Një operacion i gjerë antidrogë është finalizuar në Tiranë pas katër muajsh hetime, duke çuar në goditjen e disa grupeve që dyshohet se shisnin lëndë narkotike pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Operacioni, i koduar “Shkolla të Pastra”, është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Sipas policisë, gjatë hetimeve janë identifikuar 52 persona si pjesëtarë të këtyre grupeve, të cilët, të veçuar ose në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se merreshin me shitjen e lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme pranë shkollave 9-vjeçare, të mesme, por edhe në zona të tjera të Tiranës.
Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar 31 masa sigurie “Arrest në burg”, ndërsa 14 persona të tjerë të identifikuar gjatë hetimeve janë shpallur në kërkim. Për shkak se hetimet vijojnë, policia nuk ka bërë publike identitetet e tyre.
Ndërkohë, gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 7 persona të tjerë, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Gjatë hetimeve dhe ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë Cannabis Sativa. Po ashtu, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Hetimet kanë zbardhur edhe mënyrën e shpërndarjes së drogës. Sipas policisë, në disa raste, për të shmangur vëmendjen e shërbimeve policore, lëndët narkotike transportoheshin dhe shpërndaheshin përmes monopatinave, taksive dhe shërbimeve “delivery”.
Policia thotë se operacioni është pjesë e masave për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe goditjen e aktivitetit kriminal që mund të cenojë nxënësit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Njoftimi policisë
DVP Tiranë
Finalizohet pas 4 muajsh hetime, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “SHKOLLA TË PASTRA”.
Goditen disa grupe që shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.
Identifikohen 52 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shisnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme, pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Ekzekutohen 31 masa sigurie “Arrest në burg” për pjesëtarë të grupeve.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 14 shtetasve të tjerë.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar 7 shtetas.
Gjatë periudhës hetimore dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar 1 kg e 75 gramë heroinë, 1 kg e 265 gramë kokainë, 685 gramë Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, 2 peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në kuadër të operacionit të koduar “SHKOLLA TË PASTRA”, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për 31 shtetas dhe konkretisht:
G. J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç.
Gjatë fazës hetimore janë ndaluar dhe 7 shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.
Ndërkohë, 14 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim dhe, për arsye se hetimi vijon, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tyre. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Nga hetimet është dokumentuar se këto grupe shisnin lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e shërbimeve policore në terren, lënda narkotike shpërndahej nëpërmjet monopatinave, si dhe shërbimeve taxi dhe delivery.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës është e fokusuar maksimalisht në garantimin e sigurisë në shkolla dhe në luftën ndaj fenomeneve kriminale, si dhe siguron prindërit dhe qytetarët se do të intensifikojë kontrollet dhe hetimet për parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që cenon sigurinë e nxënësve.






















