Plotësohen tre vendet e rezervuara për gjyqtarët në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve të zhvilluar këtë të premte, u zgjodhën tre anëtarët e rinj të KLGJ-së, një nga Gjykata e Lartë, një nga Gjykatat e Apelit dhe një nga Gjykatat e Shkallës së Parë.
Për vendin që i takon Gjykatës së Lartë, gara mes Sandër Simonit dhe Arbena Ahmetit përfundoi në barazim të plotë, me nga 179 vota secili. Në këto kushte, në zbatim të rregullores, u procedua me hedhjen e shortit me gogla dhe fitues rezultoi gjyqtari Sandër Simoni, i cili do të jetë anëtar i KLGJ-së nga radhët e Gjykatës së Lartë.
Në garën nga radhët e gjyqtarëve të apelit, Fatri Islamaj siguroi 190 vota, kundrejt 171 votave të Igerta Hysit. Me këtë rezultat, Islamaj zgjidhet anëtar i KLGJ-së, duke përfaqësuar gjyqtarët e gjykatave të apelit.
Ndërkohë, nga radhët e gjyqtarëve të shkallës së parë, Brunilda Kadi zgjidhet anëtare e KLGJ-së.
Procesi i sotëm vjen në kuadër të ripërtëritjes së përbërjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjykata e Lartë kishte hapur më 26 qershor procedurën për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj, pasi më 12 dhjetor 2026 përfundojnë mandatet pesëvjeçare të tre anëtarëve aktualë të KLGJ-së, njëri nga shkalla e parë, njëri nga apeli dhe njëri nga Gjykata e Lartë.
Lista zyrtare e kandidatëve u shpall më 21 korrik, ndërsa zgjedhjet u caktuan për 25 shtator. Përbërja e re do të marrë detyrën pas përfundimit të mandateve aktuale.






















