
Nga Muriel
OP-ED
Ka një skenë nga fëmijëria që shumë shqiptarë e mbajnë mend. Ktheheshe nga shkolla me një notë jo fort të mirë dhe provoje justifikimin e fundit: “Po filani mori edhe më pak.” Përgjigjja vinte menjëherë: “Me më të dobëtin e klasës po krahasohesh?”
M’u kujtua kjo kur Bloomberg publikoi India’s Tourism Paradox. Pyetja që e shoqëroi historinë ishte fantastike për propagandën tonë: si ka mundësi që India, me Taj Mahalin, Himalajet, dhjetëra site të UNESCO-s dhe një histori mijëravjeçare, të tërheqë më pak vizitorë të huaj se Shqipëria?
Në Tiranë, ky është titulli ideal për t’u futur në një fjalim suksesi. Vetëm se Bloomberg nuk po shkruante për mrekullinë shqiptare. Po shkruante për paradoksin indian. Dhe ky ndryshim është thelbësor.
Shqipëria ka përjetuar një bum të vërtetë turistik. Ta mohosh është po aq propagandistike sa ta shpallësh atë mrekulli qeveritare. Në vitin 2025 u raportuan rreth 12.4 milionë hyrje të shtetasve të huaj. Por hyrja në kufi nuk është automatikisht një turist unik, një javë pushime, një natë hoteli apo shpenzim i lartë.
Prandaj, pas 13 vjetësh qeverisjeje të Edi Ramës, pyetja serioze nuk është më sa njerëz hynë në Shqipëri. Pyetja është: Çfarë Shqipërie gjetën pasi hynë?
Sepse bumi nuk është strategji. Qeveria nuk ndërtoi Jonin. Nuk ngriti Alpet. Nuk shpiku Beratin, Gjirokastrën apo mikpritjen shqiptare. Detyra e saj ishte më e vështirë: ta administronte këtë pasuri në mënyrë që pas njëzet vjetësh të vlente më shumë se sot.
Pikërisht këtu bilanci bëhet problematik.
Shikoni Golemin. Në pjesë të mëdha të tij, ai po i ngjan gjithnjë e më shumë një fjetoreje gjigante verore me dalje në det: ndërtesë pas ndërtese, apartament pas apartamenti, hotel, lokal, shezlong, trafik, kantier. Në mars 2026, vetë IKMT deklaronte se në Golem dhe Qerret kishte 55 leje në zhvillim dhe paralajmëronte se kantieret po dëmtonin turizmin.
Ky është paradoksi shqiptar në një fotografi: po promovojmë një Shqipëri që, në disa nga zonat më të çmuara, po e konsumojmë ndërsa e promovojmë. Qerreti po ndien të njëjtin presion. Shëngjini dhe Velipoja na vendosin përballë së njëjtës pyetje: sa beton mund të mbajë një destinacion përpara se të humbasë arsyen për të cilën turisti erdhi?
Gabimi strategjik është se turizmi është ngatërruar gjithnjë e më shumë me pasurinë e paluajtshme. Por ndërtuesi dhe hotelieri nuk bëjnë të njëjtën pyetje.
Ndërtuesi pyet: Sa metra katrorë mund të ndërtoj? Hotelieri pyet: Si ta bëj klientin të kthehet vitin tjetër? Njëri shet metrin katror. Tjetri ndërton reputacion.
Edhe miti se shteti nuk ka dhënë incentiva nuk qëndron. Incentiva ka. Për kategori të caktuara hotelesh dhe investimesh ekzistojnë lehtësi fiskale, statuse të posaçme dhe procedura të përshpejtuara. Prandaj pyetja më e rëndësishme është tjetër: për kë funksionon sistemi dhe çfarë merr publiku në këmbim? Në një vend me një vijë bregdetare të fundme, privilegji që nuk shpjegohet prodhon dyshim.
Por kultura turistike nuk ndërtohet me status strategjik. Ndërtohet te rruga, pastërtia, transporti, kanalizimet, fatura, menuja, qetësia, plazhi publik, distanca mes shezlongëve dhe mënyra si trajtohet klienti. Turisti nuk duhet parë si një portofol që duhet zbrazur gjatë pesë ditëve që ndodhet këtu, por si klienti që duhet bindur të rikthehet për pesë vitet e ardhshme.
Këtu propaganda përplaset me ekonominë. Mund të prodhosh video fantastike, të paguash fushata dhe të mbushësh Instagramin me Ksamilin e Thethin. Por reklama mund ta sjellë turistin vetëm herën e parë. Herën e dytë duhet ta sjellë Shqipëria.
Turisti nuk fle në Instagram. Fle në hotel. Nuk noton në spotin promocional. Noton në det. Nuk ecën në render. Ecën në rrugë. Dhe kur largohet, pyetja që ka rëndësi është e thjeshtë: A ia vlejti?
Kjo është statistika që duhet të kërkojmë. Jo vetëm sa erdhën, por sa u kthyen; sa net qëndruan; sa shpenzuan; sa do t’ia rekomandonin Shqipërinë një miku; sa thanë: dua të vij përsëri.
Ka një mendim të vjetër, të atribuar shpesh Saint-Exupéry-së: “Tokën nuk e trashëgojmë nga të parët; e marrim hua nga fëmijët tanë.” Për Shqipërinë turistike, kjo nuk është thjesht filozofi. Është ekonomi.
Bregdeti është kapital. Një plazh i ruajtur mund të prodhojë të ardhura për breza. Një peizazh i paprekur mund të vlejë ekonomikisht edhe pas njëqind vjetësh. Një vijë bregdetare e betonizuar nuk rindërtohet me VKM kur moda turistike ndryshon.
Një vend mund të pasurohet sot dhe njëkohësisht të varfërohet për nesër. Mjafton që për të fituar paratë të konsumojë pasurinë që i prodhon.
Prandaj Bloomberg-u nuk duhet të na shërbejë vetëm për t’u mburrur. Duhet të na shqetësojë. Bota tashmë e ka zbuluar Shqipërinë. Sfida nuk është më ta bindim të vijë. Sfida është çfarë Shqipërie do të gjejë kur të vijë - dhe nëse do të ketë arsye të kthehet.
Dhe atëherë pyetja e vjetër e prindit shqiptar bëhet shumë më serioze:
Mirë me më të dobëtin e klasës.
Po me më të mirët, kur do të fillojmë të krahasohemi?






















