Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht rezultateve të dobëta të CDU-së në zgjedhjet në Mecklenburg-Vorpommern dhe Berlin.
Sipas projeksioneve të transmetuesit publik ZDF, në Mecklenburg-Vorpommern, AfD kryeson me rreth 38% të votave, e ndjekur nga SPD me rreth 36%. CDU rrezikon të sigurojë vetëm me vështirësi përfaqësimin në parlamentin rajonal.
Merz e cilësoi rezultatin e partisë së tij si një “katastrofë”. Megjithatë, një qeveri rajonale e drejtuar nga AfD mbetet e vështirë, pasi partitë e tjera kanë refuzuar bashkëpunimin me të.
Situata paraqitet e vështirë për CDU-në edhe në Berlin. Projeksionet e para e nxjerrin Die Linke forcë të parë me afro 26%, ndërsa CDU renditet pas saj me rreth 20%.
Rezultatet shtojnë presionin politik ndaj Merz, veçanërisht pasi vetëm dy javë më parë CDU pësoi një tjetër humbje të fortë në Saksoni-Anhalt, ku AfD gjithashtu shënoi rritje të konsiderueshme.
Pavarësisht humbjeve, kancelari përjashtoi mundësinë e largimit dhe deklaroi se qeveria do të vazhdojë programin e reformave ekonomike, fiskale dhe sociale.
“Reformat duhet të bëhen”, tha Merz, duke theksuar se do të vazhdojë të mbajë përgjegjësinë për drejtimin e vendit.






















