Politika 27 July 2026, 14:40 Nga VNA

Opozita bojkoton seancën e orës 15:00/ Bardhi: Jemi pro marrëveshjes me SHBA, por jo procedurës së qeverisë

Ndaje në Whatsapp

fvdfv.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar se opozita e mbështet në parim marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake, por kundërshton procedurën e ndjekur nga mazhoranca për miratimin e saj në Kuvend.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi e cilësoi seancën plenare të thirrur për këtë të hënë si antikushtetuese, duke argumentuar se deputetët nuk kanë pasur në dispozicion tekstin e plotë të marrëveshjes dhe as relacionin shpjegues të projektligjit të paraqitur nga qeveria.

Për këtë arsye, kreu i grupit parlamentar të PD-së njoftoi se opozita nuk do të marrë pjesë në seancën plenare të planifikuar për orën 15:00.

“Seanca plenare e planifikuar për sot është thirrur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të votojë një ligj më herët se një javë nga momenti i fillimit të shqyrtimit të tij. Rasti konkret është edhe më flagrant, pasi deputetëve ende nuk u është shpërndarë teksti i marrëveshjes për të cilën ftohen të votojnë, madje as relacioni shoqërues i projektligjit të paraqitur nga qeveria”, thuhet në deklaratën e Gazment Bardhit.

Sipas tij, opozita nuk është kundër marrëveshjes me SHBA-në, por kërkon që procesi i miratimit të saj të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Deklarata e Gazment Bardhit: 

Po marrëveshjes me SHBA!

Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament!

Ky është qëndrimi i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh që Shqipëria merr nga SHBA për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake.

Seanca plenare e planifikuar për sot, në orën 15:00, është thirrur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të votojë një ligj më herët se një javë nga momenti i fillimit të shqyrtimit të tij.

Rasti konkret është edhe më flagrant, pasi deputetëve ende nuk u është shpërndarë teksti i marrëveshjes për të cilën ftohen të votojnë, madje as relacioni shoqërues i projektligjit të paraqitur nga Qeveria.

Praktika e vendosur nga Kryetari i Kuvendit, sipas së cilës deputetët duhet të njihen me tekstin e marrëveshjes përmes një leximi në grup, brenda ambienteve të Kuvendit, është poshtëruese dhe bie ndesh me statusin kushtetues të deputetit. Kuvendi ka detyrimin t’u vërë në dispozicion deputetëve të gjithë dokumentacionin parlamentar. Nëse është kërkuar që marrëveshja të mos bëhet publike, atëherë deputetët mund të angazhohen me shkrim për ruajtjen e konfidencialitetit të saj.

Megjithatë, shumica parlamentare refuzon ta ndjekë këtë praktikë, duke i kërkuar Kuvendit të votojë një marrëveshje me përmbajtje të panjohur për deputetët dhe pa u dhënë atyre mundësinë ta shqyrtojnë atë.

Për këto arsye, deklarojmë se nuk do të marrim pjesë në një seancë plenare të thirrur në kundërshtim me Kushtetutën.

Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se ky veprim antikushtetues i shumicës parlamentare është poshtërues për institucionin e Kuvendit, për deputetët e tij, si edhe për rëndësinë që mbart marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, Grupi Parlamentar i PD-së, në konsultim edhe me grupet e tjera parlamentare të opozitës, ia ka komunikuar me shkrim gjatë fundjavës Kryetarit të Kuvendit qëndrimin e tij dhe ka rënë dakord për sa vijon:

Opozita është PRO, në parim, marrëveshjes me SHBA-në.

Opozita kërkon të njihet me tekstin e plotë të marrëveshjes, duke respektuar të drejtën kushtetuese të çdo deputeti për të votuar i informuar. Menjëherë pasi të njihet me përmbajtjen e saj, opozita i ka garantuar Kryetarit të Kuvendit votën e saj PRO.

Opozita kërkon respektimin e procedurës kushtetuese të ratifikimit të marrëveshjes. Kuvendi nuk mund të injorojë Kushtetutën dhe të zhvlerësojë një marrëveshje me partnerin tonë strategjik – SHBA-në – duke ndjekur procedura të parregullta. Ratifikimi duhet të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Për këtë arsye, kemi propozuar që marrëveshja të miratohet, në respekt të afateve kushtetuese, në seancën plenare të së premtes, më 31 korrik 2026. Gjithashtu, kemi garantuar Kryetarin e Kuvendit për praninë tonë në atë seancë dhe për votën tonë PRO.

Këto kërkesa legjitime të opozitës, megjithëse u konsideruan të arsyeshme nga Kryetari i Kuvendit, u refuzuan nga shumica parlamentare, e cila po zbaton porosinë politike të Edi Ramës për të poshtëruar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për të cenuar të drejtat kushtetuese të deputetëve dhe për të vënë në diskutim kushtetutshmërinë e ratifikimit të një marrëveshjeje me partnerin tonë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Video

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Janë publikuar pamjet e autorit të dyshuar të sulmit me thikë pranë stacionit të tramvajit Porte de Clichy në Paris, ku mbetën të plagosura tre gra, dy prej tyre në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Në video, i dyshuari shihet duke vrapuar në rrugë, ndërsa sipas mediave franceze ai dëgjohet të thotë: “Allahu është ai që më urdhëroi”. Autoritetet franceze po hetojnë motivet e sulmit, ndërsa Ministri i Brendshëm deklaroi se është ende herët për të përcaktuar shkakun e ngjarjes. Sipas burimeve hetimore, i arrestuari paraqet profilin e një personi me çrregullime mendore.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme