Pushimet familjare të katër shqiptarëve që jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kthyen në tragjedi, pasi një shpërthim i fuqishëm shkaktoi shembjen e godinës ku ata po qëndronin në Greqi.
Mes viktimave janë Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha, Eris Cani, bashkëshortja e Florin Hoxhës, dhe Ian Alexander Kirpatrick, bashkëshorti i Florida Hoxhës. Nga ngjarja humbën jetën gjithashtu pronarët e ndërtesës, Edmond Hings dhe Athina Papapresku.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, ndërsa familjarët e viktimave kanë mbërritur tashmë në Greqi, pasi janë thirrur nga autoritetet kompetente të Shërbimit Mjeko-Ligjor të Athinës.
Të afërmve u është kërkuar të japin material gjenetik, i cili do të përdoret për krahasimin e ADN-së dhe për përfundimin e procedurave të identifikimit të trupave.
Hetimet për shkakun e shpërthimit
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të fuqishëm që solli shembjen e godinës, e cila përdorej edhe për akomodimin e turistëve.
Për të tretën ditë, një ekip i Shërbimit Helenik të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, i përbërë nga dhjetë oficerë të specializuar, po kryen kontrolle të hollësishme në vendngjarje.
Ekspertët po mbledhin dhe analizojnë çdo element që mund të ndihmojë në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe në përcaktimin e shkakut të shpërthimit.
Vëmendja e hetuesve është përqendruar veçanërisht në apartamentin e katit të dytë, ku banonte çifti i të moshuarve. Sipas informacioneve të deritanishme, ekzistojnë tregues se shpërthimi mund të ketë pasur pikënisjen pikërisht në këtë apartament.
Dyshimet për një rrjedhje gazi
Sipas informacioneve nga burime kompetente, apartamenti në katin e dytë ishte i vetmi në ndërtesë që furnizohej me gaz natyror. Gazi përdorej për nevojat e kuzhinës dhe për një sobë.
Ky fakt ka bërë që hetuesit të shqyrtojnë si një nga pistat e mundshme një rrjedhje gazi, e cila mund të ketë çuar në shpërthimin fatal.
Megjithatë, deri në përfundimin e ekspertizave, autoritetet nuk kanë përcaktuar zyrtarisht shkakun e tragjedisë. Hetuesit duhet të dokumentojnë provat e mbledhura në vendngjarje për të përcaktuar nëse shpërthimi është shkaktuar vërtet nga një rrjedhje e gazit natyror apo nga një faktor tjetër.
Hetimet vijojnë, ndërsa familjarët presin përfundimin e procedurave të identifikimit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të tragjedisë që u mori jetën gjashtë personave, mes tyre katër anëtarëve të familjes shqiptare.





















