GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për Bledar Cafin, i cili u arrestua në Shkodër në kuadër të operacionit të koduar “Muri i Lartë”, ndërsa Indrit Dokle është rishpallur në kërkim. Operacioni u zhvillua nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në Tiranë dhe Shkodër.
Cafi, 50 vjeç, u arrestua në banesën e tij në Shkodër. Sipas Policisë, ndaj tij GJKKO kishte caktuar më 25 shtator masën “arrest në burg” për dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe vepra të tjera që lidhen me grupin e strukturuar kriminal.
Nga hetimet ka zbuluar se Bledar Cafi është një prej porositësve të një ngarkese prej 427 kilogramë kokainë, sasi e cila është sekuestruar në vitin 2020 në portin e Roterdamit, Holandë.
Ngarkesa sipas prokurorisë së posaçme ishte nisur nga Ekuadori, me destinacion portin e Roterdamit, ku u sekuestrua nga autoritetet.
Në të njëjtin operacion, autoritetet ushtruan kontrolle edhe në ambientet që i përkasin Endrit, alias Indrit, Dokles. Sipas Policisë, 43-vjeçari, i cili ishte në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj të cilit ishte caktuar gjithashtu masa “arrest në burg”, nuk u gjet në banesë. Vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Operacioni “Muri i Lartë” përfshiu RENEA-n, Forcën e Posaçme Operacionale, strukturat e hetimit të narkotikëve, Policinë e Shkodrës dhe BKH-në, nën drejtimin e SPAK.






















