Nga Fitim Zekthi
Tani doli edhe një marrëzi tjetër. Nëse kundërshton projektin për muzeun e trashëgimisë hebraike në Vlorë, cilësohesh antisemit. Njerëzit, sipas kësaj logjike, duhet të jenë, janë, pro muzeut sepse nuk janë antisemitë. Është jo vetëm një turp dhe qëndrim i pështirë, por edhe një përpjekje për të mos lejuar kundërshtitë.
Të jesh kundër projektit për një muze hebraik nuk do të thotë kurrë se je kundër hebrenjve apo, më keq, se i urren apo ke inat hebrenjtë.
Në Ballkan, nuk po marrim botën, ka pasur qytete si Sarajeva, si Manastiri, si Plovdivi, që kanë qenë qendra të rëndësishme ku kanë banuar hebrenj që ikën nga Spanja dhe nuk ka muze. Sigurisht që ka qytete ku ka muze dhe kjo nuk është gjë e keqe, por këto muzeume janë në qytete ku komuniteti hebre ka qenë shumë i rëndësishëm, si Selaniku apo Beogradi. Në qytetet e tjera ruhen rrënojat e sinagogave apo gjurmë të tjera. Edhe të ruhen atje ku ka, si në Sarandë apo Berat.
Projekti i muzeut në Vlorë, së pari, ndryshon trashëgiminë vlonjate; prek lagjen e vjetër Muradie, prek një nga godinat e rralla të mbetura të vjetra dhe, në njëfarë mënyre, tjetërson trashëgiminë duke u groposur ajo.
Dembabaden shqiptarët kanë dashur, kanë mbrojtur dhe kanë respektuar hebrenjtë dhe këdo që ka jetuar këtu me ne. Është e ulët të thuash se kundërshtimi i muzeut është antisemitizëm.
Kudo në botë vlon një tendencë, e mbrojtur ashpërsisht nga qeveria e Netanyahut, që kush kritikon qeverinë e Izraelit është antisemit. Kjo është politikë zyrtare, politikë të cilën kryeministra, gazetarë, filozofë, artistë, shkrimtarë, sociologë etj. e kundërshtojnë.
Të kritikosh qeverinë e Izraelit nuk është antisemitizëm. Ministri i Jashtëm britanik Ed Miliband, një hebre me paraardhës që vdiqën gjatë Holokaustit dhe të tjerë që mbijetuan, tha se të kritikosh qeverinë e Izraelit nuk është antisemitizëm. Ai tha madje se Izraeli po bën terrorizëm dhe spastrim etnik.
Tek ne, qeveria dhe PD-ja thonë që të jesh kundër muzeut je antisemit.






















