I.
Teksa qytetarët e Tiranës protestonin sot, në kërkim të ndonjë deputeti — të çfarëdo ngjyre politike — për ta shënjestruar me vezë, Edi Rama kishte zgjedhur një tjetër skenografi. Përballë kësaj furie simbolike të turpërimit, ai kishte mobilizuar forcat e policisë në një shtetrrethim që fliste më shumë për frikë sesa për forcë. Dhe pikërisht në atë atmosferë tensioni, larg syve të publikut, madje edhe të vetë deputetëve, u vu për miratim një marrëveshje kredie prej 302 milionë eurosh.
Gjithçka u bë me ngut. Pa transparencë. Në shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe të Kushtetutës. Ishte e qartë se Edi Rama donte ta kalonte sa më shpejt. Dhe kështu ndodhi. Nuk është se kjo përbën ndonjë çudi. Me 74 vota u miratua një kredi prej 302 milionë dollarë, e marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllimin — të paktën sipas asaj që është bërë publike — për të blerë armë dhe pajisje sigurie… po nga Shtetet e Bashkuara! Tingëllon paradoksale. Dhe, me sa duket, e tillë është.
Por kulmi i cinizmit nuk ishte vetë kredia. Ishte mënyra se si Taulant Balla zgjodhi ta paraqiste atë, si nga foltorja e Kuvendit, ashtu edhe përpara gazetarëve: si dëshmi të marrëdhënieve të shëndosha dhe strategjike që Shqipëria gëzon me SHBA-në.
Është e vështirë të mos ndihesh i fyer nga një narrativë e tillë. Aq më tepër kur dihet se kjo kredi nuk do të shlyhet nga qeveria, por nga qytetarët shqiptarë, cent pas centi, për vite me radhë. Pra, jo vetëm që paguajmë ne — një shoqëri e varfër dhe e rraskapitur — pa ditur përse po marrim këtë borxh, sa është në të vërtetë kostoja e tij, çfarë interesi do të paguajmë, çfarë pajisjesh do të blihen dhe nëse ato mund të ishin siguruar edhe pa hyrë në një tjetër kredi, por duhet të pranojmë edhe propagandën që e shoqëron. Një propagandë, përmes së cilës Rama kërkon të ndërtojë një përfitim krejtësisht personal. Ashtu si në rastin e Bordit të Paqes, ai synon t’u tregojë të gjithëve se “marrëdhëniet me Trump i ka ai”. Dhe këtë e bën me paratë tona. Madje edhe me paratë e atyre që protestojnë çdo ditë duke kërkuar largimin e tij nga pushteti.
Që Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka jo vetëm të drejta, por edhe detyrime, kjo nuk vihet në diskutim. Po ashtu nuk vihet në diskutim partneriteti strategjik me SHBA-në. Amerikanët e konsiderojnë Shqipërinë një partner prej më shumë se një shekulli, shumë kohë përpara se vendin ta qeveriste Edi Rama apo, më herët, Sali Berisha.
Por partneriteti nuk është nënshtrim. Nuk është inferioritet. Aq më pak servilizëm.
Qeveritarët shqiptarë kanë dëshmuar prej kohësh një prirje të sëmurë për t’u përkulur përpara çdo gjëje që mban vulën “amerikane”. Është zgjedhja e tyre. Por nuk është zgjedhja e shqiptarëve.
Shqiptarët nuk e kanë zgjedhur partneritetin me SHBA-në si një akt oportunizmi politik dhe as si një formë servilizmi diplomatik. E kanë zgjedhur si një orientim historik, si një bindje të rrënjosur, si një shprehje të emancipimit politik dhe, në njëfarë mënyre, si një instinkt mbijetese në një hapësirë gjeopolitike të rrethuar nga obskurantizmi lindor në skajet e një Europe të perëndimit që jo gjithmonë na ka pranuar si pjesë të natyrshme të saj.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë zgjedhur të jenë me “më të mirin”, me “më të fortin”, me “më të besueshmin”. Dhe kjo zgjedhje nuk është produkt i qeverive të radhës. Është bërë pjesë e ADN-së sonë politike. Është kthyer në një element të identitetit tonë publik, pothuajse me të njëjtën peshë simbolike që kanë flamuri dhe himni kombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, ky amerikanizëm i sinqertë dhe pa hile i shqiptarëve imponon një sjellje prej partneri, jo prej vasali; prej dinjitari, jo prej servili.
Madje, nëse ka një gjë që vetë amerikanët e kanë kërkuar vazhdimisht nga partnerët e tyre, është pikërisht kjo.
Asnjëherë nuk na kanë vënë përballë zgjedhjeve poshtëruese. Nuk na kanë detyruar të kalojmë nëpër dilema artificiale. Kur kanë pasur interesa, kanë konsultuar autoritetet shqiptare. Nuk kanë vepruar në fshehtësi dhe nuk kanë ndërtuar marrëdhënie mbi hile apo dykuptimësi. Jo sepse nuk mundeshin, por sepse nuk kanë pasur nevojë.
Një superfuqi nuk fiton asgjë duke pasur përballë një vasal që i bindet nga frika. Një vasal mund të ndryshojë qëndrim sapo ndryshojnë rrethanat.
Amerikanët kanë preferuar gjithmonë partnerin që ndihet i barabartë në dinjitet; partnerin që, kur është e nevojshme, di të thotë edhe “jo”, apo “unë e shoh ndryshe”, pa e cenuar aleancën. Pikërisht ky është partneriteti që ata kërkojnë. Dhe pikërisht ky është partneriteti që shqiptarët kanë besuar se ndërtojnë me SHBA-në.
II.
Sigurisht, amerikanët kërkojnë edhe diçka tjetër: që përfaqësuesit e shqiptarëve të mos jenë hajdutë, të mos jenë të korruptuar, të mos jenë njerëz që e përdorin pushtetin për interes privat dhe që kanë llogari të hapura me ligjin apo me drejtësinë.
Pikërisht këtu fillojnë problemet.
Madje, pikërisht këtu devijon i gjithë takimi moral mes shqiptarëve dhe aleatit të tyre më të madh. Sepse, në mënyrë krejt të gabuar, qëndrimi proamerikan i një populli identifikohet me sjelljen e atyre që pretendojnë ta përfaqësojnë atë, qofshin në qeveri apo në opozitë.
Në teori, ata flasin në emër të Shqipërisë. Në praktikë, flasin vetëm në emër të vetes.
Shembullin më domethënës e dhanë sot pikërisht deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Ata vazhdojnë të pretendojnë se janë përfaqësues të qytetarëve, ndërkohë që prej dy muajsh nuk mund të lëvizin pa u rrethuar, njëherazi, nga protestuesit që i kundërshtojnë dhe nga policët që përpiqen t’i mbrojnë.
Megjithatë, në planin formal, ata mbeten zëri zyrtar i shtetit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si sillen nuk është më një çështje personale. Është një çështje që prek vetë mënyrën se si përfaqësohet Shqipëria.
Deformimin më të madh të këtij përfaqësimi e mishëron sot qeveria dhe mazhoranca e Edi Ramës. Jo si një shumicë parlamentare që qeveris me përgjegjësi, por si një grup që vepron në logjikën e fshehtësisë.
Një marrëveshje kredie prej 302 milionë dollarësh u mbajt e fshehtë. Madje edhe nga vetë deputetët e mazhorancës, ndonëse këta të fundit nuk kanë krijuar kurrë përshtypjen se ndihen të detyruar të lexojnë atë që votojnë.
Roli i tyre është bërë mekanik. Presin sinjalin. Ngrenë kartonin jeshil.
Dhe aty përfundon funksioni i tyre si deputetë.
Por pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: përse duhet të mbahet e fshehtë një kredi prej 302 milionë dollarësh?
Nga kush fshihej ajo? Nga amerikanët? Vështirë të besohet. Shtetet e Bashkuara nuk do t’ua besonin kurrë sekretet e strategjisë së tyre ushtarake një grupi njerëzish, niveli politik dhe institucional i të cilëve është ai që është.
Nga deputetët e mazhorancës? As kjo nuk bind. Përveçse nuk kanë treguar ndonjë interes për të lexuar dokumentet që votojnë, është e vështirë të besohet se shumica prej tyre do të ishin në gjendje të kuptonin ndonjë aspekt teknik të marrëveshjes.
Nga opozita? Edhe kjo hipotezë duket e brishtë. Opozita pati mundësinë ta lexonte dokumentin. Por nuk pati as guximin dhe as vullnetin për të mbajtur një qëndrim të qartë politik. Ajo zgjodhi edhe një herë pozicionin klasik: as mish, as peshk. Tamam si një midhje.
Prandaj mbetet vetëm një shpjegim racional: Marrëveshja nuk u mbajt e fshehtë nga amerikanët. As nga deputetët. As nga opozita. U mbajt e fshehtë nga qytetarët shqiptarë. Pra, pikërisht nga ata që do ta paguajnë paratë. Nga ata që janë të vetmit “proamerikanë” të sinqertë në ADN.
Ekziston edhe një version tjetër i ngjarjes. Më banal. Thuhet se Rama e solli marrëveshjen në Kuvend në minutën e fundit, në kundërshtim edhe me afatet kushtetuese — të cilat parashikojnë se një akt i tillë nuk mund të shqyrtohet pa kaluar të paktën një javë — me qëllim që ta vinte opozitën e Sali Berishës përballë një dileme politike.
Kjo nuk do të ishte hera e parë. Të njëjtën skemë përdori edhe me Bordin e Paqes. Atëherë u pa qartë sikleti i Berishës. Nuk e votoi. Por nuk e kundërshtoi dot. Sepse kishte frikë se mos etiketohej si “anti-Trump”.
Edhe sot zgjodhi të njëjtën rrugë. “Jam pro marrëveshjes, por kundër mënyrës antikushtetuese me të cilën po miratohet.” Në fund, zgjodhi të mos marrë pjesë fare në votim.
Me fjalë të tjera, mes Kushtetutës dhe marrëveshjes së kredisë, Berisha nuk mbrojti as njërën, as tjetrën. Nuk mbrojti Kushtetutën me votë. Nuk mbrojti transparencën me qëndrim politik. Zgjodhi mungesën. Dhe, duke munguar, ia la të gjithë fushën të lirë Edi Ramës. E gjitha vetëm për të mos u perceptuar si “antiamerikan”.
Megjithatë, edhe ky shpjegim nuk duket se e shteron të vërtetën. Prej dy muajsh, Edi Rama nuk sillet më sikur Sali Berisha të jetë kundërshtari që mund t’i prishë planet. Ai e ka kuptuar se opozita reale nuk ndodhet më në selinë e Partisë Demokratike. Ajo ndodhet në rrugë. Në shesh. Tek qytetarët. Është ende pa strukturë, pa organizim dhe pa një udhëheqje të qartë. Por, pikërisht për këtë arsye, është edhe më pak e parashikueshme. Dhe Rama e di se me një opozitë të tillë nuk mund të luajë lojërat parlamentare që luan prej vitesh me Berishën.
Ajo që ka shumë më tepër gjasa të jetë e vërteta është diçka tjetër. Përpjekja, thuajse e dëshpëruar, e Edi Ramës për të vulosur një imazh sa më të fortë “proamerikan”, në prag të zhvillimeve që lidhen me samitin e ardhshëm të NATO-s.
Prej dy vitesh është folur se, pas samitit të Stambollit, radha do t’i vinte Tiranës. Por samiti i Stambollit u zhvillua dhe deklarata përfundimtare nuk përmbajti asnjë vendim të qartë që samiti pasues do të mbahej në kryeqytetin shqiptar. Pikërisht në këtë boshllëk politik duket se Rama po investon gjithçka.
Ai përpiqet, përmes lobimeve dhe gjesteve politike, të krijojë kushtet që Donald Trump, në vitin 2027 ose 2028, të vijë në Tiranë si President i Shteteve të Bashkuara. Për Ramën, kjo nuk do të ishte thjesht një vizitë. Do të ishte fotografia që kërkon. Vula politike që i nevojitet. Legjitimimi ndërkombëtar që do të përpiqej ta shndërronte në kapital elektoral. Një imazh i tillë do të shërbente si një lloj amnistie politike përballë opinionit publik shqiptar dhe, njëkohësisht, si një laissez-passer për zgjedhjet e vitit 2029.
Në këtë logjikë, paratë publike shndërrohen në instrument politik. Edhe nëse kjo nënkupton marrjen e një kredie të re. Edhe nëse kjo nënkupton rëndimin e mëtejshëm të borxhit publik. Edhe nëse kjo nënkupton mungesë transparence. Objektivi është një tjetër. Të demonstrohet se Shqipëria po përmbush standardin minimal të shpenzimeve të mbrojtjes që kërkon NATO.
Kjo është pjesa që shihet. Por vetëm kjo. Sepse pjesa tjetër mbetet ende në hije. Koha, me shumë gjasa, do të nxjerrë në sipërfaqe gjithçka që sot fshihet pas mungesës së transparencës për mënyrën se si do të përdoren këto para në sektorin e mbrojtjes. Dihet tashmë se një sërë kontratash në këtë fushë janë pezulluar ose janë anuluar. Po ashtu, qarkullojnë prej kohësh zëra për figura gjysmë misterioze, si Ron Yeffet, emri i të cilit lidhet vazhdimisht me biznesin e mbrojtjes. Sot këto janë vetëm indicie. Nesër mund të rezultojnë shumë më tepër.
III.
Nëse qëndrimi i Ramës ngre pikëpyetje, ai i Sali Berishës ngre edhe më shumë. Sepse Berisha e di fare mirë se çfarë po ndodh. E di se mungesa e transparencës nuk është rastësi. E di se ngutja për ta kaluar marrëveshjen nuk është procedurë, por zgjedhje politike. E di se Kushtetuta po anashkalohet. E di se Rama po përpiqet të blejë kohë, hapësirë dhe legjitimitet.
Megjithatë, nuk vepron.
Kjo është pjesa më problematike. Sepse respekti ndaj aleatit nuk provohet duke heshtur përballë shkeljes së Kushtetutës. Përkundrazi. Respekti ndaj SHBA-së do të kërkonte pikërisht denoncimin e përdorimit të marrëdhënies me ta për interesa personale.
Nëse Rama po instrumentalizon partneritetin strategjik për të zgjatur jetën e vet politike, atëherë denoncimi i kësaj sjelljeje nuk do të ishte një akt kundër Amerikës. Do të ishte një akt në mbrojtje të seriozitetit të marrëdhënies me Amerikën. Madje edhe vetë amerikanëve do t’u shërbente më shumë një partner që mbron institucionet e veta sesa një klasë politike që përdor emrin e tyre si mburojë për interesa të brendshme.
Prandaj Berisha kishte disa rrugë. Mund ta votonte kundër marrëveshjen, duke argumentuar se po mbronte Kushtetutën. Mund ta çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Mund ta kthente mungesën e transparencës në betejë politike.
Asnjërën nuk bëri.
Paradoksi është se Berisha dhe grupi i tij kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese çështje shumë më pak të rëndësishme se kjo. Ndërsa për një kredi prej mbi 300 milionë eurosh, të miratuar me procedurë që vetë ata e konsiderojnë antikushtetuese, zgjodhën të mos bëjnë asgjë. As votë. As padi. As betejë politike. Vetëm mungesë.
Kjo nuk është më një zgjedhje taktike. Është një shfaqje pafuqie. Një opozitë që pranon të largohet nga salla në momentin kur pretendohet se po shkelet Kushtetuta, heq dorë vetë nga funksioni i saj kushtetues. Sepse opozita nuk ekziston për të mos u keqkuptuar. Ekziston për të kundërshtuar. Sidomos atëherë kur pretendon se po mbrohet rendi kushtetues.
Në fund mbetet një kontrast i fortë.
Rama e përdor marrëdhënien me SHBA-në si kapital politik. Berisha ka frikë ta prekë atë marrëdhënie, edhe kur pretendon se po shkelet Kushtetuta.
Njëri e instrumentalizon. Tjetri stepet. Dhe, në fund, fitues del vetëm ai që kontrollon pushtetin.
IV.
Më qesharak, në gjithë këtë episod, është Agron Shehaj.
Jo për vrapin që bëri në korridoret e Kuvendit pasi rrëmbeu kopjen e marrëveshjes. As për skenën thuajse farseske të sekretares së Kuvendit, e cila u rrëzua në shkallë duke u përpjekur të ndiqte deputetin me dokumentin në dorë. Por për atë që ndodhi më pas.
Sapo mazhoranca e kërcënoi me një përjashtim 60-ditor dhe me kallëzim penal në SPAK, Shehaj nxitoi të dilte para mediave. Jo për të shpjeguar përmbajtjen e marrëveshjes. Jo për t’u treguar qytetarëve se çfarë kishte lexuar. Por për t’u shfajësuar.
Madje, në vend që të fliste për dokumentin, kërkoi që SPAK-u të hetojë ata që, një javë më parë, e nxorën me forcë nga Kuvendi. Ishte një reagim që tradhtonte frikë.
Dhe pikërisht kjo e bën edhe më problematik. Sepse, për herë të parë pas shumë kohësh, ai kishte në dorë një rast real për të treguar se ishte ndryshe nga pjesa tjetër e asaj salle.
Një deputet nuk mund të votojë i painformuar. Sidomos kur bëhet fjalë për një kredi prej më shumë se 300 milionë eurosh. Detyrimi i tij nuk mbaron te leximi i marrëveshjes. Aty fillon. Ai kishte mundësinë ta studionte dokumentin dhe të dilte në një konferencë për shtyp për t’u shpjeguar qytetarëve se çfarë përmbante ai.
Ky është një nga funksionet themelore të një deputeti. Të kontrollojë pushtetin. Të informojë publikun. Të bëjë transparencë.
Le ta kallëzonin pastaj në SPAK për “zbulim të informacionit të klasifikuar”. Do të kishte qenë një rast ideal për të vënë në provë vetë logjikën e këtij klasifikimi. Sepse pikërisht aty do të hapej debati i vërtetë. A mund të konsiderohet sekret një dokument mbi të cilin deputetët duhet të votojnë në emër të qytetarëve? A mund të përdoret etiketa “konfidenciale” për t’i mohuar publikut të drejtën të dijë se si po angazhohen qindra milionë euro nga buxheti i shtetit?
Kjo do të kishte qenë beteja. Jo rrëmbimi i dokumentit. Por mbrojtja publike e së drejtës për ta bërë atë dokument objekt debati.
Vetë Agron Shehaj ka deklaruar se klasifikimi si “konfidencial” është bërë nga qeveria e korruptuar e Edi Ramës. Nëse vërtet beson këtë, atëherë pikërisht sot kishte rastin ta provonte. Madje kishte mundësinë të bënte atë që prej kohësh ua kërkon deputetëve të Partisë Demokratike në lidhje me dosjet sekrete të Belinda Ballukut: transparencë.
Ta demonstronte vetë. Jo ta predikonte. Nuk e bëri, përkundrazi zgjodhi të tërhiqej.
Për Arlind Qorin nuk ka shumë për të thënë. Deri në këtë moment nuk ka artikuluar asnjë qëndrim publik mbi këtë çështje. Edhe heshtja, ndonjëherë, është një formë pozicionimi. Sidomos në politikë.
Dhe kështu mbyllet edhe ky episod. Një qeveri që e trajton transparencën si pengesë. Një opozitë që ngurron të ushtrojë funksionin e saj kushtetues. Deputetë të mazhorancës që votojnë pa lexuar. Deputetë të opozitës që lexojnë, por nuk veprojnë. Një Kuvend që i ngjan gjithnjë e më pak institucionit që Kushtetuta ka imagjinuar.
Kjo është fotografia e Shqipërisë së sotme. Në fakt Shqipëria e vjetër. Secili prej protagonistëve të saj, sipas rolit që luajti në këtë episod, dha një arsye më shumë pse nuk meriton të përfaqësojë shqiptarët në atë sallë.






















