Opinion nga Trëndelina Gashi
Në vjeshtën e parë, diku nga fundi i viteve 2000, diçka mbi 10 vjet nga përfundimi i luftës në Bosnjë, në një tavolinë në breg të Detit Adriatik, tre personazhe të ndryshme, një që fliste qetë por me forcë, një që foli më shumë për veshët e mi me zë të ulët dhe një i tretë që qëndronte heshtur e me mimikë të ngurtësuar, mjaftuan për të më dhënë mozaikun e plotë të tragjedisë së Bosnjës.
Personazhi që fliste, diçka mbi të 30-at, ishte nga Bosnja, me baba boshnjak dhe nënë serbe. I përfshirë në moshë të re në luftimet e Bosnjës në radhët e rregullta ushtarake, ai kishte zgjedhur të luftonte krah forcave boshnjake. Rrëfente mbijetesën e boshnjakëve me zë shumë të qetë, por pa u dridhur, dhe në largësi i ndihej revolta për ato ngjarje.
Përballë qëndronte personazhi i ngurtësuar, një i ri as 28 vjeç nga Beogradi. Nuk lëvizte asnjë muskul, nuk lëshonte asnjë tingull, me shikim të hedhur përtej tavolinës, por që në sy i dallohej nervozizmi për çka po dëgjonte dhe që dukshëm nuk e pranonte për të vërtetë.
Personazhi i tretë përshpëritës, që nuk ishte nga Ballkani, por vinte nga përtej Oqeanit, duke vërejtur këmbënguljen në shikimin tim për ta kuptuar personazhin e ngurtësuar, m’u afrua duke më thënë: “Është për të ardhur keq. Është kaq i ri dhe refuzon ta pranojë atë që ka ndodhur”, i referohej të riut serb të ngurtësuar. “Edhe kur ishim së bashku në Sarajevë, nuk e pranonte se shenjat e predhave mbi ndërtesa ishin shenja lufte. Pretendonte se ndërtesat nuk mirëmbaheshin”.
Kjo është plaga e Bosnjës që vazhdon të rrjedhë edhe sot mes njerëzve që duan ta shërojnë, të gjejnë drejtësi, por jo ta harrojnë, dhe atyre që vazhdojnë e lëndojnë plagën.
Ka dy ditë që mediat botërore njoftojnë vdekjen e Ratko Mlladiç, me nofkën “kasapi i Bosnjës” për shkak të rolit të tij gjakatar e masakrues në luftën e Bosnjës. Lufta e Bosnjës është konsideruar mizore për shkak të numrit të viktimave, dhunimeve e përdhunimeve në masë të popullsisë civile, shkatërrimit të qyteteve e fshatrave, zhvendosjes së popullsive dhe përleshjes së tre etnive që mund të flasin me njëri-tjetrin pa përkthyes, por që i dallon lutja drejt Zotit, e të rrethimit të gjatë të Sarajevës.
Tani së fundi kësaj mizorie i është shtuar edhe brutaliteti i gjuetisë mbi banorët e Sarajevës, kryesisht myslimanët, për të cilën është nisur hetim në Itali dhe më pas edhe në Austri. Mbi të gjitha, lufta e Bosnjës konsiderohet mizore për shkak se kjo luftë shpërtheu në një kohë kur mendohej se Europa i kishte tejkaluar konfliktet e ashpra që me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Mizoria në Bosnjë u portretizua në pamjen e kriminelëve që e organizuan dhe atyre që u arrit të dënoheshin, ndër të cilët Ratko Mlladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Mlladiçi e mbylli jetën e tij në burg. Me këtë rast mbylli dhe llogaritë e tij me botën e përtejme. Por nuk ka mbyllur llogaritë me historinë dhe është më se e rëndësishme që emri i tij të asociohet me atë që ai ishte: kriminel gjakftohtë, kasap i popullsisë boshnjake, kontribues i gjenocidit.
Dënimi i tij ishte veçse një përqindje e vendosjes së drejtësisë për të masakruarit, por jo drejtësi e plotë. Sepse Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shtriu mandatin vetëm mbi individin, e kurrë mbi shtetet nxitëse e urdhërdhënëse.
Mlladiçi iu dorëzua vonë kësaj Gjykate, pasi qëndroi 16 vjet në zonën serbe të Bosnjës dhe në Serbi, me autoritetet serbe që pretendonin se nuk e gjenin dot, pavarësisht vizitave të rregullta që Mlladiçi bënte në varrin e vajzës së tij, Ana, të vetëvrarë në mesin e luftës së Bosnjës. Dhe kur e dorëzuan, autoritetet serbe e përdorën si shprehje të vullnetit të mirë që duhet ta bënte BE-në të shpejtonte procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Sot palët janë në të njëjtat llogore. Për turpin dhe ligësinë e palëkundur, Serbia ka njoftuar se do të organizojë ceremoni varrimi për Mlladiçin me nderimet më të larta shtetërore. Ky njoftim pason demonstrimet në Republikën Sërbska që brohorasin emrin e tij dhe lumin e komenteve në rrjetet sociale të serbëve që e konsiderojnë hero, luftëtar të krishterimit kundër myslimanëve, luftëtarin e paepur kundër Al-Kaedës dhe mbrojtës të Europës e të vlerave perëndimore.
Një rivrasje e viktimave të Mlladiçit. Një shpërfillje e verdiktit të një gjykate ndërkombëtare. Një tallje me institucionet ndërkombëtare dhe vendet demokratike që, edhe pse me vonesë, vepruan për të mbyllur një nga kapitujt më të përgjakshëm të luftës në ish-Jugosllavi dhe në kontinentin e Europës.
Mediat dhe organizma politikë sot shprehen se duke i akorduar Mlladiçit nderimet më të larta, autoritetet serbe, nën drejtimin e Presidentit Aleksandër Vuçiç, në fakt promovojnë revizionimin historik në vend të dhënies llogari dhe pajtimit. Ato po e shndërrojnë glorifikimin e personave përgjegjës për gjenocid në politikë zyrtare shtetërore, duke e larguar Serbinë edhe më tej nga vlerat europiane. E ardhmja e saj europiane nuk mund të ndërtohet mbi rehabilitimin e kapitujve më të errët të së kaluarës së saj.
Në fakt, Serbia kurrë deri më sot nuk ka dënuar apo të ketë nënkuptuar sadopak se do t’i largohet të kaluarës së saj, sidomos në raport me Bosnjën dhe Kosovën. Në mënyrë të vazhdueshme vetëm e ka glorifikuar dhe përforcuar, duke luajtur sipas narrativës mbizotëruese të momentit, rolin e heroit mbrojtës të vlerave të krishterimit kundër islamit, apo të viktimës së ushtrive agresore të NATO-s dhe SHBA-së si përfaqësuesve dhe mbrojtëse e shpirtit sllav.
Argumente tepër primitive, por që paturpësia e Serbisë i thotë me zë të lartë. Kur në fakt Serbia është i vetmi vend në Ballkan që ka nxitur luftëra pas vitit 1990 dhe anëtarësimi i së cilës në BE kushtëzohet vijimësisht me dorëzim kriminelësh dhe njohje shtetesh fqinje.
Pavarësisht konceptit mesjetar që ndiqet ende në Serbi apo Republikën Sërbska, Mlladiçi vdiq si një kriminel gjakatar në burg. Aq i etur ishte për gjak, sa dhe të bijës së tij të ndjerë, i mësoi të luajë me armën, atë armë që më pas u përdor për vetëvrasje. Tragjedia në familje, me Anën e vrarë nga armiqtë e të atit apo e vetëvrarë, nuk e bën Mlladiçin hero tragjik. Ai mbetet, për këdo që nuk jeton në errësirën e Mesjetës, një kriminel që kërkoi të gjakosë humanizmin.






















