
Kryeministri Edi Rama duket se ende nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen, e cila kërkohet prej 55 ditësh nga protestuesit, por në vend të kësaj ka zgjedhur të japë përgjigjen e tij politike ndaj pakënaqësisë qytetare.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së zgjeruar me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, Rama u ndal gjerësisht te protestat e muajve të fundit, duke pranuar se mes protestuesve kanë qenë edhe anëtarë, mbështetës dhe votues të PS-së.
Kreu i qeverisë prezantoi dy dokumente strategjike për mandatin e katërt, ndërsa tha se protestat kanë nxjerrë në pah hendekun mes punës së bërë nga qeveria dhe mënyrës se si ajo perceptohet nga qytetarët.
Rama tha se fillimisht kishte menduar se protestuesit ishin "mosmirënjohës", por shtoi se ky është një interpretim i gabuar. Sipas tij, ata nuk dolën në shesh për të mohuar transformimin e Shqipërisë gjatë tre mandateve të para, por për të kërkuar standarde më të larta në qeverisje.
"Ju nuk jeni mosmirënjohës, jeni matësi i ri i standardeve tona", u shpreh kryeministri, duke theksuar se pjesëmarrësit në protesta u shtynë nga nevoja për të përcjellë një mesazh që shkonte përtej bindjeve politike.
Rama pranoi se në protesta morën pjesë edhe socialistë, mbështetës të mazhorancës, si dhe punonjës të administratës publike, duke argumentuar se pakënaqësia e tyre nuk lidhej me kundërshtimin e arritjeve të qeverisë, por me kërkesën për një qeverisje më efikase.
Sipas kryeministrit, qytetarët sot kërkojnë më shumë llogari nga qeveria dhe janë bërë më pak tolerantë ndaj problemeve të përditshme, ndërsa një pjesë e pakënaqësisë buron nga përvoja e tyre me administratën publike.
Ai shtoi se, megjithëse gjatë protestave ka pasur ndërhyrje të aktorëve të jashtëm, dezinformim dhe lajme të rreme, këto nuk përbëjnë shkakun kryesor të revoltës. Sipas Ramës, në themel të pakënaqësisë qëndron përvoja e përditshme e qytetarëve, veçanërisht marrëdhënia e tyre me administratën shtetërore.






















