“Ballist”, “hajdut pulash”, “sorrë vjedhacake”. Këto ishin etiketat që zgjodhi kryeministri Edi Rama për t’iu përgjigjur Agron Shehajt, pasi ky i fundit mori nga Kuvendi dokumentin e klasifikuar që lidhet me marrëveshjen e kredisë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara. Përtej debatit nëse veprimi i Shehajt ishte i drejtë apo jo, reagimi i Ramës nxori në pah diçka tjetër, shumë më interesante: mënyrën se si kryeministri vazhdon të ndërtojë figurën e kundërshtarit politik.
Është paradoksale që pikërisht kryetari i partisë që trashëgon Partinë e Punës së Shqipërisë vazhdon të përdorë edhe sot fjalorin e propagandës komuniste. Në filmat e realizmit socialist, “ballisti” ishte gjithmonë personazhi negativ: hajdut, tradhtar, frikacak, armik i popullit. Ishte figura që propaganda e regjimit kishte zgjedhur për të mishëruar të keqen.
Më shumë se tre dekada pas rënies së komunizmit, Edi Rama rikthehet te i njëjti repertor. Duke reaguar ndaj Agron Shehajt, ai e cilësoi “ballist”, “hajdut pulash” dhe “sorrë vjedhacake”, duke përdorur një gjuhë që të kujton më shumë filmat bardhezi të Kinostudios sesa debatin politik të një vendi anëtar të NATO-s.
Veprimin e Agron Shehajt do ta gjykojnë qytetarët dhe, nëse është rasti, drejtësia. Por Edi Rama duket se e ka vendosur prej kohësh kastin: “ballisti”, “hajduti”, “sorra”. Janë po të njëjtët personazhe që Kinostudioja “Shqipëria e Re” prodhonte me shumicë dekada më parë. Ndryshon vetëm një gjë: në vitin 2026 publiku nuk shikon më filma propagande. Shikon Netflix. Dhe skenarët e vjetër nuk i beson më askush.






















