ndërkombëtare kanë propozuar mbi 500 projekte në të gjithë vendin, nga Tirana deri në bregdet.
Në qendër të shkrimit është libri “The Albanian Files”, një botim prej 800 faqesh dhe 2.2 kilogramësh, ku janë përmbledhur projektet e këtyre studiove ndërkombëtare. Sipas The Guardian, libri është një dokument i jashtëzakonshëm jo vetëm për atë që synon të tregojë, por edhe për atë që zbulon pa dashje: mënyrën se si po projektohet Shqipëria nga një rreth arkitektësh të huaj, pa praninë e studiove shqiptare në këtë panoramë.
Kryeministri Edi Rama e përshkruan librin si një “dëshmi të çmuar nga prapaskena” të një procesi që, sipas tij, po e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar. Por për kritikët, i njëjti libër është një dosje 800-faqëshe provash për mungesën e transparencës, vendimmarrjen e mbyllur, presionin mbi trashëgiminë, dëbimet e detyruara, ndërtimet në zona të mbrojtura dhe lidhjen problematike të industrisë së ndërtimit me pastrimin e parave.
Artikulli përmend edhe një grup WhatsApp-i të quajtur “Albanian ArchArmy”, ku, sipas gazetës, bëjnë pjesë disa nga arkitektët më të njohur në botë. Aty ndahen projekte, festohen arritje dhe kryeministri përshkruhet si patroni i madh politik i këtij transformimi. Një arkitekt në New York e përshkruan situatën si një film superheronjsh: Rama jep sinjalin dhe arkitektët e famshëm të botës mblidhen për ta “shpëtuar” Shqipërinë me projekte të guximshme.
Por jashtë kësaj skene luksoze me botime të rënda, evente ekskluzive dhe arkitektë ndërkombëtarë, në Shqipëri ka pasur protesta. Në qershor, gjatë një aktiviteti në Tiranë ku u prezantua libri dhe u mblodhën shumë prej arkitektëve të përfshirë në të, protestuesit dolën me pankarta ku shkruhej “Starchitects go home” dhe “Ku është publiku?”.
Sipas The Guardian, zemërimi qytetar u shtua sidomos pas planeve për zhvillimin e zonës së mbrojtur të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit në një resort luksoz të lidhur me familjen Trump. Këto protesta, të quajtura “revolucioni i flamingove”, kanë vijuar për më shumë se 120 ditë, me thirrje gjithnjë e më të forta kundër Ramës.
Në shkrim citohet Lorin Kadiu, drejtues i platformës investigative Citizens.al, i cili thotë se situata ngjan me jetën në një “mbretëri autokratike”. Sipas tij, problemi nuk është vetëm mungesa e transparencës, por fakti se i gjithë vendi duket sikur duhet t’i nënshtrohet shijes estetike të një njeriu të vetëm.
Një nga elementët më të fortë të artikullit është ajo që Rama e quan “liria nga fjala jo”. Në parathënien e librit, kryeministri shkruan se arkitektët tërhiqen nga Shqipëria për shkak të kësaj lirie. Por pikërisht kjo fjali kthehet në pikë akuze për kritikët, të cilët pyesin nëse Shqipëria po u ofron arkitektëve të huaj mundësinë të bëjnë këtu atë që në vendet e tyre do të ndalohej, kundërshtohej ose do të bëhej e pamundur nga ligjet dhe reagimi publik.
Artikulli përmend projekte në disa prej zonave më të ndjeshme të vendit. Në Gjipe, një nga plazhet më të paprekura të jugut, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel prej xhami të pasqyruar që do të shtrihej mbi kanion. Në Rana e Hedhun përmendet një masterplan i arkitektit portugez Álvaro Siza, me teleferik dhe ndërtime pranë plazhit. Në Sarandë, Xaveer De Geyter propozon kulla të mëdha në zonën e portit, ndërsa Luca Dini prezanton projekte luksoze përgjatë bregdetit.
Në listën e emrave të përmendur janë edhe Valerio Olgiati, Kengo Kuma, Anupama Kundoo, Manuel Aires Mateus, Sam Chermayeff dhe Chris Precht. Disa prej tyre e përshkruajnë Shqipërinë si një vend ku mund të punohet më lirshëm, ku procedurat janë më të shpejta dhe ku kufizimet janë më të pakta se në vendet e tjera europiane.
Një arkitekt tregon se u kontaktua nga njerëz pranë Ramës dhe më pas iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë. Një tjetër, austriaku Chris Precht, thotë se u kontaktua direkt nga Rama në Instagram dhe sot ka 29 projekte në Shqipëri, përfshirë një projekt prej 4 milionë eurosh në oborrin e Kryeministrisë.
Nga ana tjetër, një grup arkitektësh dhe urbanistësh shqiptarë, Arkitektët Shqiptarë, e cilësojnë këtë realitet të paimagjinueshëm. Sipas tyre, një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe merr projekte pa procedurë konkurruese.
Qeveria shqiptare i mohon akuzat. Rama ka deklaruar se juritë e konkurseve janë të lira, të përbëra kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë, dhe se pala shqiptare është në pakicë. Sipas tij, nuk ka orientim apo ndikim mbi juritë. Ai e ka përshkruar Shqipërinë si “universitetin më të madh të hapur të arkitekturës”, ku arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësi të takojnë dhe të punojnë me mjeshtra ndërkombëtarë.
Por The Guardian ngre edhe pyetjen financiare: si mundet një nga vendet më të varfra të Europës të përballojë një bum kaq të madh dhe ekstravagant ndërtimesh? Artikulli përmend rritjen e fortë të çmimeve të pronave, pa një rritje të krahasueshme të pagave apo të kredive bankare, duke shtuar dyshimet për para të errëta në sektorin e ndërtimit.
Shkrimi u referohet edhe raporteve ndërkombëtare që e identifikojnë pasurinë e paluajtshme dhe turizmin në Shqipëri si sektorë të ekspozuar ndaj pastrimit të parave. Përmenden hetime të SPAK, sekuestrime pasurish dhe raste ku ndërtimi është lidhur me kapital kriminal. Artikulli thekson se nuk ka pretendim që arkitektët e përmendur të jenë të përfshirë në paligjshmëri.
Një tjetër pikë problematike është mungesa e informacionit për investitorët. Sipas shkrimit, mbi 40 për qind e projekteve të përfshira në “The Albanian Files” nuk tregojnë se kush është klienti. Kjo e shton edhe më shumë pyetjen se kush po i financon realisht këto projekte dhe pse ka kaq shumë errësirë rreth tyre.
Në fund, The Guardian e paraqet Shqipërinë si një vend ku arkitektura nuk është më vetëm çështje estetike. Ajo është bërë politikë, pushtet, territor, para dhe propagandë. Rama e sheh këtë si modernizim dhe vizion. Kritikët e shohin si një model ku vendi po vizatohet nga lart, nga një rreth i ngushtë pushteti dhe arkitektësh të huaj, ndërsa qytetarët përballen me pasojat në territor.
Libri që Rama e quan dokument të transformimit të Shqipërisë, për kundërshtarët e tij po lexohet si një dosje e hapur akuze: një album luksoz ku pas renderave të bukur shfaqen pyetjet e mëdha për transparencën, pasurinë publike, natyrën, bregdetin dhe kush po e ndërton realisht Shqipërinë.






















