Opinion 20 September 2026, 17:38 Nga VNA

Antikomunisti nuk linçon, mbron…dhe gjyqi publik ndaj një gruaje të internuar

Ndaje në Whatsapp
Antikomunisti nuk linçon, mbron…dhe gjyqi publik ndaj një

Nga Desada Metaj

Në librin “Jetë burgu”, Fatos Lubonja e përshkruan me një qartësi të dhimbshme atë që ndodh me psikologjinë e një njeriu të dënuar. Në burg, njeriu nuk është vetëm përballë hekurave, urisë, frikës apo dhunës fizike. Ai është përballë një presioni shumë më të thellë: mënyrës si duhet të mbijetojë pa humbur krejt veten. Disa rezistojnë hapur. Disa heshtin. Disa bëjnë sikur përshtaten. Disa gjejnë gjuhë, simbole, metafora, mënyra të çuditshme për ta treguar plagën e tyre. Por në thelb, vuajtja nuk matet me formën që merr. Vuajtja është aty, edhe kur nuk na pëlqen mënyra si tregohet.

Prandaj ajo që ndodhi dje me zonjën Florika Nguca në Lushnje është më shumë se një episod i shëmtuar politik. Është një provë se sa pak jemi të aftë të kuptojmë traumën e komunizmit, sidomos kur ajo nuk vjen në formën që na leverdis politikisht.

Zonja ndoshta nuk gjeti mënyrën më të qartë, më të drejtpërdrejtë apo më të pranueshme për të përshkruar terrorin që kishte përjetuar si fëmijë gjatë komunizmit. Poezia që ajo recitoi, e shkëputur nga konteksti, mund të tingëllonte keq. Mund të dukej e papërshtatshme. Mund të mos ishte mënyra që do të zgjidhte dikush tjetër për të folur për diktaturën.

A do ta recitoja unë atë poezi? Absolutisht jo.

Por pikërisht këtu fillon dallimi mes gjykimit njerëzor dhe linçimit politik. Sepse askush nuk ka të drejtë të vendosë në peshore se kush ka vuajtur më shumë, kush ka të drejtë ta tregojë dhimbjen dhe kush duhet të heshtë sepse mënyra e tij e të folurit nuk i përshtatet tribunës së ditës.

Edhe unë e kam provuar, në një formë shumë më të vogël, por mjaftueshëm të qartë për ta mbajtur mend gjithë jetën, se çfarë do të thoshte biografia në komunizëm. Në klasën e tetë, shkolla u detyrua të më “shkarkonte” nga e drejta për të dhënë komandën në fillim të mësimit, për shkak të biografisë së gjyshit tim. Një fëmijë, që nuk kishte bërë asgjë, duhej të kuptonte se fajin e kishte prejardhja. Se mbi të kishte një hije. Se shteti kishte hyrë edhe në bankën e shkollës.

Prandaj e di shumë mirë se terrori i komunizmit nuk ishte vetëm burgu. Ishte edhe poshtërimi i vogël, përjashtimi i heshtur, frika e trashëguar, kujdesi për çdo fjalë, damka mbi familjen, mbi fëmijën, mbi emrin.

Por edhe duke e ditur këtë, nuk do t’i lejoja vetes të gjykoja një grua tjetër që e ka përjetuar diktaturën ndryshe, që e tregon ndryshe, që ndoshta ngatërrohet në simbolikë, në metaforë, në fjalë, por që në thelb po fliste për vuajtjen e familjes së saj.

Linçimi i saj, i nisur nga një deputet qesharak i opozitës, është një akt i shëmtuar. Jo vetëm sepse nxori jashtë kontekstit një video, por sepse e ktheu dhimbjen e dikujt në material propagande. E mori një grua, e hodhi në rrjet dhe e la turmën ta copëtonte, pa u shqetësuar as për të vërtetën, as për kontekstin, as për dinjitetin e saj.

Minimumi që duhej të kishte ndodhur ishte një ndjesë. Një fjali e thjeshtë: e nxora jashtë kontekstit, gabova.

Por jo. Ai vazhdon të mbrojë të pambrojtshmen. Vazhdon të këmbëngulë në ligësinë që e përcaktoi jo vetëm si politikan, por edhe si karakter njerëzor. Një politikan pa ndonjë vlerë tjetër të dukshme, përveç servilosjes së radhës: njëherë ndaj Bashës, më pas ndaj Berishës.

Dhe këtu problemi bëhet më i madh se një deputet. Sepse Partia Demokratike, partia që duhej të kishte qenë më e ndjeshmja ndaj viktimave të komunizmit, ka mbi shpinë mëkatet e veta të mëdha për mënyrën si i trajtoi të përndjekurit. Por kjo është një temë tjetër, e gjatë dhe e hidhur.

Sot mjafton të thuhet kaq: deputetët e kësaj partie duhet t’i kërkojnë ndjesë një zonje që u masakrua publikisht, jo nga e vërteta, por nga një montim politik. Dhe duhet të kujtojnë diçka shumë të thjeshtë: në zellin për të poshtëruar një grua që foli keq, çuditshëm apo dhimbshëm për komunizmin, ata nuk kanë treguar të njëjtën ashpërsi as ndaj vetë Enver Hoxhës.

Për të mos folur pastaj për ish sekretarë partie apo hetues , ndaj të cilëve kujtesa antikomuniste e disa demokratëve bëhet befas shumë e sjellshme, shumë e kujdesshme dhe shumë e heshtur.

Video

Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së dielës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Protestuesit valëvitën një flamur gjigant të UÇK-së dhe brohoritën “UÇK”. Protesta janë zhvilluar edhe jashtë Kosovës. Në Vjenë, shqiptarë të shumtë u mblodhën me thirrjet “Liria ka emër”, “Jo në emrin tim” dhe “Liri për çlirimtarët e Kosovës”.

Një avion i kompanisë Volaris është detyruar të kthehet në aeroportin e Las Vegasit, pasi një prej motorëve të tij mori flakë pak pas ngritjes. Avioni Airbus A321 po fluturonte nga Las Vegas drejt Guadalajara-s në Meksikë, kur ekuipazhi raportoi një zjarr të mundshëm në motor. Pilotët vendosën të ktheheshin menjëherë dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid. Autoriteti amerikan i aviacionit, FAA, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.

Forcat amerikane kanë kryer një sulm ndaj një mjeti lundrues në Karaibe, i cili dyshohej se përdorej për trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM), mjeti ishte i përfshirë aktivisht në trafik narkotikësh në momentin e goditjes. Si pasojë e operacionit u vranë katër persona, të cilët autoritetet ushtarake amerikane i përshkruan si “narko-terroristë”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme