Nga Yaakov Katz
Shtëpi nën rrethim. Uji dhe energjia elektrike ndërpriten. Familje me fëmijë kanë frikë të dalin nga shtëpitë, sepse druhen se nëse dalin jashtë mund të rrihen, sulmohen ose edhe më keq. Makinave u vihet flaka. Shtëpitë goditen me koktejle molotovi. Fermerët që mbledhin ullinj ose kullosin delet sulmohen. Njerëz të pafajshëm që udhëtojnë nëpër rrugë sulmohen me gurë që hidhen mbi automjetet e tyre.
Po forcat përgjegjëse për zbatimin e ligjit? Shumë shpesh, ushtria dhe policia mbërrijnë, shikojnë përreth, përpiqen të ndajnë palët nëse ka filluar ndonjë përplasje dhe më pas largohen.
Në Izrael, kemi hpikur një term të përshtatshëm për gjithë këtë: “krim nacionalist”. Është një shprehje mrekullisht e paqartë dhe e “pastruar”. Tingëllon mjaft serioze për të treguar se ka ndodhur diçka e keqe, por mjaft e sterilizuar për të shmangur të thënit se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Me fjalë të tjera, është një krim dhe, në njëfarë mënyre, ka diçka nacionaliste në të.
Por ekziston një fjalë tjetër, më e thjeshtë, për atë që po ndodh në disa pjesë të Bregut Perëndimor dhe nuk duhet të kemi frikë ta përdorim. Përkundrazi, kemi detyrimin ta përdorim. Ajo është “terrorizëm”.
Kjo nuk duhet të jetë dhe aq e ngatërruar. Për një moment, imagjinoni sikur historia të përmbyset. Imagjinoni palestinezë që rrethojnë një komunitet izraelit në Jude dhe Samari dhe i pengojnë familjet të largohen nga shtëpitë e tyre. Imagjinoni ata duke e ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin, duke gjuajtur me gurë makinat izraelite, duke sulmuar fermerët në fushat e tyre ose duke hedhur koktejle molotovi mbi shtëpitë hebraike. A do të hezitonte dikush në Izrael për një sekondë t’i quante terroristë? Sigurisht që jo.
Do të kishte lajme urgjente në ekranet televizive. Vetë incidenti do të përfundonte brenda pak minutash, pasi i gjithë vendi do të mbushej me forca speciale. Do të pasonin arrestimet. Do të na thuhej, me të drejtë, se terrorizmi nuk mund të tolerohet dhe se përgjegjësit duhet të gjuhen dhe të dalin para drejtësisë. Atëherë, pse kur hebrenjtë bëjnë të njëjtën gjë ndaj palestinezëve, papritur kemi vështirësi me fjalorin?
Terrorizmi nuk përcaktohet nga feja ose kombësia e personit që e kryen atë. Ai përcaktohet nga akti. Kur dhuna drejtohet qëllimisht kundër civilëve për të arritur një qëllim ideologjik ose nacionalist, siç është rasti i Bregut Perëndimor, duhet të ta quajmë atë me emrin që ka.
Kjo nuk do të thotë se kolonët janë terroristë dhe pikërisht për këtë arsye nuk më pëlqen termi që përdoret shpesh, “dhuna e kolonëve”, sepse krijon përshtypjen se të gjithë banorët e komuniteteve në Jude dhe Samari janë në njëfarë mënyre fajtorë. Nuk janë. Njerëzit që kryejnë akte dhune janë një pakicë e vogël ekstreme e shoqërisë izraelite, ndërsa shumica dërrmuese e qindar-mijëra izraelitëve që jetojnë në Jude dhe Samari nuk duan të kenë asnjë lidhje me këtë dhunë dhe e kundërshtojnë atë.
Por disa nga kjo pakicë janë terroristë dhe nuk duhet të kemi turp ta pranojmë këtë. Sepse për sa kohë Izraeli refuzon ta identifikojë problemin, nuk do të jetë kurrë në gjendje ta luftojë seriozisht atë. Nëse nuk mund të themi se çfarë është diçka, si mund të zhvillojmë mjetet, politikat dhe vendosmërinë e nevojshme për ta ndaluar?
Ajo që ka ndodhur gjatë javës e gjysmë të fundit në fshatin palestinez Qusra e demonstron në mënyrë të përsosur problemin. Historia mund të mos kishte tërhequr kurrë vëmendje ndërkombëtare nëse njëra prej shtëpive nuk do t’i përkiste një palestinezo-amerikani nga Ohio. Loui Ridi u kthye nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur shtëpinë e familjes së tij dhe ngriti një flamur të madh amerikan mbi të, ndoshta duke shpresuar se një flamur amerikan do të siguronte mbrojtjen që autoritetet izraelite të zbatimit të ligjit nuk kishin arritur ta siguronin.
Kjo ndihmoi që Qusra të bëhej një ngjarje ndërkombëtare. Gjithashtu shkaktoi një reagim të jashtëzakonshëm nga ambasadori amerikan Majk Hakëbi, i cili i quajti izraelitët përgjegjës për rrethimin ashtu siç zyrtarët izraelitë duket se nuk janë në gjendje t’i quajnë: terroristë.
Mendoni për një moment për Hakëbin. Ai nuk është diplomat për të cilin ka dyshime se është armiqësor ndaj Izraelit ose ndaj lëvizjes për ngulimet e kolonive hebreje. Përkundrazi. Hakëbi ka qenë për dekada një nga mbështetësit më të zëshëm amerikanë të Izraelit. Ai ka folur vazhdimisht për lidhjen hebraike me Judenë dhe Samarinë si një lidhje biblike, historike dhe të dhënë nga Zoti.
Nëse Hakëbi po sheh atë që izraelitët po u bëjnë palestinezëve në Jude dhe Samari dhe e quan atë terrorizëm, Izraeli duhet t’i kushtojë vëmendje. Në vend të kësaj, ka heshtje. Asnjë dënim nga kryeministri dhe asnjë politikan që del para kamerave dhe deklaron se kushdo që terrorizon civilët palestinezë do të arrestohet dhe do të ndiqet penalisht.
Izraelitët priren ta nënvlerësojnë mënyrën se si histori të tilla si ajo e Qusrës shihen jashtë vendit. Po, autorët janë të paktë dhe po, shumica dërrmuese e izraelitëve nuk do të silleshin kurrë në këtë mënyrë dhe nuk e mbështesin atë.
Por ky argument ka një kufi. Sepse kur dhuna vazhdon; kur nuk bëhen arrestime dhe nuk ngrihen akuza; dhe më pas autorët kthehen përsëri e përsëri, pa u ndëshkuar dhe pa pasoja, dallimi midis një fenomeni periferik dhe diçkaje që tolerohet apo edhe miratohet nga shteti fillon të zbehet.
Merrni, për shembull, ministrin e mbrojtjes, Israel Katz. Kur u bë ministër i mbrojtjes, ai urdhëroi IDF-në të ndalonte përdorimin e paraburgimit administrativ ndaj ekstremistëve hebrenj në Jude dhe Samari. Paraburgimi administrativ është një masë e ashpër dhe problematike dhe, ndonëse asnjë demokraci nuk duhet ta përdorë atë pa kriter, ai është një mjet efektiv që vazhdon të përdoret rregullisht ndaj palestinezëve. Katz thjesht vendosi që ai të mos përdorej më ndaj hebrenjve. Mesazhi është i pagabueshëm: identiteti i autorit përcakton mënyrën se si përkufizohet akti.
Tani, ndërsa dhuna po përshkallëzohet dhe presioni nga Uashingtoni po rritet, përgjigjja e Katzit është se policia duhet të marrë përgjegjësinë për zbatimin e ligjit ndaj civilëve izraelitë në Bregun Perëndimor. Me fjalë të tjera, ky nuk është problemi i tij. Por është problem i ministrit të mbrojtjes. Është gjithashtu problem i ministrit të sigurisë kombëtare dhe i kryeministrit. Në fund të fundit, është problem i gjithë Izraelit.
Përsëri, kjo është një pakicë dhe autorët janë ekstreme të shoqërisë izraelite. Por edhe këtu ka problem me përdorimin e kësaj si mbrojtje: nëse nuk përballesh me një pakicë të dhunshme, nuk arrestohet dhe nuk ndiqet penalisht, përfundimisht bota, me njëfarë të drejte, arrin në përfundimin se shumica, ose të paktën qeveria që e përfaqëson, është e gatshme ta tolerojë atë që po bën kjo pakicë.
Izraeli tashmë po përballet me një betejë gjithnjë e më të vështirë për legjitimitetin dhe pozitën e tij në botë. Izraelitët po përballen me armiqësi dhe protesta në rritje jashtë vendit, ndërsa qeveritë evropiane po shqyrtojnë sërish vendosjen e sanksioneve ndaj shtetit. Miqtë e Izraelit po e kanë gjithnjë e më të vështirë ta mbrojnë vendin.
Është e pëlqyeshme, siç bëjnë shumë njerëz, që e gjitha kjo të hidhet poshtë duke e paraqitur si antisemitizëm, antisionizëm ose shfaqja më e fundit e standardit të dyfishtë të botës ndaj Izraelit. Dhe ndonjëherë pikërisht kjo është. Por ky argument mund të ketë peshë vetëm kur Izraeli mund t’i shikojë miqtë e tij në sy dhe të thotë se po bën gjithçka të mundshme për të mbështetur ligjet dhe vlerat e veta.
Tani për tani, kur bëhet fjalë për terrorizmin hebre në Bregun Perëndimor, ai nuk mund ta thotë këtë. Nëse Izraeli dëshiron që bota të besojë se kjo dhunë nuk është e miratuar nga shteti, ekziston një mënyrë shumë e thjeshtë për ta provuar. Ta ndalojë!
Autori i shkrimit është bashkëthemelues i MEAD Forum, studiues i lartë në Institutin e Politikës për Popullin Hebre dhe ish-kryeredaktor i “The Jerusalem Post”. Libri i tij më i fundit, i shkruar së bashku me Amir Bohbot, “While Israel Slept” (Ndërsa Izraeli flinte), është një libër i shitur shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.






















