
Shpëtim Aliu, i njohur edhe si Salvatore, një nga personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare në dosjen e trafikut ndërkombëtar të kokainës, është arrestuar në Rusi. 51-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, në kuadër të hetimit të SPAK ndaj një rrjeti që dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpol Moskës. Policia njoftoi se Aliu është arrestuar provizorisht në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, ndërsa procedurat mes autoriteteve shqiptare dhe atyre ruse vijojnë.
Në qershor të këtij viti, GJKKO caktoi masën “arrest në burg” për 10 shtetas shqiptarë në kuadër të procedimit penal nr. 138 të vitit 2020. SPAK i heton ata për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, rrjeti i dyshuar ka vepruar gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Hetuesit kanë ngritur dyshime se gjatë kësaj periudhe janë trafikuar të paktën 50 tonë kokainë, ndërsa pesë episode konkrete të dokumentuara lidhen me sekuestrimin e gjithsej 8 tonë e 960 kilogramë kokainë.
Ngarkesat e dokumentuara përfshijnë 700 kilogramë kokainë të sekuestruar në Antverp të Belgjikës në maj 2020; 2.01 tonë të kapura në Guayaquil të Ekuadorit një muaj më vonë; 1.1 tonë të sekuestruara në Roterdam në gusht; 4.1 tonë të tjera të kapura po në Roterdam në dhjetor 2020 dhe 1.05 tonë të sekuestruara në Kolumbi në shkurt 2021, me destinacion final Francën.
Sipas raportimeve mbi dosjen, Aliu dyshohet se kishte një rol qendror në rrjet, si organizator, financues dhe furnizues i ngarkesave me kokainë. Ai është lidhur nga hetimet me furnizimin dhe koordinimin me grupe të tjera të dyshuara të narkotrafikut.
Hetimi i SPAK nuk është kufizuar vetëm te trafiku i drogës. Prokuroria e Posaçme dyshon se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës është sjellë “cash” në Shqipëri dhe më pas është investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtim, hoteleri, kompani tregtare dhe sektorë të tjerë, me qëllim fshehjen e origjinës së parave.
Në kuadër të këtij hetimi, GJKKO ka vendosur sekuestron preventive mbi 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, mes të cilave prona, apartamente, vila, hotele, automjete, mjete lundruese, kuota kompanish dhe 209 llogari bankare. Sipas SPAK, vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 milionë euro, ndërsa vlera përfundimtare mbetet për t'u verifikuar gjatë hetimeve.
Me arrestimin e Shpëtim Aliut në Rusi, autoritetet shqiptare tashmë presin përfundimin e procedurave të ekstradimit, në mënyrë që 51-vjeçari të sillet në Shqipëri dhe të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.
SPAK ka theksuar se personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






















