Nga Homeri te deepfake-et, nga Kali i Trojës te grupet e WhatsApp-it dhe më pas te “Revolucioni i Flamingove”. Kryeministri Edi Rama zgjodhi një udhëtim prej më shumë se tre mijë vitesh histori për të shpjeguar se si funksionojnë sot sulmet hibride dhe dezinformimi, duke e kthyer konferencën në një rrëfim që herë i ngjante një leksioni mitologjie e herë një skenari filmi.
Në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, Rama argumentoi se sot vendet nuk pushtohen më vetëm me ushtri, por edhe me video të manipuluara, deepfake, trollë dhe mesazhe në WhatsApp.
Për ta bërë më të prekshëm mesazhin, ai solli në skenë vetë Homerin.
“Troja nuk ra prej ushtrisë së dobët apo mureve të brishta. Ra sepse kërcënimi hyri i maskuar si diçka e pafajshme. Kali i Trojës na tregoi se rreziku më i madh rrallë troket në derë”, tha kryeministri.
Por udhëtimi nuk u ndal te antikiteti. Pas Kalit të Trojës erdhi radha e asaj që Rama e quajti “Revolucioni i Flamingove”, të cilin e përshkroi si një shembull të një “çarjeje” që, sipas tij, u shfrytëzua nga “armiqtë” përmes një operacioni me trollë dhe avatarë.
Sipas Ramës, sa më afër Bashkimit Europian afrohet një vend, aq më shumë bëhet objekt i sulmeve hibride. Ai kujtoi edhe sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka ndërtuar një nga mbrojtjet më të forta kibernetike në Europë, por pranoi se beteja më e vështirë nuk zhvillohet në servera, por në mendjet e qytetarëve.
Në fund, pasi kishte kaluar nga Homeri te trollët, nga Troja te flamingot dhe nga antikiteti te inteligjenca artificiale, Rama e mbylli me një proverbë shqiptare: “Sa të veshë e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës.”
Megjithatë, në gjithë këtë rrëfim ku u bashkuan Homeri, Kali i Trojës, deepfake-et, trollët dhe “Revolucioni i Flamingove”, kryeministri la pa shpjeguar një pyetje që vazhdon të ngrihet në debat publik: pse në javët e para të protestës sheshi u mbush me mijëra qytetarë që kërkonin largimin nga politika jo vetëm të Sali Berishës, por edhe të vetë Edi Ramës. Nëse “Revolucioni i Flamingove” ishte, sipas tij, një shembull i ndërhyrjes hibride dhe një operacioni me trollë e avatarë, mbetet ende pa përgjigje se si u krijua ai mobilizim fillestar i protestuesve në terren.
Kështu, mes Homerit, Kalit të Trojës dhe algoritmeve të shekullit XXI, konferenca prodhoi më shumë metafora sesa përgjigje për pyetjet politike që vijojnë të shoqërojnë atë protestë.






















