Politika 25 July 2026, 15:05 Nga VNA

Empatia nuk mësohet pas 13 vitesh pushtet

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-25 at 2.49.37 PM.jpeg

Kur një kryeministër që ka qeverisur për 13 vjet u jep leksione ministrave dhe deputetëve për “empatinë politike”, paradoksi është i dukshëm. Sepse empatia nuk është një teknikë komunikimi që zbulohet pasi pushteti ka filluar të konsumojë vetveten. Është një kulturë qeverisjeje që ose ndërtohet që ditën e parë, ose nuk ndërtohet kurrë.

Prandaj, problemi nuk është se Edi Rama foli për empatinë. Problemi është se po ua kërkon atë pikërisht njerëzve që ai vetë i ka zgjedhur, promovuar dhe mbajtur për vite me radhë në politikë. Nëse sot mungon empatia politike, atëherë mungesa nuk është një defekt i ekipit. Është produkt i mënyrës se si është ndërtuar vetë ky pushtet.

Të jemi të qartë që në fillim: empatia për të cilën foli Rama nuk është ajo empatia që ka lidhje me identifikimin me tjetrin si mënyrë për ta kuptuar dhe për t’u bashkuar me hallin e tij.

Nuk jemi përpara rastit kur, si një “psikolog” i mirë, bëhesh shpatulla ku dikush mbështet kokën për të qarë hallin, megjithëse e di që nga ajo shpatull nuk i vjen zgjidhja.

Ne, si popull, e kemi shumë të zhvilluar këtë procesin e qarjes së hallit në ëmbëltoren poshtë banesës për çdo mik që po kalon një periudhë të vështirë. Është në kulturën tonë biseda për hallet e shtëpisë. Ky është mjeti që shqiptari përdor për të shfryrë, duke shkarkuar, pa e kuptuar, një dozë të mirë të sikletit që i mban shpirti. Pa pagesë, sepse shpesh është miku dëgjues që paguan edhe kafenë e rastit.

Por ajo empati për të cilën flet Rama bën pjesë në një sistem tjetër vlerash dhe sjelljeje. Nuk ka lidhje me këtë lloj empatie.

Të paktën Rama këtë e di mirë, megjithëse ndoshta nuk e ka të qartë se cilit auditor duhej t’i rezervohej leksioni i djeshëm.

Quhet empati politike dhe është aftësia e udhëheqësve, politikanëve dhe institucioneve për të kuptuar, ndier dhe adresuar sinqerisht nevojat, frikërat dhe shpresat e grupeve të ndryshme shoqërore. Është ajo empati që kapërcen retorikën sipërfaqësore apo premtimet elektorale, nëse nuk i udhëheq ato.

Empatia politike, kur ajo ekziston, shndërrohet në politika publike që mbrojnë të pafavorizuarit dhe bashkojnë shoqërinë.

Empatia politike rrit besimin. Jo më kot rrënja e kësaj fjale është “besa”.

Empatia politike zbut polarizimin dhe sjell vendime më të mira, sepse politikat bazohen në jetën reale dhe jo në statistika të ftohta.

Empatia politike parandalon krizat, sepse identifikon pakënaqësitë shoqërore përpara se ato të përshkallëzohen.

Empatia politike, si virtyt i një klase politike, do të mjaftonte për të bërë pikërisht atë që Rama po kërkon.

Sa keq që auditori të cilit iu drejtua dje është grupimi që ai vetë ka ndërtuar. Dhe pa vënë në dyshim empatinë njerëzore të secilit prej tyre, kjo empatia tjetër kërkon politikanin, pasi ai të jetë njeri.

Problemi është se për vite me radhë, politika shqiptare ka prodhuar gjithnjë e më pak politikanë dhe gjithnjë e më shumë administratorë të pushtetit, militantë dhe njerëz që dinë të zbatojnë urdhra, por jo të dëgjojnë shoqërinë.

Ndoshta, përpara se t’u kërkojë të tjerëve empati politike, Edi Rama duhet t’i përgjigjet një pyetjeje shumë më të thjeshtë: nëse kjo është vlera që i mungon sot qeverisjes, kush e ndërtoi klasën politike që qeveris Shqipërinë prej 13 vitesh?

Video

Humb një fëmije mes turmës, protestuesit ulen në bulevard

Ka nisur marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës. Sot mbahet protesta e 56 kundër kryeministrit, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të Ramës.

Raportohet sulm me raketa dhe dronë ndaj objektit të Saudi Aramco në Arabinë Saudite Një objekt i kompanisë Saudi Aramco në qytetin Jizan, në jugperëndim të Arabisë Saudite, raportohet se është goditur nga një sulm me raketa balistike dhe dronë. Sipas një përditësimi emergjent të EOS Marine, sulmi ndodhi më 25 korrik dhe kishte në shënjestër infrastrukturën energjetike pranë Detit të Kuq. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë dhe tym të dendur që ngrihet nga zona e goditur. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për shkallën e dëmeve, autorët e sulmit apo për viktima të mundshme. Autoritetet po hetojnë incidentin, ndërsa priten deklarata zyrtare. EOS Marine e cilëson informacionin me besueshmëri të moderuar dhe paralajmëron se situata mbetet në zhvillim.

Aktivisti Edison Lika ka bërë të ditur se protestuesit do të mblidhen sërish të hënën në mëngjes para Kuvendit. Sipas tij, vendimi vjen pasi mazhoranca ndryshoi datën e seancës plenare, duke e zhvendosur nga 30 korriku në 27 korrik. Lika tha se qytetarët do të jenë sërish para Parlamentit, njësoj si në protestën e fundit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubimin e radhës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme