Reperi amerikan Macklemore ka njoftuar nisjen e një turneu të titulluar “Free Palestine”, vetëm pak ditë pasi u hoq nga turneu “Loop Tour” i Ed Sheeran, pas komenteve pro-palestineze që bëri në skenë në fillim të këtij muaji.
“Pra, siç e dini të gjithë, orari im u lirua pak”, tha ai të enjten, teksa njoftoi turneun e ri.
Artisti amerikan, emri i vërtetë i të cilit është Benjamin Haggerty, bëri të ditur se të ardhurat nga turneu, i cili do të nisë muajin e ardhshëm në Dublin, do t’u dhurohen organizatave që mbështesin palestinezët.
Komentet e Macklemore në skenë dhe largimi i tij i mëvonshëm nga turneu bënë që edhe artistë të tjerë mbështetës të Sheeran të tërhiqeshin. Ndërkohë, këngëtari britanik theksoi se vendimi për ta larguar reperin ishte marrë nga promotori i tij dhe jo prej tij personalisht.
Në një deklaratë të enjten, Macklemore tha se javët e fundit kishin treguar se kishte ndodhur “një zgjim kolektiv rreth çlirimit të Palestinës, fuqisë së miliarderëve që përpiqen ta censurojnë këtë thirrje dhe asaj që presim nga artistët në këtë moment”.
“Ajo që më ndodhi mua është më e madhe se një artist apo një skenë e vetme”, deklaroi ai. “Kur klasa e miliarderëve mund të vendosë se cilët zëra lejohen në skenë dhe cilët konsiderohen tepër të rrezikshëm për t’u dëgjuar, të gjithë duhet t’i kushtojnë vëmendje.”
Macklemore tha se gjatë javës së fundit kishte kontaktuar artistë që kishin përdorur platformat e tyre për të shprehur solidaritet me popullin palestinez, pavarësisht pasojave.
Për shkak të organizimit të shpejtë të turneut, ai shtoi se disa detaje ende po përpunohen.
“Por ky është një moment që ka marrë hov dhe ka punë për t’u bërë”, tha reperi.
Turneu i ri i Macklemore do të nisë në Dublin më 26 tetor, për të vijuar në Paris më 29 tetor dhe në Londër më 30 tetor.
Ai bëri të ditur se do të shtohen gjithashtu data në Shtetet e Bashkuara, ndërsa bileta të tjera do të dalin në shitje javën e ardhshme.
Deklarata që solli përplasjen
Teksa performonte si artist hapës për Ed Sheeran në një koncert në New Jersey në fillim të shtatorit, Macklemore deklaroi:
“Një pjesë e madhe e arsyes pse doja ta bëja këtë turne që në fillim ishte që të mund të ngrihesha në stadiume si ky dhe të thosha dy fjalë që janë shumë, shumë të dashura për zemrën time: Free Palestine – Palestinë e lirë.”
Reperi i njohur për hitin “Thrift Shop” më pas interpretoi një këngë kushtuar protestuesve pro-palestinezë në Universitetin Columbia.
Pasi u hoq nga turneu më 14 shtator, Macklemore akuzoi pronarët e stadiumeve se ishin bashkuar për ta larguar atë. Ai gjithashtu u akuzua nga pronari miliarder i stadiumit, Robert Kraft, për gjuhë urrejtjeje dhe retorikë antisemitike në lidhje me Izraelin dhe Gazën.
Ed Sheeran deklaroi fillimisht se vendimi për ta larguar Macklemore nga turneu ishte marrë nga kompania promovuese Messina Touring Group.
Deklaratat e tij të para pas polemikës bënë që të gjithë artistët mbështetës të tërhiqeshin nga turneu në shenjë solidariteti, ndërsa fansat shprehën pakënaqësi. Edhe çmimet e biletave për turneun ranë ndjeshëm.
Sheeran e trajtoi drejtpërdrejt polemikën gjatë fillimit të performancës së tij në Philadelphia javën e kaluar.
Ai tha se kishte bërë “gabime” në mënyrën se si e kishte menaxhuar situatën, u kërkoi falje fansave dhe shprehu qëndrimin e tij për konfliktin Izrael-Gazë, të cilin e cilësoi si “një çështje humanitare”.
Sheeran i përshkroi sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023 si “të tmerrshme”, ndërsa situatën në Gaza e cilësoi si “të pajustifikueshme dhe joproporcionale”.






















