Kronika 23 September 2026, 20:31 Nga VNA

“Daja” nga Ekuadori që furnizonte bosët shqiptarë të kokainës: Kush është Salvatore alias Shpëtim Aliu, njeriu që SPAK e vendos në zemër të perandorisë së 50 tonëve drogë

Ndaje në Whatsapp
“Daja” nga Ekuadori që furnizonte bosët shqiptarë

Për publikun shqiptar emri i tij ishte pothuajse i panjohur. Nuk ishte ndër ata personazhe të krimit që shfaqeshin në kronika, nuk ishte ndër emrat që qarkullonin shpesh në dosje publike dhe nuk kishte profilin klasik të një bosi të ekspozuar. Por në dosjen e SPAK, Salvatore alias Shpëtim Aliu del si një nga figurat më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, një njeri që sipas hetuesve kishte krijuar urën mes Amerikës Latine dhe grupeve kriminale shqiptare në Europë.

Në komunikimet e Sky ECC ai shfaqet me disa nofka: “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”. Pas këtyre emrave, sipas SPAK, fshihej furnizuesi kryesor i disa prej grupeve më të njohura shqiptare të kokainës, nga Eldi Dizdari e Armando Pacani, te Dritan Gjika, Sokol Bibaj, vëllezërit Çopja dhe të tjerë.

Hetimet e SPAK e vendosin Aliun në qendër të një rrjeti që dyshohet se ka trafikuar rreth 50 tonë kokainë në dy vite. Nga kjo sasi, afro 9 tonë janë sekuestruar nga autoritetet në operacione të ndryshme ndërkombëtare. Kokaina sigurohej në Amerikën Latine dhe nisej kryesisht nga Ekuadori drejt porteve europiane si Roterdami, Anversi apo Bremeni.

Roli i Salvatore alias Shpëtim Aliut, sipas dosjes, nuk ishte periferik. Ai dyshohet se organizonte nisjen e ngarkesave nga porti i Guayaquil, siguronte lidhjet me furnitorët dhe bashkërendonte me grupet shqiptare që prisnin drogën në Europë. Në një nga episodet e zbardhura përmendet ngarkesa prej 4.1 tonë kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdamit më 16 dhjetor 2020, si dhe një tjetër sasi prej 1 ton e 50 kg kokainë, e sekuestruar në Kolumbi më 3 shkurt 2021.

Në dosje del edhe lidhja e tij me Dritan Gjikën. Sipas SPAK, takimet mes tyre zhvilloheshin në Ekuador për organizimin e ngarkesave. Gjika siguronte kokainën përmes lidhjeve në Kolumbi, ndërsa Aliu merrej me nxjerrjen e saj nga Ekuadori drejt Europës. Hetuesit i vendosin të dy në një nivel të lartë hierarkik brenda këtij segmenti të trafikut.

Por “perandoria” e dyshuar nuk funksiononte vetëm me lidhje kriminale. Ajo kishte edhe strukturë familjare. Vëllai i tij, Isa Aliu, sipas SPAK, dyshohet se kishte rol kyç në menaxhimin dhe pastrimin e parave të kokainës në Shqipëri. Nga komunikimet e zbardhura rezulton se grupi i drejtuar nga Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro cash nga Salvatore Aliu, para që dyshohet se janë investuar në ndërtim, vila, hotele luksoze dhe pasuri të paluajtshme.

Në bisedat e Sky ECC përmenden shifra të mëdha: 6 milionë euro cash, më pas 9.8 milionë euro dhe një shumë tjetër prej 20 milionë eurosh që pritej të vinte. Në komunikime, Salvatore Aliu jep edhe udhëzime për fshehjen e parave, deri te groposja në fuçi 50-litërshe apo përdorimi i apartamenteve të posaçme për të fshehur cash-in.

Pjesë e rrjetit, sipas SPAK, ishin edhe dy nipat e tij, Naldi Yzeiraj dhe Oklid El Ouejdi. Yzeiraj dyshohet se merrej me ngarkesat e kokainës në kontejnerë në Ekuador dhe mbante kontakte me lidhjet lokale, ndërsa Oklid El Ouejdi, i njohur si “Kiçi”, dyshohet se kishte rol në pritjen, magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës në Europë, në vende si Gjermania, Italia, Franca, Zvicra dhe Anglia.

Në një nga komunikimet, Naldi Yzeiraj i dërgon dajës së tij foto të pakove me kokainë dhe i shkruan se “2221 janë gjithsej”. Salvatore Aliu i përgjigjet me udhëzime për shënimin e pakove me shkronjën “T”, që sipas SPAK lidhej me ngarkesa për llogari të Eldi Dizdarit, alias Denis Matoshi.

Pikërisht komunikimet në Sky ECC duket se janë kthyer në çelësin e zbërthimit të rrjetit. Nofkat, lidhjet familjare, hyrjet në Shqipëri, referencat për ngarkesat, bisedat për paratë dhe gabimet në komunikim i kanë ndihmuar hetuesit të lidhin kodet me emrat realë.

Në fund, profili që del nga dosja është ai i një njeriu që vepronte larg vëmendjes publike, por që sipas SPAK kishte rol qendror në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Salvatore alias Shpëtim Aliu shfaqet si “Daja” i Ekuadorit, furnizuesi i madh i grupeve shqiptare, organizatori i ngarkesave dhe njeriu që, përmes familjes dhe lidhjeve kriminale, dyshohet se ndërtoi një nga skemat më të fuqishme të narkotrafikut shqiptar të viteve të fundit.

Video

Momente frike janë regjistruar gjatë një eventi me dema dhe kuaj në Murcia të Spanjës, pasi një dem me peshë rreth 508 kilogramë arriti të kalonte barrierën mbrojtëse. Demi përfundoi në korridorin e sigurisë, duke shkaktuar panik mes personave që ndodheshin pranë arenës. Ngjarja ndodhi gjatë aktivitetit përmbyllës të një panairi lokal. Pavarësisht situatës së rrezikshme, nuk u raportua asnjë person i plagosur.

Arrestohet në Rusi Shpëtim “Salvatore” Aliu, 51-vjeçari i kërkuar nga SPAK dhe i dyshuar si një nga figurat kyçe të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Sipas SPAK, Aliu dyshohet se siguronte dhe organizonte ngarkesa kokaine nga Amerika Latine drejt Europës, duke bashkëpunuar me disa grupe kriminale shqiptare. Në dosje përmenden lidhje me grupet e drejtuara nga Dritan Gjika, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, Armando Pacani, Jetmir Pepa dhe Sokol Bibaj. Hetimet lidhen me 5 episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, ndërsa komunikimet në SKY ECC kanë qenë një nga elementët kryesorë të hetimit. SPAK e akuzon Aliun për trafik narkotikësh, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale. Pas arrestimit në Rusi, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

3.2 milionë euro të fshehura në muret e një banese në Itali! Pamjet e publikuara nga autoritetet italiane tregojnë momentin kur karabinierët çajnë muret e banesës dhe nxjerrin shuma të mëdha parash, të fshehura në hapësira të posaçme. Gjatë operacionit në Caivano, pranë Napolit, u sekuestruan rreth 3.2 milionë euro, kryesisht në kartëmonedha 50-euroshe, si edhe 11 orë luksoze me vlerë mbi 127 mijë euro. Operacioni ishte pjesë e një aksioni të gjerë kundër krimit të organizuar në zonën e Napolit.

Protestuesit i zënë rrugën Zegjinesë, shpërthen deputetja: “Po ulni figurën e një femre!”

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme