
Parlamenti miratoi sot, mes tensioneve dhe pa votat e opozitës, marrëveshjen e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes. Debati nuk u përqendrua vetëm te përmbajtja e saj, por edhe te procedura e ndjekur, pasi opozita kundërshtoi shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar, duke argumentuar se një marrëveshje me rëndësi strategjike nuk mund të kalojë pa një debat të plotë parlamentar.
Ky debat sjell në kujtesë një nga ndërhyrjet më interesante të viteve të para të pluralizmit. Më 6 prill 1995, deputeti Abdi Baleta doli në foltoren e Kuvendit për të kundërshtuar ratifikimin e një marrëveshjeje tjetër me Shtetet e Bashkuara, duke lënë një shprehje që tingëllon aktuale edhe sot: “Nuk do të na kërkohet që këtë marrëveshje ta miratojmë derr në thes.”
Baleta e nisi fjalën duke sqaruar se nuk ishte kundër marrëdhënieve me SHBA, por kundër mënyrës se si po kërkohej të merrej vendimi. Ai madje ftonte deputetët të merrnin shembull nga vetë amerikanët.
“Duhet të marrim shembull pikërisht nga administrata amerikane. Sa mirë dhe me çfarë serioziteti Qeveria Amerikane i mbron interesat e shtetasve të saj. Pavarësisht se jemi shtet i vogël, edhe ne duhet të veprojmë po kështu për t’i ndrequr punët dhe jo për t’i prishur.”
Më tej ai refuzonte logjikën se një marrëveshje ndërkombëtare mund të trajtohej si një pazar politik.
“Unë nuk e shikoj ratifikimin e kësaj marrëveshjeje si allishverish. Nuk është çështje ‘jap dy e marr pesë’ apo ‘jap tre e marr shtatë’. Flasim për parime me rëndësi juridike.”
Në një pjesë të gjatë të ndërhyrjes së tij, Baleta kritikonte ashpër ekspertët e qeverisë, duke thënë se ata kishin shtuar konfuzionin në vend që të sqaronin deputetët. Ai vinte në dyshim vetë formulimin e marrëveshjes, ngrinte pikëpyetje për përzierjen e çështjeve juridike krejt të ndryshme në të njëjtin tekst dhe kundërshtonte faktin që Kuvendit po i kërkohej ta miratonte dokumentin nën presionin e afateve.
Sipas tij, një shtet serioz nuk duhet të sakrifikojë dinjitetin institucional vetëm sepse përballë ka një aleat të madh.
“Parimet dhe dinjiteti shtetëror vlejnë shumë më tepër se 13 milionë dollarë.”
Në fund, Baleta votoi kundër marrëveshjes, jo sepse ishte kundër partneritetit me SHBA, por sepse besonte se mënyra se si po procedohej krijonte një precedent të gabuar për shtetin shqiptar.
Edhe pse marrëveshja e vitit 1995 kishte një objekt krejt tjetër nga ajo e miratuar sot, debati procedural tingëllon çuditërisht i njohur. Atëherë, si edhe sot, kundërshtimet nuk lidhen domosdoshmërisht me partneritetin me Shtetet e Bashkuara, por me pyetjen nëse Kuvendi duhet të ketë kohën, informacionin dhe hapësirën e nevojshme për të ushtruar rolin e tij kushtetues.
Historia ka një mënyrë të çuditshme për t’u përsëritur. Më 6 prill 1995, Abdi Baleta paralajmëronte Kuvendin të mos votonte një marrëveshje me SHBA “derr në thes”, duke kërkuar kohë për shqyrtim dhe respekt për dinjitetin institucional. Plot 31 vjet më vonë, një tjetër marrëveshje me SHBA kalon sërish me procedurë të përshpejtuar, mes akuzave të opozitës se po shmangej debati parlamentar. Marrëveshjet janë të ndryshme, konteksti është tjetër, por dilema mbetet e njëjtë: a duhet që marrëveshjet më të rëndësishme të kalojnë me nxitim, apo me kohën dhe transparencën që kërkon një Parlament?
Fjalimi i plotë i Abdi Baletës në parlament:
SEANCË PLENARE
E enjte, 06.04.1995, ora 10:00
Drejton seancën, z. Pjetër Arbnori
Abdi Baleta – Faleminderit, z. Kryetar!
Këtu dalin një sërë problemesh përpara se të marrin vendimin secili për vete, natyrisht, për të votuar pro apo kundër ratifikimit.
Së pari, unë do të thoja që cilado qofshin konsideratat politike, ekonomike e të tjera, nuk do të na kërkohet që këtë marrëveshje ta miratojmë derr në thes. Duhet të marrim shembull pikërisht nga administrata amerikane. Sa mirë dhe me çfarë serioziteti Qeveria Amerikane i mbron interesat e shtetasve të saj, mbron parimet e politikës së vet. Pavarësisht se jemi shtet i vogël dhe ne, duhet që të veprojmë po kështu për t’i ndrequr punët dhe jo për t’i prishur.
Unë nuk e shikoj ratifikimin e kësaj marrëveshjeje si një allishverish. Do t’u lutesha deputetëve që nuk duan të dëgjojnë, të dalin të bëjnë biseda në korridor.
Pra, unë nuk e shikoj ratifikimin e kësaj marrëveshjeje si allishverish, jap dy të marr pesë; jap tre, marr shtatë. Flasim për parime me rëndësi juridike.
Që në titullin e marrëveshjes është një dyshim. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e disa pretendimeve. Provoni zotërinj të nxirrni një marrëveshje me këtë titull në botë, ku të thuhet për zgjidhjen e të gjitha pretendimeve. A janë pretendime për lojën golf, a janë pretendime për gjah? Që këtu fillon mungesa e seriozitetit. Për çfarë pretendimesh është fjala? Kjo nuk është e rastit. Kjo ka ndodhur, sepse janë bashkuar dy gjëra të natyrave krejt të ndryshme. Është bashkuar një problem më shumë i të drejtës civile private, ndërkombëtare private, siç është kompensimi i pasurive, me një problem të të drejtës ndërkombëtare publike, siç është një konflikt ndërkombëtar që ka ekzistuar midis Shqipërisë dhe Anglisë për 50 vjet.
Kisha shumë pyetje për të bërë, por s’është e arsyeshme për t’i bërë, sepse do të ngatërrohemi më keq, siç u ngatërruan gjërat me atë përgjigje që dhanë ekspertët. Mua më vjen keq, por ekspertët kanë ndihmuar për të shtuar konfuzionin sot me përgjigjet e pakualifikuara dhe shpesh herë dezinformuese. P.sh.: nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për arin monetar shqiptar. E vetmja shprehje e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që e ka ngatërruar problemin,është caktimi i shumës së dëmshpërblimit për anijet dhe marinarët anglezë që e pësuan në Kanalin e Korfuzit prej 800 mijë funt stërlinash. Kjo ka qenë në tejkalim të kompetencave të gjykatës dhe shteti shqiptar, qoftë dhe ai komunist, ka pasur shumë të drejtë që nuk e ka njohur këtë tejkalim kompetencash nga Gjykata e Hagës.
Ari monetar shqiptar nuk është lënë peng në Angli nga gjykata. Të mos nxjerrim bishta të tillë kot kundër vetes tonë. Ari është mbajtur në mënyrë arbitrare nga qeveria angleze.
Janë bërë bisedime në Angli, në Francë, për caktimin e shumës, por s’pati rezultat. Anglia mbajti arin. Ari ka mbetur në Angli edhe pas një shqyrtimi nga një arbitër ndërkombëtar, një zviceran, po i bie shumë shkurt këtyre gjërave, sepse pretendoi Italia që ai ar është marrë nga Gjermanët në Bankën e Italisë; është ari i Italisë, sepse Banka e Italisë ka pasur në atë kohë marrëveshje me Bankën e Shqipërisë etj. U caktua një arbitër zviceran për ta shqyrtuar konfliktin. Ai e ka shqyrtuar dhe ka thënë: “Ka të drejtë Shqipëria”. Dhe e dini pse e tha që ka të drejtë Shqipëria? Sepse po ta kishte të drejtën Shqipëria, kishte të drejtën Anglia ta bllokonte vetë dhe e bllokoi.
Problemi i shtrimit të arit është bërë objekt diskutimesh të gjata. Mbase nuk është tani ish-drejtori i Ministrisë së Jashtme, Andon Bërxolli, që ka bërë disa udhëtime në Paris për të biseduar me anglezët para 7-8 vjetësh. Janë bërë bisedimet prej kohësh nëpërmjet Ambasadës së Francës në Shqipëri. E vetmja pengesë ka qenë pretendimi i Anglisë. Natyrisht, Qeveria Shqiptare ka bërë jashtëzakonisht gabim në atë kohë që e ktheu kthimin e arit në një problem, që pengonte vendosjen e dhënies së ndihmave dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ari të diskutohej më vonë. Kjo pati pasojat politike të izolimit, por i vetmi konflikt ka qenë me Anglinë.
Kjo që del tani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është krejt e papritur për mua. Dje e kam marrë vesh për herë të parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës paskan nxjerrë një pretendim të tillë; dy gjëra që s’kanë të bëjnë fare. Për çështjen e arit nuk mund të ketë marrëveshje bilaterale Shqipëri-Shtetet e Bashkuara, por të ketë vetëm Shqipëri-komision tripalësh.
Çështja e arit nuk është reparacion, nuk është dëmshpërblim; është restitucion. Kështu që kjo marrëveshje është komplet jashtë parimeve juridike ndërkombëtare. Për mua është e dëmshme. Nuk e mendoja se mund të bëhej një marrëveshje e tillë, e them sinqerisht.
Mund të ketë interesa grupore, partiake e ku e di unë se çfarë, por unë nuk shoh ndonjë dobi as për interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bëhet një marrëveshje e tillë, një precedent i tillë krejt i panevojshëm, aq më tepër që sot, fatkeqësisht, po i paraqitet gati si ultimatum nga Qeveria jonë Kuvendit: “Ose bëje..., ose u shua dynjaja”. Këto nuk shërbejnë as për rregullimin e marrëdhënieve me Amerikën.
Unë mendoj se mbajnë përgjegjësi shërbimet tona qeveritare, të cilat pa kompetencë, pa përgjegjësi, veprojnë kështu dhe kujtojnë se, duke u treguar shumë xhentilë ndaj çdo kërkese që paraqesin të tjerët, sidomos shtetet e mëdha, u rregulluan marrëdhëniet. Nuk ka për ta ditur njeri për nder këtë gjë. Këtu ka defekte mjaft serioze.
Kjo bie në kundërshtim me ligjet tona për pronësinë. A do ta ndjekë dot precedentin e kësaj që vë në këtë marrëveshje edhe për qytetarë të tjerë. Një shqiptar që qenka në Amerikë, u shpërbleka me para në dorë, vetëm se ato kanë peng arin tonë atje, komisioni tripalësh, kurse ata që humbën jetën këtu që u vodhën floririn dajak e të tjera s’u jepet asgjë. Unë kam besim që, po të ishin shtruar më mirë çështjet, ndoshta do të ishte pikërisht administrata amerikane ajo që do të ishte treguar shumë dashamirëse dhe të mos bëhej kjo marrëveshje, e cila për mua është një precedent i keq.
S’dua të zgjatem shumë, sepse këtu ka shumë për të thënë. Unë do të votoj pa hezitim kundër kësaj marrëveshjeje, sepse parimet, dinjiteti shtetëror, vlejnë shumë më tepër se 13 milionë dollarë që na dhënkan tani, duke krijuar precedente që na kushtojnë.
Kjo s’ka të bëjë aspak me vendimet e Kongresit të Përmetit. S’ka asnjë lidhje midis arit monetar shqiptar dhe vendimeve të këtij Kongresi. Ato vendime s’duhen përmendur fare, se s’kanë asnjë vlerë.
Ju faleminderit!






















