Politika 25 July 2026, 12:07 Nga VNA

KLSH rekomandoi shkarkimin e Pirro Vengut: Raporti zbulon mbi 8 mln euro të ardhura të munguara, 205 mijë euro dëm ekonomik dhe shkelje financiare milionëshe në Portin e Durrësit

Ndaje në Whatsapp
KLSH rekomandoi shkarkimin e Pirro Vengut: Raporti zbulon mbi 8 mln euro të

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre dyshime për një nga menaxhimet më problematike të një institucioni publik gjatë viteve të fundit. Në përfundim të auditimit për Autoritetin Portual Durrës, KLSH rekomandon masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për ish-Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv, Pirro Vengu.

Rekomandimi nuk mund të zbatohet më, pasi, siç shpjegon vetë KLSH, Vengu dhe personat e tjerë të listuar nuk janë më në marrëdhënie pune me institucionin. Megjithatë, gjetjet e raportit mbeten.

Në qendër të tyre janë miliona euro të ardhura të munguara, qindra miliona lekë dëme ekonomike, kontrata të ndryshuara pas tenderit, pagesa pa faturë tatimore, TVSH e padeklaruar, konvertime valutore që, sipas audituesve, favorizuan kontraktorin dhe jo shtetin, si edhe pagesa milionëshe për projektin e Porto Romanos pa aplikimin e penaliteteve të parashikuara në kontratë.

Sipas llogaritjeve të KLSH-së, vetëm nga vendimmarrja për administrimin e Terminalit të Kontejnerëve u krijuan 678.6 milionë lekë të ardhura të munguara (rreth 6.8 milionë euro). Në procedurat e blerjes së vinçave u kryen pagesa pa faturë tatimore për rreth 1.16 miliardë lekë, duke sjellë rreth 233 milionë lekë TVSH të padeklaruar. Vetëm nga konvertimi i monedhës në dy kontrata, audituesit evidentojnë 205 mijë euro dëm ekonomik, ndërsa në projektin e Porto Romanos konstatojnë se nuk u aplikuan penalitete kontraktore me një efekt negativ prej 549 mijë eurosh. Raporti evidenton gjithashtu edhe 88.6 milionë lekë të ardhura të munguara nga administrimi i sipërfaqeve portuale.

Por çfarë thotë konkretisht raporti?

Auditimi lidhet me menaxhimin e katër viteve të fundit të Autoritetit Portual Durrës, sipas Raportit Përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nr. 631/23 prot., datë 30 mars 2026.

Më 8 qershor 2021, me një shkresë të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Pirro Vengu autorizoi shoqërinë private “Mariner Adriatik” sh.p.k. të merrte në administrim Terminalin e Kontejnerëve dhe asetet përkatëse.

Katër ditë më herët, me një tjetër protokoll, kontraktorit iu vunë në dispozicion pjesë këmbimi me vlerë 568,790 euro, ndërsa 1,819 njësi materialesh kaluan pa asnjë kosto në magazinën e privatit.

Sipas raportit, kontrata u nënshkrua në anglisht, ndonëse procedura e prokurimit ishte zhvilluar në shqip. Edhe më problematik, sipas audituesve, rezultoi fakti se kushtet e tenderit u ndryshuan pas shpalljes së fituesit.

Në dokumentet e tenderit operatori duhej të provonte se zotëronte të paktën tre vinça dhe gjashtë reach stacker. Vinçat nuk u provuan, por megjithatë kontrata u nënshkrua. Më pas, detyrimi për sigurimin e tyre iu kalua vetë Autoritetit Portual.

Në vend që t’i siguronte kontraktori, APD bleu me para publike dy vinça dhe një reach stacker dhe ia vuri falas në dispozicion shoqërisë private, pa qira dhe pa kosto amortizimi.

Audituesit aplikuan tarifat zyrtare të qiradhënies të vetë Portit mbi orët e përdorimit deri në fund të vitit 2022 dhe arritën në përfundimin se kështu u krijuan 678,613,900 lekë të ardhura të munguara, gjetja financiare më e rëndë e gjithë raportit.

Raporti konstaton gjithashtu se drejtori ekzekutiv kishte marrë përsipër një garanci prej 100 milionë lekësh në vit për mbulimin e amortizimit të këtyre aseteve. Kur kontrata u ndërpre, APD likuidoi mallra me vlerë 185,227.87 euro, pa llogaritur as përdorimin dhe as amortizimin e tyre.

Përfundimi i audituesve është i drejtpërdrejtë: “Për sa më sipër mban përgjegjësi Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Pirro Vengu.”

Por raporti nuk ndalet këtu.

Teksa Porti blinte me fondet e shtetit vinça që më pas i viheshin falas në dispozicion privatit, audituesit evidentojnë një tjetër seri shkeljesh edhe në procedurat e blerjes së tyre.

Tre procedura me fond limit 408.9 milionë, 385 milionë dhe 432 milionë lekë u fituan nga e njëjta kompani, “Hydropower” ShPK. Sipas KLSH-së, ofertuesi u mbështet tërësisht te prodhuesi italian “Italgru S.R.L.”, ndërkohë që ligji kërkon që vetë ofertuesi të mbulojë të paktën gjysmën e vlerës.

Në një rast, kontrata mes kompanisë shqiptare dhe prodhuesit italian ishte nënshkruar disa ditë përpara se Porti të shpallte procedurën në sistemin e APP.

Edhe mënyra e pagesave rezulton problematike. Shteti paguante 20% në nënshkrim, 50% kur vinçi ishte gati dhe 20% pas testimit, ndërsa, sipas audituesve, 18 pagesa u kryen pa faturë tatimore.

Në total, bëhet fjalë për rreth 1.16 miliardë lekë pagesa pa faturë fiskale, me pasojë rreth 233 milionë lekë TVSH të padeklaruar në kohë. Për këtë arsye, rasti iu referua Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për verifikime të mëtejshme.

Por sipas KLSH-së, problemi nuk ishte vetëm fiskal.

Audituesit evidentojnë se në dy kontrata të ndryshme kompania ofertoi në lekë, fitoi në lekë, por u pagua në euro, duke përdorur një kurs këmbimi që nuk përputhej me atë të parashikuar në kontratë.

Vetëm nga ky mekanizëm, raporti llogarit një dëm ekonomik prej 19,268,748 lekësh, ose rreth 205 mijë euro, duke kërkuar që kjo shumë të rikuperohet përmes rrugës gjyqësore.

Raporti vijon me projektin e Portit të ri në Porto Romano.

Kontrata për projektin teknik kishte një vlerë mbi 9 milionë euro. Dokumentet parashikonin qartë se mungesa e një elementi të caktuar nuk lejonte pagesën paraprake, por megjithatë u likuidua menjëherë 1.85 milion euro paradhënie.

Deri në fund të vitit 2023 ishin paguar 9.13 milionë euro, ndërsa, sipas audituesve, nuk u aplikua asnjë penalitet për vonesat, megjithëse kontrata parashikonte penalitete që arrinin në 789 mijë euro.

Efekti negativ i llogaritur nga KLSH është 549 mijë euro, ndërsa raporti konstaton gjithashtu se siguracioni i përgjegjësisë profesionale nuk u paraqit asnjëherë nga kontraktori.

Nga Porto Romano, raporti rikthehet sërish te administrimi i Portit ekzistues.

Audituesit konstatuan se shoqëria “REDI” ShPK nuk administronte 500 metra katrorë, siç mund të kuptohej nga dokumentacioni, por 17,500 metra katrorë territor portual, pa kontratë të plotë dhe pa tarifat përkatëse.

Sipas llogaritjeve të KLSH-së, kjo solli 88,672,000 lekë të ardhura të munguara, të cilat nuk hynë kurrë në arkën e Autoritetit Portual.

Në përfundim të auditimit, KLSH harton një listë me dhjetëra punonjës dhe ish-punonjës, për të cilët rekomandon masa disiplinore. Për ish-Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv, Pirro Vengu, rekomandimi është masa më e rëndë: “shkarkim nga detyra”, një masë që nuk mund të zbatohet më, pasi ai nuk është më pjesë e Autoritetit Portual Durrës.

Në total, raporti evidenton një bilanc financiar që kalon 8 milionë euro të ardhura të munguara, 205 mijë euro dëm ekonomik, 549 mijë euro efekt negativ vetëm në projektin e Porto Romanos, si edhe 1.16 miliardë lekë pagesa pa faturë tatimore, me 233 milionë lekë TVSH të padeklaruar. Të marra së bashku, këto gjetje përbëjnë një nga auditimet më të rënda të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për administrimin e një institucioni publik në vitet e fundit.

Video

Humb një fëmije mes turmës, protestuesit ulen në bulevard

Ka nisur marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës. Sot mbahet protesta e 56 kundër kryeministrit, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të Ramës.

Raportohet sulm me raketa dhe dronë ndaj objektit të Saudi Aramco në Arabinë Saudite Një objekt i kompanisë Saudi Aramco në qytetin Jizan, në jugperëndim të Arabisë Saudite, raportohet se është goditur nga një sulm me raketa balistike dhe dronë. Sipas një përditësimi emergjent të EOS Marine, sulmi ndodhi më 25 korrik dhe kishte në shënjestër infrastrukturën energjetike pranë Detit të Kuq. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë dhe tym të dendur që ngrihet nga zona e goditur. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për shkallën e dëmeve, autorët e sulmit apo për viktima të mundshme. Autoritetet po hetojnë incidentin, ndërsa priten deklarata zyrtare. EOS Marine e cilëson informacionin me besueshmëri të moderuar dhe paralajmëron se situata mbetet në zhvillim.

Aktivisti Edison Lika ka bërë të ditur se protestuesit do të mblidhen sërish të hënën në mëngjes para Kuvendit. Sipas tij, vendimi vjen pasi mazhoranca ndryshoi datën e seancës plenare, duke e zhvendosur nga 30 korriku në 27 korrik. Lika tha se qytetarët do të jenë sërish para Parlamentit, njësoj si në protestën e fundit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubimin e radhës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme