
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka marrë pjesë mbrëmjen e së martës në darkën gala të hapjes së Milano Fashion Week, duke shkaktuar polemika të forta politike për mungesën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Sipas raportimit të La Repubblica, Meloni u shfaq në Palazzo Reale të Milanos me një kostum të zi elegant, në një aktivitet ku morën pjesë emrat më të rëndësishëm të modës italiane dhe ndërkombëtare. Prania e saj ishte surprizë, pasi ftesat e mëparshme të sektorit të modës kryeministrja i kishte refuzuar.
Meloni e justifikoi pjesëmarrjen duke thënë se këtë vit e konsideronte të rëndësishme të jepte një sinjal të drejtpërdrejtë mbështetjeje për një sektor që, sipas saj, po kalon një moment jo të lehtë, por vazhdon të japë rezultate të rëndësishme për ekonominë italiane.
“Kam menduar se ishte veçanërisht e drejtë këtë vit, në një moment jo të lehtë për sektorin, të jepja një sinjal fizik pranije dhe afërsie, jo vetëm me masa dhe burime”, tha Meloni, duke përmendur edhe fondin prej 100 milionë eurosh për nxitjen e investimeve në këtë industri.
Por pjesëmarrja në gala, ndërsa në New York zhvillohej Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, u shndërrua menjëherë në armë politike për opozitën. Ish-kryeministri Matteo Renzi e cilësoi mungesën e saj në OKB si “një turp për Italinë”.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mblidhen qeveritë dhe flasin liderët e botës, ndërsa Meloni nuk është aty. Pjesëmarrja në OKB është detyrë, jo dëshirë personale e kryeministres”, deklaroi Renzi nga New York.
Kritika erdhën edhe nga Lëvizja 5 Yjet. Kreu i grupit parlamentar në Dhomën e Deputetëve, Riccardo Ricciardi, tha se ndoshta dikush duhet t’i kujtojë kryeministres “luftërat që janë në zhvillim dhe problemet që po kalojnë italianët”.
Në Milano, megjithatë, Meloni u prit me nderime nga industria e modës. Në darkën gala ishin të pranishëm emra si Anna Wintour, Renzo Rosso, Brunello Cucinelli, Diego Della Valle, Gildo Zegna, përfaqësues të Prada, Dolce & Gabbana, Kering dhe LVMH. Sektori i modës në Itali përfaqëson rreth 5 për qind të PBB-së dhe punëson afërsisht një milion persona.
Në fund, mbrëmja u mbyll me foto dhe përshëndetje mes kryeministres dhe të ftuarve, ndërsa polemika politike vijoi jashtë sallës: për opozitën, Meloni zgjodhi skenën e modës në Milano në vend të skenës diplomatike të OKB-së.






















