
Situata është tensionuar këtë të enjte përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Pas tensioneve, disa persona janë shoqëruar nga efektivët.
Protestuesit kanë tentuar t'i afrohen godinës së Parlamentit, ndërsa forcat e policisë janë vendosur në kordon për të penguar kalimin e tyre përtej perimetrit të sigurisë.
Në një moment, një grup protestuesish është ulur në rrugë, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë për t'i larguar. Kjo ka sjellë shtyrje dhe përplasje fizike mes palëve.
Tensionet jashtë Kuvendit zhvillohen ndërkohë që brenda sallës vijon seanca plenare, e nisur në orën 10:00 dhe e shoqëruar me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Policia vijon të mbajë të rrethuar zonën pranë Parlamentit, ndërsa protestuesit qëndrojnë jashtë perimetrit të sigurisë.






















