Sociale 30 September 2026, 14:48 Nga VNA

Pseudo-ndërhyrja, qeveria ul akcizën vetëm pasi nafta të kalojë 220 lekë, lehtësimi nuk e shmang shtrenjtimin

Ndaje në Whatsapp

Qeveria ka vendosur të rikthejë uljen e përkohshme të akcizës për karburantet, si një masë për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve. Por skema aktivizohet vetëm pasi karburantet kanë arritur nivele të larta: mbi 220 lekë për litër për naftën dhe mbi 200 lekë për benzinën.

Sipas aktit normativ të hartuar nga Ministria e Financave, nëse kapërcehen këto kufij, akciza ulet me 20%, nga rreth 39.38 lekë në 31.50 lekë për litër.

Bashkë me efektin që ulja e akcizës sjell te TVSH-ja, qeveria llogarit një lehtësim total prej rreth 9.45 lekësh për litër.

Problemi është se kjo masë nuk e pengon çmimin të shkojë në 200 apo 220 lekë. Ulja e taksave hyn në lojë vetëm pasi këto nivele janë kapërcyer. Pra, konsumatorit nuk i rikthehen çmimet e mëparshme, por i zbutet vetëm një pjesë e rritjes.

Kjo ka ndodhur tashmë me naftën. Në relacion qeveria pranon se çmimi tavan i gazoilit ka kaluar 220 lekë për litër dhe për këtë arsye është aktivizuar akciza e reduktuar.

Për shembull, për një furnizim me 50 litra, lehtësimi teorik nga masa është rreth 472 lekë krahasuar me çmimin që do të rezultonte nëse do të zbatohej barra e plotë fiskale. Megjithatë, konsumatori vazhdon të përballet me një çmim të lartë, pasi skema aktivizohet pikërisht kur nafta ka kaluar pragun 220 lekë.

Vetë qeveria thotë se ulja e akcizës kalon te konsumatori dhe nuk mbetet si përfitim për importuesit apo tregtarët.

Qeveria pret ta kompensojë akcizën me TVSH-në
Ka edhe një tjetër element me interes. Ministria e Financave pranon se ulja e akcizës pakëson të ardhurat nga kjo taksë, por argumenton se humbja do të neutralizohet nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, pasi çmimet më të larta rrisin edhe bazën mbi të cilën llogaritet TVSH-ja.

Megjithatë, qeveria pranon se nuk mund të përllogarisë paraprakisht se sa do të jetë ky efekt, për shkak të luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.

Në thelb, masa funksionon si një amortizator: kur nafta kalon 220 lekë dhe benzina 200 lekë, shteti heq rreth 9.45 lekë për litër nga barra fiskale. Kjo e zbut rritjen, por nuk e shmang atë dhe nuk i kthen konsumatorit çmimet që paguante përpara shtrenjtimit.

Video

Revoltë në burgun “Don Bosco” të Pizës. Tensionet shpërthyen pasi disa dhjetëra të dënuar pretendojnë se zbuluan mikrokamera dhe pajisje elektronike të fshehura në qeli. Ngjarja mori vëmendje të madhe pasi u transmetua LIVE nga brenda burgut në faqen e Kozakut në TikTok, ku një i dënuar shqiptar denoncoi situatën dhe tregoi pamje nga revolta. Për disa orë një repart mbeti nën kontrollin e të burgosurve, ndërsa jashtë u mobilizuan policia, karabinierët dhe policia penitenciare. Situata raportohet se është vendosur nën kontroll, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e vendosjes së pajisjeve dhe nëse ato ishin pjesë e një procedure hetimore të autorizuar.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet në ish-qendrën e paraburgimit të Degës 215 të Inteligjencës Ushtarake Siriane në Damask, e njohur për mbajtjen e të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të qeverisë së Bashar al-Assad. Objekti është lidhur prej vitesh me akuza për tortura, keqtrajtim dhe zhdukje të detyruara të të ndaluarve. Brenda qelive vazhdojnë të jenë të dukshme shkrime në gjuhën arabe dhe ruse, të lëna në muret e ambienteve të paraburgimit.

Të paktën 50 persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror të ushtrisë mbi një treg në qytetin Kyauktaw, në shtetin Rakhine të Mianmarit. Ekipet e ndihmës paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa trupa dyshohet se janë shkrumbuar nga zjarret e shkaktuara pas bombardimit. Sulmi konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e kohëve të fundit në luftën civile të vendit. OKB-ja deklaroi se dhuna e vazhdueshme në Rakhine nuk krijon kushtet për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, përfshirë Rohingya-t. Sipas të dhënave të OKB-së, afro gjysmë milioni njerëz jetojnë të zhvendosur në Rakhine si pasojë e konfliktit.

Një ngjarje sa e pazakontë, aq edhe komike, është regjistruar në një komisariat policie në Florianópolis të Brazilit. Një i arrestuar, i ndaluar nën dyshimet për dhunë në familje, arriti të kalonte përmes hapësirës së qelisë që përdorej për dhënien e ushqimit. Pasi doli, ai nuk harroi as këpucët: i mori dhe u largua nga komisariati sikur të kishte përfunduar procedurat normalisht. “Liria” megjithatë zgjati pak. Policia e kapi sërish të arratisurin, ndërsa qelia u mbyll për modifikime sigurie, me sa duket për t’u siguruar që “sporteli i ushqimit” të mos shërbejë më edhe si derë daljeje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme