
Ish-shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit, ankimoi vendimin e Gjykatës së Posaçme dhe kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Ankimimi është depozituar ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit të Posaçëm nga avokati i saj, Kastriot Selita, përmes të cilit kërkohet zbutja e masës së sigurisë.
Hyseni ndodhet në arrest shtëpie, pasi në telefonat e Ergys Agasit janë zbuluar të dhëna dhe informacione sekrete që ish-shefja e SHISH-it ia përcillte të shumëkërkuarit, i cili dyshohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Hyseni rezulton se e informonte Agasin deri te takimet me kryeministrin e partnerët ndërkombëtarë, si dhe të dhëna të tjera sensitive. Ish-kryespiunia shqiptare, sipas SPAK-ut, e ndihmonte Ergys Agasin gjatë kohës së qëndrimit në arrati. Agasi u arrestua në gusht te Plepat, në Durrës.






















