Tension i lartë në burgun “Don Bosco” të Pizës, ku disa dhjetëra të dënuar kanë nisur një protestë brenda institucionit, pasi pretendojnë se kanë gjetur në qeli mikrokamera dhe pajisje të tjera elektronike të fshehura.
Sipas mediave italiane, protesta ka nisur rreth orës 19:00 dhe për disa orë një repart i tërë ka mbetur nën kontrollin e të burgosurve. Jashtë burgut janë vendosur forca të policisë, karabinierëve dhe policisë penitenciare, ndërsa ambulanca kanë hyrë në institucion për të dhënë ndihmë pas përplasjeve të raportuara mes të dënuarve dhe efektivëve.
Ngjarja është bërë publike fillimisht përmes një transmetimi live në faqen e Kozakut në TikTok, të realizuar nga një telefon celular që ndodhej në dispozicion të të burgosurve, megjithëse pajisje të tilla janë të ndaluara në burg. Në live, një i dënuar me origjinë shqiptare ka denoncuar se një ditë më parë drejtoria i kishte nxjerrë të burgosurit nga qelitë për disa orë, me arsyetimin se po zhvillohej një “provë evakuimi”.
Pas rikthimit në qeli, sipas pretendimeve të të burgosurve, ata kanë zbuluar mikrokamera dhe pajisje të tjera të fshehura, të vendosura për qëllime hetimore. Ky zbulim ka ndezur revoltën brenda repartit, ndërsa të dënuarit kanë kërkuar takim me komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoreshën e burgut.
Gjatë transmetimit në TikTok, të burgosurit, disa prej tyre duke folur edhe shqip, kanë akuzuar policinë penitenciare se i ka goditur me shkopinj gome. Ata kanë deklaruar se kanë të drejtë “të mos përgjohen” dhe të flasin lirshëm brenda qelive pa frikën se po interceptohen.
Pranë burgut janë mbledhur edhe familjarë dhe të afërm të të dënuarve, ndërsa forcat e rendit kanë qëndruar në gatishmëri jashtë institucionit.
Sipas raportimeve të fundit nga Italia, situata është vendosur nën kontroll, por tensioni mbetet i lartë. Autoritetet pritet të sqarojnë zyrtarisht rrethanat e vendosjes së pajisjeve në qeli dhe nëse ato ishin pjesë e një procedure hetimore të autorizuar.






















