Sa më shumë zbardhet dosja e vrasjes së Luis Miguel Varela Mendez, aq më pak kjo ngjarje mund të shitet si një sherr banal që doli jashtë kontrollit. Dëshmitë e miqve të tij tregojnë diçka shumë më të rëndë: pas konfliktit të parë u përfshinë njerëz të tjerë dhe punonjës të “Principotes”, ndërsa në fund një turist 20-vjeçar mbeti i vrarë. Njëri nga miqtë dëshmon se pa personat që e kishin goditur Luisin të largoheshin me vrap drejt lokalit; një tjetër përshkruan ardhjen e personave të tjerë gjatë konfliktit dhe identifikon Sokrat Vatën si njeriun që mbante thikën.
Pra nuk kemi vetëm një autor të dyshuar për vrasjen. Kemi një dosje që duhet të sqarojë rolin e një grupi njerëzish në një dhunë që nisi në një lokal, u përshkallëzua dhe përfundoi me një të ri të vrarë në plazh.
Por pikërisht plazhi hap një dosje tjetër.
“Principotes” lidhet me shoqërinë TORTUGA BAY, e cila në dokumentet e QKB-së figuron 100 për qind në pronësi të Kade Bulicës, nënës së Bekim Bulicës. Në letra është ajo pronare dhe administratore. Në realitet, Bekim Bulica raportohet prej ditësh si njeriu që administronte kompleksin dhe sot është në kërkim në kuadër të hetimeve për ngjarjen. Ai nuk ishte një emër i panjohur për shtetin: është ekstraduar nga Franca në vitin 2021 për një çështje penale dhe emri i tij është shfaqur sërish në vitin 2023 në një procedim për dhunën ndaj një punonjësi policie.
Megjithatë biznesi i familjes Bulica ka marrë nga po ky shtet të drejtën të shfrytëzojë plazhin në Ksamil.
Dhe këtu Blendi Gonxhja nuk mund të heshtë.
Rregullorja që vetë qeveria ka miratuar për sezonin 2026 përcakton se një subjekt privat që kërkon stacion plazhi duhet të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga Ministria e Turizmit, përpara ose në afërsi të plazhit. Madje numri i çadrave që i jepen llogaritet sipas numrit të dhomave të hotelit: një dhomë, dy çadra.
Ligji parashikon disa zona ku mund të jepet stacion plazhi edhe për një strukturë shërbimi që nuk ka hotel. Ksamil-Saranda nuk është mes tyre.
Atëherë pyetja për ministrin e Turizmit është fare e thjeshtë: cili është hoteli i kategorizuar mbi bazën e të cilit TORTUGA BAY ka marrë stacionin e plazhit të “Principotes”? Sa dhoma ka? Ku ndodhet? Me cilin vendim është kategorizuar dhe sa çadra janë miratuar mbi bazën e atyre dhomave?
Sepse këtë leje nuk e ka dhënë një pensioniste dhe as nuk është marrë me një letër të lënë në sportelin e Bashkisë Sarandë. Aplikimet shqyrtohen nga Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve, i përbërë nga pesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Ky grup kontrollon dokumentacionin dhe miraton aplikimin; Agjencia Kombëtare e Bregdetit procedon me kontratën, ndërsa bashkia përgatit planvendosjen dhe dorëzon parcelën në terren. Mbi këtë sistem qëndron Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik, i kryesuar nga ministri përgjegjës për turizmin.
Pra ka emra institucionesh, ka njerëz që kanë kontrolluar dokumente dhe ka firma.
Nëse “Principotes” nuk disponon një hotel të kategorizuar sipas kërkesave të rregullores, atëherë Blendi Gonxhja dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit duhet të shpjegojnë si kaloi aplikimi filtrin e tyre. Nëse hoteli ekziston, le ta bëjnë publik: emrin, kategorinë, numrin e dhomave dhe dokumentin mbi të cilin është dhënë plazhi.
Sepse pas vrasjes së Luis Mendes nuk mjafton më të kërkohet vetëm njeriu që mbante thikën. Duhet kërkuar edhe përgjegjësia e një shteti që dinte të jepte një nga copat më të çmuara të bregdetit shqiptar, por sot duhet të na tregojë se kujt ia dha dhe mbi çfarë dokumentesh ia dha.






















