Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar në emisionin “Opinion” lidhur me akuzat e ngritura ndaj saj nga Vlora Hyseni, duke bërë të ditur se i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme me një denoncim dhe se synon të ndërmarrë hapa edhe në Britaninë e Madhe.
“I jam drejtuar SPAK-ut me një denoncim ndaj Vlora Hysenit. Ajo më ka përdorur mua, si një zë të fortë publik, për të ushtruar presion ndaj të tjerëve”, deklaroi Lala.
Gazetarja shtoi se çështjen synon ta ndjekë edhe në Britaninë e Madhe, duke argumentuar se familjarë të saj, të cilët kanë shtetësi britanike, janë prekur nga deklarimet që ajo ia atribuon Hysenit.
“Do të ndërmarr hapa edhe në Britaninë e Madhe, pasi familjarët e mi kanë shtetësi britanike dhe janë prekur nga ato që ka thënë Hyseni”, u shpreh Lala.
Gjatë emisionit, gazetarja foli gjithashtu për elemente që, sipas saj, ndodhen në dosjen hetimore që lidhet me Ergys Agasin.
“Në automjetin e Ergys Agasit janë gjetur materiale sensitive të Shërbimit Informativ të Shtetit. Bëhet fjalë për informacione mbi zyrtarë të rëndësishëm shtetërorë, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhej të ndodheshin aty”, deklaroi Lala.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se, në momentin e arrestimit të Agasit në zonën e Plepa-ve, janë sekuestruar tre telefona celularë, si edhe një pajisje për të cilën dyshohet se mund të përmbante materiale përgjimesh.
Sipas Lalës, të dhënat e dosjes hetimore përfshijnë komunikime të ndryshme, mes tyre mesazhe të shkruara, mesazhe zanore dhe materiale video. Duke iu referuar këtyre të dhënave, gazetarja pretendoi se Vlora Hyseni e informonte Agasin lidhur me takimet që zhvillonte me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me kryeministrin.
“Sipas të dhënave të dosjes hetimore, përfshirë mesazhe me shkrim, zanore dhe video, Vlora Hyseni e informonte Agasin për takimet me partnerët ndërkombëtarë dhe me kryeministrin. Në këto takime diskutoheshin edhe lëvizje në qeveri”, deklaroi gazetarja.
Lala ngriti gjithashtu pretendimin se Prokuroria e Posaçme ka dyshime se zyrtarë të lartë, të cilët kishin pasur përplasje me Agasin, mund të kenë qenë objekt përgjimi nga Hyseni.
Sipas gazetares, të dhënat e deritanishme ngrenë pikëpyetje nëse kapacitetet apo informacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit mund të jenë përdorur në funksion të përplasjeve të brendshme politike në Partinë Socialiste.
“Këto dyshime ngrenë një pyetje edhe më të rëndë: a është përdorur Shërbimi Informativ i Shtetit në përplasjet e brendshme politike në PS?”, tha Lala.
Ajo theksoi se në këtë fazë nuk dihet ende se çfarë informacionesh të tjera mund të jenë përcjellë dhe as përmasat e dëmit që mund të jetë shkaktuar, nëse pretendimet dhe dyshimet e ngritura gjatë hetimit do të provohen.
“Ende nuk dihet çfarë informacionesh të tjera mund të jenë përcjellë apo cili është dëmi i shkaktuar. Nëse dyshimet provohen, pasojat e veprimtarisë së Hysenit në krye të institucionit mund të ndihen edhe në dhjetë vitet e ardhshme”, deklaroi Lala.






















