
Prestigjiozja franceze “Le Monde” i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Shqipëri, pas vendosjes në arrest shtëpie dhe pezullimit nga detyra të drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni.
Media franceze shkruan se Hyseni iu dorëzua autoriteteve më 22 shtator, pasi SPAK kishte kërkuar masë sigurie ndaj saj. Ajo dyshohet për nxjerrjen e informacioneve konfidenciale dhe për ndihmë ndaj personave të dyshuar në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t.
Sipas “Le Monde”, çështja përbën një tjetër goditje politike për qeverinë e kryeministrit Edi Rama, e cila është përballur me disa hetime për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë.
Duke iu referuar “Balkan Insight”, gazeta franceze shkruan se, nëse përfshirja e Hysenit konfirmohet, rasti mund të përbëjë “krizën më serioze të sigurisë kombëtare në historinë e vendit”.
Hetimet lidhen me çështjen e AKSHI-t, ndërsa Hyseni dyshohet se ka nxjerrë informacione konfidenciale në këtë kontekst. SPAK nuk ka bërë publikisht të ditur se cilat informacione dyshohet se janë nxjerrë apo se cilët persona konkretisht pretendohet se janë ndihmuar.
“Le Monde” ndalet gjithashtu te përmasat financiare të çështjes së AKSHI-t, duke raportuar se 19 procedura të shqyrtuara nga SPAK arrijnë një vlerë të përllogaritur prej rreth 5.9 miliardë lekësh, ose afro 60 milionë euro.
Media franceze kujton se Shqipëria ndodhet në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga çështjet kyçe të këtij procesi.






















