Politika 24 July 2026, 13:53 Nga VNA

Nga Tocqueville te “Besa”: Si të flasësh për protestën dhe të heshtësh për përgjegjësitë e pushtetit

Ndaje në Whatsapp

fvdfvd.jpeg

Pas më shumë se dy muajsh protestash, Edi Rama vendosi të mos i përgjigjej vetëm politikisht protestuesve. Zgjodhi një argument më të rafinuar. Citoi Alexis de Tocqueville për të shpjeguar pse njerëzit protestojnë edhe kur, sipas tij, vendi ka bërë përpara. Kujtoi idenë e njohur se shoqëritë bëhen më kërkuese pikërisht kur përmirësohen dhe se “momenti më i rrezikshëm për një qeveri të keqe është zakonisht kur ajo fillon të reformohet”. Ishte një mënyrë elegante për të thënë se protesta nuk është domosdoshmërisht provë e dështimit të qeverisë, por mund të jetë edhe pasojë e rritjes së pritshmërive.

Argumenti është interesant. Madje edhe Tocqueville do ta pranonte.

Por vetëm deri në një pikë.

Sepse protesta që po zhvillohet prej javësh në Shqipëri nuk ka dalë në shesh me kërkesën për një reformë më shumë. Nuk ka dalë as për të kërkuar një shërbim publik më të mirë. Ajo ka zgjedhur një slogan shumë më brutal: “Rama në burg, Berisha në burg”. Një slogan që nuk flet për pritshmëri më të larta, por për një krizë të thellë besimi ndaj gjithë klasës politike.

Paradoksalisht, ishte vetë Rama ai që i dha protestës një pjesë të argumenteve të saj.

Në fjalimin para grupit socialist ai pranoi se administrata është bërë arrogante, se qytetarët presin me vite përgjigje, se ka zyrtarë që u flasin njerëzve “me karrigen në vend të fytyrës”, madje pranoi edhe se ka nga ata që kërkojnë para. Pranoi mungesën e empatisë dhe pranoi se besimi është dobësuar aq shumë, sa sipas tij edhe faktet nuk arrijnë më të bindin qytetarët.

Është e vështirë të gjesh një përshkrim më të ashpër të një administrate që është ndërtuar dhe drejtuar nga e njëjta shumicë prej dymbëdhjetë vitesh.

Këtu fillon edhe paradoksi i dytë.

Ndërsa pranon publikisht se sistemi ka prodhuar arrogancë, korrupsion dhe mosbesim, Rama nuk ndalet asnjë çast te përgjegjësia politike. Nuk pyet pse ndodhi kjo. Nuk pyet kush e ndërtoi këtë administratë. Nuk pyet pse, pas dymbëdhjetë vitesh, qytetarët nuk besojnë më.

Dhe ndoshta nuk mund ta bëjë këtë pyetje pa u përballur me një realitet tjetër: një pjesë e njerëzve më të fuqishëm të sistemit të tij janë sot nën hetim ose nën akuzë nga SPAK. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po përballet me proces penal. Ish-ministra, ish-drejtorë, zyrtarë të lartë dhe figura që për vite kanë qenë shtyllat e qeverisjes socialiste kanë hyrë në dosjet e drejtësisë. Kjo nuk do të thotë se protesta ka të drejtë për gjithçka. Por e bën shumë më të vështirë ta shpjegosh zemërimin qytetar vetëm me teorinë e “pritshmërive në rritje”.

Në vend të një reflektimi mbi këtë realitet, Rama prezantoi “Besën”, manualin me të cilin socialistët do të hyjnë në mandatin e katërt.

Dhe pikërisht këtu Tocqueville fillon t’i prishë skenarin.

Sepse ai nuk shkruante vetëm se reformat rrisin pritshmëritë. Ai paralajmëronte gjithashtu se “në shoqëritë demokratike, centralizimi fiton lehtësisht një forcë të jashtëzakonshme.” Nuk është një frazë për protestuesit. Është një paralajmërim për pushtetin. Për rrezikun që, sa më gjatë të qëndrojë në qeverisje, aq më shumë të identifikojë veten me shtetin dhe aq më pak të arrijë të dallojë kufirin mes përgjegjësisë dhe justifikimit.

Ndoshta kjo është arsyeja pse protesta vazhdon edhe pasi vetë kryeministri pranoi një pjesë të madhe të diagnozës së saj. Sepse qytetarët nuk po kërkojnë vetëm pranimin e problemeve. Po kërkojnë të dinë kush mban përgjegjësi për to.

Dhe ky është kapitulli i Tocqueville-it që nuk u dëgjua në mbledhjen e grupit parlamentar. Sepse klasikët nuk janë të rrezikshëm kur i citon. Janë të rrezikshëm kur të detyrojnë të ndjekësh deri në fund logjikën e asaj që sapo ke pranuar.

Video

Pesë efektivë të Policisë Metropolitane u plagosën pasi një varkë e Njësisë Detare u përplas me Urën Westminster në Londër. Disa prej tyre ranë në ujë, por u shpëtuan menjëherë nga kolegët dhe ekipet e emergjencës.

Erion Braçe sfidoi Edi Ramën në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke kundërshtuar votimin e anëtarëve të KPP-së pa diskutim paraprak. Debati u përshkallëzua, ndërsa Rama humbi durimin dhe iu drejtua Braçes me fjalë të ashpra. Pas përplasjes, kryeministri paralajmëroi deputetët socialistë se do të marrë masa ndaj zërave kritikë. Heshtja e Elisa Spiropalit dhe debati Rama–Braçe nxorën në pah tensionet brenda Partisë Socialiste.

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Refit Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës, vrau ish-vjehrrin, plagosi rëndë ish-vjehrrën dhe mori peng 24-vjeçaren. Pas rreth 7 orësh negociata me forcat RENEA, ai liroi ish-partneren, por refuzoi të dorëzohej. 35-vjeçari i dha fund jetës duke qëlluar veten me armë gjahu, ndërsa ish-vjehrra ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve. Familjarët thonë se autori nuk pranonte ndarjen dhe e kishte kërcënuar vazhdimisht ish-partneren, ndërsa rrethanat e plota të tragjedisë po hetohen.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme